Lajme

Në zgjedhjet e 22 tetorit, edhe 18 mijë votues të rinj

Autori: Gazeta inFokus 22:24 | 15 October 2017

Në emisionin “Përballje” të transmetuar në RTV Dukagjini është diskutuar për zgjedhjet lokale të 22 tetorit dhe për përfshirjen e të rinjve në këto zgjedhje.

Listës së votuesve në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do t’i shtohen 18 mijë votues që për herë të parë votojnë në këto zgjedhje.

Në mesin e këtyre 18 mijë votuesve janë ata të rinj që për herë të parë kanë mbushur ose mbushin 18 vjet dhe kanë të drejtë për të votuar dhe ata që nuk kanë qenë në listën përfundimtare të votuesve në zgjedhjet për Parlament në qershor 2017.

-Advertisement-

Kryeshefi Ekzekutiv i KQZ-së, Enis Halimi ka thënë se ata janë përgatitur dhe të gjitha procedurat janë gati për zgjedhjet e 22 tetorit.

“Diku 18 mijë votues të ri në nivel të Kosovës në mes këtyre dy palë zgjedhjeve. Unë nuk e shoh mungesën e mos informimit si shkaktar dhe të vetmin që ka ndiku në votimet e pavlefshme që kanë ndodhë në zgjedhjet e qershorit”, ka thënë Halimi në emisionin “Përballje”, transmetuar në RTV Dukagjini.

Sipas tij, përgatitjet po ecin sipas planit dhe janë në afat të mirë.

Por Rasim Alija, hulumtues nga Instituti D4D ka thënë se ka pasur vonesa sidomos në aspektin e pjesës së informimit për votuesit e rinj.

“E kemi parasysh që vetëm javën e kaluar KQZ ka filluar me publikimin e spoteve/videove informuese. Është një vonesë që herëve tjera KQZ duhet ta eliminojë këtë pjesë”, ka thënë Alija në emisionin “Përballje”.

Në anën tjetër Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i KQZ-së ka thënë se ata kanë kryer me kohë planet operacionale edhe për informimin publik të votuesve por kanë qenë problemet me prokurim ato që kanë bërë vonesa.

Rasim Alija nga D4D thotë se puna e informimit mbetet problem që nga viti 2014 dhe po bartet nga viti në vit.

KQZ thotë se këto vonesa për punën e informimit të publikut nuk do të ndikojnë që të ketë shumë vota të pavlefshme.

Në zgjedhjet parlamentare të muajit qershor, 6 për qind të votave ishin të pavlefshme, e shkaktarët dhe arsyet sipas KQZ-së janë nga më të ndryshmet. /Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday në Comodita Home: Përfito 100€ extra zbritje në dyshekë
-Advertisement-

Të tjera