Lajme

Neglizhenca për rikthimin e trashëgimisë së grabitur të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 16:31 | 22 December 2017

Trashëgimia kulturore e zhvendosur është një problem i gjerë dhe i dhimbshëm në shumë shtete. Posaçërisht për shtetet të cilat janë të deprimuar nga trashëgimia kulturore e tyre dhe e kërkojnë t’u kthehet pas. Ndërsa, shtetet të cilat e mbajnë trashëgiminë kulturore të një shteti tjetër në muzetë e tyre dhe institucionet tjera shtetërore, ballafaqohen me problemin ligjor dhe atë etik.

Arsyet pse trashëgimia kulturore bartet apo zhvendoset nga vendi i origjinës mund të jenë të shumta, por fatkeqësisht shembujt e ndryshëm na tregojnë se qëllimet nuk janë dashamirëse. Shembujt e mëparshëm ne histori kanë dëshmuar se trashëgimia zhvendoset nga dëshira për ta shtypur një grup të caktuar të popullatës, siç ka ndodhur nga ana e Serbisë në raport me Kosovën. Pra vetë akti i bartjes së trashëgimisë jashtë vendit amë, e përdhunon një pjesë të vetë identitetit të popullit. Për më shumë Serbia kishte për qëllim një lloj glorifikimi të kulturës se tyre, që në kohën e konfliktit ishte kultura me dominante. Pra të gjitha këto veprime mbesin në bagazhin e shtetit që dëshiron të jetë dominues.

Shumë vende të botës kanë humbur trashëgiminë kulturore përgjatë dhe pas konflikteve, por rasti i Kosovës mbetet shumë unik, dhe në fakt mund të krahasohet lehtë me kohën e Luftës së Dytë Botërore kur në Gjermani artifaktet janë mbledhur me urdhër nga shteti dhe në mënyrë sistematike.

-Advertisement-

Disa nga thesaret më të çmuara arkeologjike dhe etnologjike që janë pjesë e trashëgimisë kulturore të lëvizshme, që për më shumë mbajnë vlerë të pazëvendësueshme të identitetit kombëtar të Kosovës, janë për momentin në Beograd. Ky koleksion është i ndarë në dy pjesë, njëra pjesë përbëhet nga rreth 677 artefakte arkeologjike, që sipas Serbisë janë marrë në “huazim” për ekspozitën “Thesaret Arkeologjike nga Kosova” nga Galeria e Akademisë së Shkencave dhe Artit të Serbisë në Janar-Mars të vitit 1999. Pjesa e dytë e koleksionit janë thesaret etnologjike, rreth 571 artefakte, që janë “huazuar” për ekspozitën “Stolitë dhe prarimi i arit në Kosovë” për të udhëtuar në muzetë e Novi Sadit, Beogradit, Suboticës, etj. në vitin 1998.

Për më shumë thuhet se është një numër i madh i artefakteve që janë marrë gjithashtu nga muzeu i Prizrenit dhe ai i Mitrovicës. Besohet se një numër i madh janë marrë me dhunë nga Muzeu i Kosovës për t’u dërguar në Beograd gjatë dhe pas luftës në qershor të vitit 1999.

Deri më sot, këto artefakte që përfaqësojnë identitetin dhe vlerat kulturore të Kosovës, kanë mbetur të pakërkuara, dhe nuk kanë qenë temë e ditës, as në bisedat në mes Serbisë dhe Kosovës, e as në takimet e shumta me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë. Këtë e kam mësuar gjatë studimit disamujor mbi legjislacionin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë. Sidoqoftë, këto thesare, në këtë moment janë në Serbi, dhe nëse nuk i kërkojmë, nuk besoj që do kthehen pas në të ardhmen e shpejtë!

Si duhet t’i kërkojmë kthimin e tyre?

