Lajme

Nënkryetarja e bordit akuza kolegëve që dhanë dorëheqje, RTK’së i jep të drejtë të publikojë edhe skandale -Bulliqi i VV e mbështet

Autori: Gazeta inFokus 21:36 | 18 August 2024

Albulena Mehmeti, nënkryetare e bordit të RTK-së, ka reaguar duke akuzuar ish-kryetarin e bordit Besnik Boletinin e anëtaren Arta Berisha, pasi dhanë dorëheqje të premten, sepse nuk pajtoheshin me indiferencën brenda RTK-së ndaj skandalit të lajmit ku mediumi publik duke cituar një medium kontrovers boshnjak akuzonte dy media kosovare “Nacionale” dhe “Periskopi”, si “të Serbisë”.

Mehmeti përmes një postimi me akuza ndaj kolegëve, ka thënë se RTK-ja ka të drejtë të publikojë çfarëdo që e sheh të arsyeshme, duke përfshirë edhe lajme si ai “Slobodna Bosna”

Postimin e saj akuzues e shpërndau Shpejtim Bulliqi, kryetari i Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje.

-Advertisement-

“Ish kryetari i bordit ka shantazhuar pa ndërprerë në mënyrë të paprecedentë këdo që të realizonte kërkesat e një portali mediatik privat, e jo standardet profesionale. Në asnjë çast brenga e të dy anëtarëve nuk ka qenë RTK por karriera e tyre personale”, ka thënë ndër tjerash ajo.

Postimi i plotë i Mehmetit:

Gjatë ditës së djeshme dhanë dorëheqje dy anëtarë të bordit të RTK-së.

Ish-kryesuesi i Bordit të RTK-së Besnik Boletini paraqiti publikisht disa pretendime lidhur me qëndrimet për publikimin e një lajmi në televizionin publik, por faktikisht nuk ka dhënë dorëheqje ashtu siç ja kërkon Ligji i RTK-së, që anëtarët e Bordit mund të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim Bordin të paktën tre (3) muaj përpara. Pra, Boletini njoftoj publikun me shkrim por jo edhe anëtarët e Bordit.

Që në krye të herës më duhet të sqaroj si Nënkryetare e Bordit të RTK së vlerësimet dhe sulmet nga vet anëtarët e Bordit për stafin dhe politikën editoriale të RTK janë në thelb absurde dhe në një mënyrë të papranueshme.

Ish kryetari i bordit ka shantazhuar pa ndërprerë në mënyrë të paprecedentë këdo që të realizonte kërkesat e një portali mediatik privat, e jo standardet profesionale.

Në asnjë çast brenga e të dy anëtarëve nuk ka qenë RTK por karriera e tyre personale.

Dua t’ju them atyre dhe kujtdo që qëndron pas tyre se si Nënkryetare e Bordit nuk do të lejoj në asnjë rast të cenohen profesionistët të cilët punojnë për RTK-në më përkushtim dhe japin gjithçka pa asnjë rezervë.

Televizioni publik duhet sa më parë të avancoj stafin dhe të plotësojë nevojat me gazetarë e profesionistë të fushës së medias, e jo të largojë ata që i kanë qëndruar besnik.

Në këtë pikë, më duhet të sqaroj se në mbledhjen e fundit ne si bord duhet të zgjidhnim UD drejtorin e përgjithshëm, për të cilin dy anëtarët e dorëhequr bënin presion që vetëm një kandidat të votohet, edhe pse në mbledhje u propozuan dy kandidatë, mirëpo kandidati i dytë nuk u hodh në votim nga ish-kryesuesi i Bordit.

Pse gjithë kjo zhurmë dhe panik nga ish-kryetari i bordit Besnik Boletini dhe ish- anëtarja Arta Berisha?

Për motivet e vërteta duhen pyetur ata. Po për sa i takon çështjeve brenda RTK-së mund të them me bindje të plotë se RTK i ka të gjithë instrumentet si institucion i madh publik që çdo proces të vetin ta përmirësojë, përshtasë, transformojë apo ngrejë në një nivel më të lartë profesional.

Ne si bord i kemi detyrat që na jep ligji dhe rregullativa e brendshme e RTK-së dhe të cilat janë shumë të qarta në menaxhimin dhe funksionimin e brendshëm të RTK-së. Ne as jemi polici as jemi gardianë por jemi bord kolegjial që duhet me përgjegjësi dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të marrim vendimet tona duke mos lejuar asnjëherë të biem pre e presioneve nga kushdo që vijnë ato. Dhe gjithashtu duhet të ruajmë profesionalizimin dhe stafin e RTK-së nga çfarë do presioni i jashtëm dhe duke lejuar mekanizmat e brendshëm institucional dhe stafin e RTK-së të kryejnë punën e tyre profesionale dhe të pavarur duke u mos ndikuar nga askush, as edhe nga vetë Bordi. Ata gjithashtu e kanë menaxhmentin e tyre të cilët e dinë se si ta drejtojnë me përgjegjshmëri dhe në të mirë të interesit publik.

Sa i takon lajmit të publikuar në RTK si citim i Slobodna Bosna kjo është një çështje e qartë tanimë. Mirëpo, mendoj se nuk është në detyrë të bordit të RTK të plotësojë as edhe kërkesat e as teket e asnjë portali privat për si menaxhohet nga brenda RTK dhe se çfarë vendos të transmetojë e çfarë jo dhe si të marr masat.

Ekzistojnë organet kushtetuese që kontrollojnë punën e transmetuesit publik, ndryshe nga rasti i portaleve që s’i kontrollon kush as për financat as për materialet video, ekzistojnë gjykatat po ashtu, dhe nuk ka asnjë nevojë të krijohet një panik kaq i madh mbi një temë të tillë.

Duhet të theksohet se Bordi i RTK-së qysh të nesërmen e publikimit të lajmit ka reaguar , dhe po ashtu RTK ka publikuar të gjitha reagimet kundër edhe të të apostrofuarve. Nuk ka mbetur asnjë zë pa u pasqyruar në mediumin publik qoftë për këtë temë apo edhe për tema tjera.

Unë besoj që mediumi publik duhet të gëzojë lirinë të publikojë ato që stafi përgjegjës dhe profesional beson e mendon se i kontribuojnë publikut tonë, por gjithmonë duke respektuar ligjet dhe rregullativën e brendshme të RTK-ë. Edhe në rastet kur nga ato mund të shkaktohen polemika të ashpra, mospajtime dhe reagime.

Mediumi publik nuk ka për detyrë të qëndrojë neutralë ndaj lajmit por ndaj ndërhyrjeve. E këtë muajin e fundit ka pasur një tendencë të paprecedentë për të ndikuar në vendimmarrjen e brendshme të RTK-së për interesa plotësisht private që nuk kontribuojnë në asnjë rrethanë në të mirën e publikut, RTK apo shtetit të Kosovës.

RTK do të vazhdojë punën dhe TV dhe stafi profesional janë të inkurajuar që të qëndrojnë në çdo rrethanë në mbrojtje të televizionit publik që është një vlerë e madhe e shtetit tonë e si e tillë duhet të trajtohet nga të gjithë.

Ndërsa, Bordi do të vijojë punën për të zhbllokuar vendimmarrjen dhe për t’i dhënë përkrahje projekteve të reja për zhvillimin dhe funksionimin sa më të mirë, pavarur dhe profesional të RTK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera