Lajme

Nën ndikimin e alkoolit gjuajti me armë në lokal dhe plagosi një person, i akuzuari dënohet me 4 vite e 6 muaj burgim

Autori: Gazeta inFokus 11:51 | 21 December 2021

Gjykata e Pejës e ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim unik dhe 400 euro gjobë të pandehurin G.M, të cilit nga Prokuroria e Pejës i ngarkoheshin vepra e tentim vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Këtë aktgjykim e shpalli trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Husaj-Rugova, në seancën e së martës në gjykatoren e Gjykatës së Pejës.

Fillimisht gjykatësja për tentim vrasje e gjykoi me 4 vite burgim, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm 1 vit burgim dhe armëmbajtje pa leje me 400 euro gjobë, të cilat u unifikuan me 4 vite e 6 muaj burgim dhe 400 euro gjobë.

-Advertisement-

Ndaj të pandehurit në dënimin e shqiptuar me burgim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 18 marsi i 2021, e tutje pasi ndaj të pandehurit ju vazhdua paraburgimi edhe pas shpalljes së aktgjykimit.

I pandehuri u lirua nga shpenzimet procedurale.

Gjykatësja shtoi se i pandehuri kishte qenë i gjykuar nga kjo gjykatë më herët së paku 8 herë.

Me këtë vendim i pakënaqur u shpreh i pandehuri i cili pas shpalljes së aktgjykimit u shpreh se “krejt çfarë keni thënë ju dhe prokurorja janë krejt rrena”.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 23 prill 2021, G.M akuzohej se më 18 dhjetor 2020 në fshatin Jabllanicë e Vogël, Komuna e Pejës, në lokalin e B.M, me armë ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e të dëmtuarve H.R, S.R, B.M dhe S.M.

Sipas akuzës, i pandehuri në lokalin e lartcekur kishte filluar të konsumojë alkool dhe në momentin kur në televizor fillojnë të këndojnë vëllezërit Qetaj, i pandehuri me revole shtie një herë në drejtim të dyshemesë dhe prapë shtie dy herë në drejtim të televizorit, ku një predhë e fishekut shkon te tavolina e të dëmtuarit S., të cilit ia rrëzon një shishe të ujit mineral.

Sipas aktakuzës, më pas i dëmtuari reagon duke i thënë të njëjtit G. mos gjuaj se po na plagos”, e aty më pas ndërhyri dëshmitari I.M dhe arrin që të pandehurin ta largojë prej lokalit.

Për këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari ngarkohej se kishte tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin S.M.

Sipas prokurorisë, pasi largohet nga lokali i lartcekur, i pandehuri pas 40 minutave kthehet prapë te lokali ku e hapë dritaren e veturës dhe të dëmtuarit i drejtohet me fjalët “Ku je S.Sh, çka të kam borxh”, dhe nga një distancë prej 5 metra, shtie me armë zjarri në drejtim të viktimës një herë, duke e plagosur në pjesën e abdomenit dhe pasi të pandehurit i bllokohet arma, në ato momente i pandehuri e zhbllokon armën dhe gjuan edhe dy herë në drejtim të viktimës, por nuk arrin ta qëllojë.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal,  vepër e cila dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.

G.M, akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje dhe atë, për revole të tipit ta panjohur me të cilën e ka kryer veprat penale të lartcekura. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday në Comodita Home: Përfito 100€ extra zbritje në dyshekë
-Advertisement-

Të tjera