Aneksi V përbrenda planit të Ahtisarit i adreson privilegjet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë në detaje të hollësishme, sidoqoftë ato privilegje balancohen në Nenin 1.1 që kërkon se çdo e drejtë, privilegj, dhe imunitet do t’i nënshtrohet detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me ligjet e Kosovës, dhe nuk do t’i shkelë të drejtat e të tjerëve. Një dispozitë shumë e rëndësishme kjo, në këtë kontekst që nuk duhet të anashkalohet, ashtu siç bëhet shpesh nga kritikët e Aneksit V të planit të Ahtisarit.

Plani i Ahtisarit kishte ndër tjera një kërkesë nga Kosova; të sillet si një shtet demokratik me dëshirën për të ndërtuar një shoqëri multietnike funksionale, dhe ta njohë/pranojë Kishën Ortodokse Serbe përfshirë këtu emrin dhe organizatën e brendshme te kishës, hierarkinë dhe aktivitetet. Kosova e bëri një gjë të tillë dhe, lënë anash presionin nga bashkësia ndërkombëtare, asnjëherë nuk ka luftuar kundër Kishës Ortodokse Serbe. Në fakt, i ka dhënë asaj rolin e dëshiruar.

Përbrenda Planit te Ahtisarit, Kosova e ka pasur vetëm një kërkese për Serbinë. Pika 6.1 e pakos se Ahtisarit kërkon që Serbia ta kthejë trashëgiminë e zhvendosur nga Kosova, t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe ato etnologjike (të përmendura me lartë) të cilat janë zhvendosur me paramendim dhe planifikim gjate kohës së konfliktit aktiv në Kosovë, pra në vitet 1998-1999. Sipas marrëveshjes, kthimi do duhej të ndodhte brenda 120 ditëve prej kur do hynte në fuqi marrëveshja. Kjo dispozitë, nga jashtë mund të shihet edhe si një balanc vis a vis dispozitave që merren me Kishën Ortodokse Serbe në tërë marrëveshjen. Edhepse Serbia nuk e pranoi planin e Ahtisarit, komuniteti ndërkombëtar tërë presionin mbi Kosovën, që t’i akomodojë kërkesat e Kishës Ortodokse Serbe e bazon pikërisht ne Aneksin V të Planit të Ahtisarit.

Kthimi i trashëgimisë se zhvendosur është normë përbrenda të drejtës ndërkombëtare. Pra Serbia do të duhej të kishte presion nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vazhdimisht i bën presion Kosovës në një drejtim apo tjetrin në raport me Serbinë. Sidoqoftë ky presion i pritur nga bashkësia ndërkombëtare ka qenë minimal ose joekzistues.

Ish Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Micheal Steiner, arriti që ta kthejë nga Beogradi, figurën “Hyjnesha në Fron” në vitin 2002. Ky gjest i kthimit të këtij simboli të lashtësisë në Kosovë, dëshmon se Serbia i mban peng këto artifakte me vetëdije të plotë, dhe se vetëm presioni i duhur i asaj kohe nga një zyrtar i lartë ndërkombëtar i shtyri ata që ta dorëzojnë figurën 6,000 vjeçare, simbolin e tërë pasurisë kulturore të Kosovës, e cila qëndron në stemën e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

Kosova duhet të ketë më shumë aktivitet në këtë drejtim, sepse tanimë është një çështje e karakterit diplomatik, në sensin se ajo trashëgimi e zhvendosur duhet të kërkohet në formë zyrtare dhe publike, të përmendet në qarqet diplomatike dhe ta ketë vëmendjen e merituar të pandërprerë.

Mund ta shikojmë një shembull jashtë kontekstit Kosovar, edhepse konteksti historik ndryshon. Ky rast dëshmon dedikim të pandërprerë për t’i kthyer artefaktet. Shembulli i Mermerëve te Panteonit, të njohur më mirë si “Elgin Marbels”, që përmban një koleksion të skulpturave klasike greke të punuara në vitet 480 p.e.r.– 430 e.r. nga Pheidias (Fidias) , skulptor, artist dhe arkitekt gjigant në Greqinë antike. Statuja e Zeusit në Olimpia e punuar nga Pheidias konsiderohet pjesë e “Shtatë Çudirave të Botës”. Pra rëndësia e Mermerëve të Panteonit, është e pakontestueshme për Greqinë.

Këta mermerë që ishin të larguar nga Pantenoni dhe marrë nga Lord Ergin me leje të posaçme nga Administrata Osmane e asaj kohe, përfundimisht i janë shitur Muzeut Britanik në vitin 1816. Përderisa është debatuar në qarqet ligjore nëse zhvendosja e mermerëve ishte në përputhje të plotë të marrëveshjes apo lejes së marrë nga okupuesi Osman i asaj kohe, dokumenti që dëshmon këtë marrëveshje është i humbur, dhe në përgjithësi në qarqet ligjore është pranuar se nuk janë zhvendosur në mënyrë ilegale. Së fundi, Greqia ka hekur dorë nga kontestimi ligjor dhe ka deklaruar publikisht se do të mundohet ta kthejë koleksionin me forca dhe shkëmbime diplomatike.

Sidoqoftë, është e qartë se këto skulptura janë marrë në mënyrë jo etike, dhe kritikat ndaj veprimit të Lord Elgin por edhe vetë kjo çështje janë bërë të pavdekshme në poezinë e Lord Byron të quajtur “Childe Harold’s Pilgrimage”.

Në anën tjetër, Greqia ka lobuar pa ndalur, formalisht dhe joformalisht. Kjo çështje është paraqitur në Konferencën Botërore për Politika dhe Kulturë në Meksikë në vitin 1982, ka vazhduar në vitin 1997 dhe, për më tepër, ishte edhe pjesë e kampanjës përgjatë Lojërave Olimpike të vitit 2004 në Athinë. Tentimi i fundit është bërë në vitin 2015 duke e ngritur profilin e çështjes me avokaten e mirënjohur Amal Clooney nga Doughty Street Chambers në Londër. Edhe pse ajo nuk kishte as bagazh e as vite të mjaftueshme si avokate, mjaftonte se ishte e sapo martuar me aktorin e njohur holivudian George Clooney dhe çdo hap i saj përcillej nga mediat ndërkombëtare. Kështu që edhe çështja e mermerëve të panteonit mori vëmendjen që e kishte parashikuar shteti Grek.

Shembujt nga shtetet e ndryshme tregojnë se numri më i madh i artefakteve dhe trashëgimisë kulturore të zhvendosur merret me forcë dhe jo me qëllim të mbrohet apo të promovohet përkohësisht dhe të kthehet pas. Në rastin e Kosovës është e qartë se Serbia nuk e kishte qëllimin që t’i merrte në huazim por t’i merrte për ta zhveshur popullin e Kosovës prej kulturës së vet, me qëllim që të deprivohet dhe dëmtohet edhe më tutje.

Kosova ka përgjegjësi ligjore dhe morale ta kërkojë trashëgiminë e vet të zhvendosur në Serbi

Kërkesa që të kthehet trashëgimia kulturore nuk bazohet vetëm në moralin dhe mënyrën se si janë marrë nga Serbia. Këtu bëhet fjalë për etikën e veprimit dhe faktin se janë të disasociuara me popullin dhe mbesin jashtë Kosovës, dhe pikërisht ky deprivim ndez nevojën e veprimit dhe përfundimisht kthimin e artefakteve./Gazeta JNK

Nora Weller është Drejtore e Akademisë për Çështje Globale në Kembrixh të Mbretërisë së Bashkuar. Studimi i saj i fundit: Trashëgimia Kulturore në Kosovë: aspektet ligjore, kulturore dhe politike shikon nga afër kornizën legjislative dhe politikat rreth mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera