Lajme

Nëse dështon koalicioni VV-LDK kush humb më shumë?

Autori: Gazeta inFokus 23:00 | 09 January 2020

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka deklaruar se me dështimin eventual të arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe LDK-së, të dyja partitë do të dëmtoheshin.

Sipas tij, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ishte në pozitë më të vështirë pasi vullneti dominues i qytetarëve për ta votuar këtë parti më 6 tetor ishte i bazuar në besimin se ajo është ndryshe nga të tjerat, të cilat janë fajtore për gjendjen e krijuar në Kosovë.

“Përkundër VV-së, LDK-ja është në pozitë më komfore – dhe më konformiste”.

-Advertisement-

”Ky është shansi jetësor i Albin Kurtit”.

”Është ai ‘15 minutëshi i famës’, sipas artistit legjendar Andy Warhol. Kjo është mundësia e tij më e madhe për lidership qeverisës, sepse aktualisht e ka përkrahjen e sinqertë të qytetarëve dhe momentumin më të volitshëm për të ardhur në pushtet”.

“Votat i fitoi dhe përkrahjen e ka, prandaj i ka mbetur vetëm që këto potenciale t’i jetësojë me anë të krijimit të institucioneve”.

”Nëse e rrezikon këtë rast, shumë vështirë që do t’i përsëritet ndonjë i ngjashëm”.

”Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka kufizuar maksimalisht partnerët për koalicion duke i përjashtuar të gjitha partitë, përveç LDK-së. Nëse në të ardhmen e përjashton edhe LDK-në, kush do t’i mbetet?”.

Muhaxhiri në Info Magazine të Klan Kosovës tha se për dallim nga partia e Albin Kurtit, ajo e Isa Mustafës ka shumë më tepër mundësi që të vjen në pushtet në rast të dështimit të kësaj marrëveshjeje.

“LDK i ka të hapura të gjitha opsionet, – bile edhe atë të ndonjë forme të bashkëpunimit me PDK-në, sepse gjatë viteve të kaluara jemi mësuar që të thonë: ‘Nuk bëjmë marrëveshje me PDK-në!’, por pas një presioni ndërkombëtar të bashkëqeverisin me shumë vullnet. LDK-ja e ka pakrahasimisht më lehtë që të vjen në pushtet sesa Lëvizja VETËVENDOSJE!”.

Muhaxhiri tha se mosarritja e koalicionit VV-LDK do të krijojë kundërefekte edhe në aspektin e kulturës politike te qytetarët e Kosovës duke i lënë të zhgënjyer.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë shpresë për qytetarët pasi nuk ishte pjesëmarrëse e gjërave të këqija që kanë ndodhur në qeverisjet e deritashme”.

“Ajo është konsideruar si mundësi e cila sadopak do të mund ta ndalte hovin e korrupsionit, humbjen e shpresës së qytetarëve kosovarë dhe për këtë arsye i ka fituar zgjedhjet, sepse nuk ka pasë ndonjë program spektakular për ekonomi, arsim, shëndetësi dhe segmentet tjera institucionale”.

”Qytetarët e kanë votuar VV-në për shkak se ka qenë adresë për mllefin dhe pakënaqësinë e përgjithshme të të zhgënjyerve me partitë tjera”.

“Nëse dështon opsioni VV-LDK, atëherë do të cenohet i gjithë ai emocionalitet pozitiv i 6 tetorit. Do të zbehet potenciali i kësaj periudhe shpresëdhënëse për ndryshime”.

“Zgjedhjet e 6 tetorit kanë dëshmuar se ky është opsioni me nivelin më të lartë të besueshmërisë dhe entuziazmit qytetar për planifikimin dhe jetësimin e reformave të domosdoshme në shtetin dhe shoqërinë kosovare”.

“Nëse përfundimisht ndodh dështimi, edhe LDK-ja do ta ketë pjesën e madhe të fajit. Nuk ka logjikë që partia e dytë të kërkojë më shumë pushtet se partia e parë. Nëse LDK-ja e ka kërkuar ndarjen e ministrive ‘5 me 5’, postin e presidentit dhe postin e kryeministrit, kjo i bie që LDK-ja ka kërkuar të ketë më shumë pushtet sesa fituesja e zgjedhjeve, VV-ja”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera