Lajme

Në treg të Prishtinës shitet qumësht i pasterilizuar

Autori: Gazeta inFokus 10:50 | 06 July 2017

Në tregun e Prishtinës shitet qumësht i pasterilizuar në shishe plastike pa asnjë kontroll institucional.

Zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se inspektimi i tregjeve të Prishtinës është kompetencë e komunës, ndërsa zyrtarët komunalë nuk kanë pranuar të flasin për ketë temë.

Në këtë kohë ku temperaturat po shënojnë mbi 35 gradë, në tregun e gjelbër të Prishtinës shitet qumësht i pasterilizuar dhe pa mbikëqyrje institucionale. Ibish Vrapca, nga Komuna e Lipjanit sjell çdo ditë qumësht dhe ankohet se nuk ka shitje ashtu siç dëshiron ai.

-Advertisement-

“Vetëm qumësht kamë sjell me shitë. Në ora 8:30 ky qumësht është mjel, dhe çka nuk prishet prej mëngjesit nuk prishet deri në ora katër. Deri në orën katër, unë jap garanci për të”, tha shitësi.

Qumështi që ishte sjellë nga Ibishi në Tregun e Prishtinës, ishte ekspozuar në pik të diellit dhe pa asnjë standard, siç e parasheh ligji. Lamir Thaçi, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, tha për Radio Kosovën se tregjet licencohen nga komunat, dhe ky problem është në kompetencat e Komunës së Prishtinës.

“Me ligjin për ushqimin është e paraparë që inspektorët e komunave të kalojnë brendapërbrenda autoritetit tonë. Por, derisa në këto momente inspektorët janë duke funksionuar brenda komunës, kjo është në kompetencë të tyre, dhe atëherë nëse ne do t’i mbulojmë të gjitha, atëherë pse inspektorët e komunave do të ekzistojnë”.

Thaçi u bën thirrje qytetarëve që mos të blejnë produkte që nuk shiten sipas kushteve të parapara me ligj.

‘’Produktet të cilat nuk kanë deklaracion të duhur dhe nuk janë duke u shitur në kushtet e duhura mos t’i blejnë ato, sepse në këtë formë ata mund të rrezikojnë shëndetin e tyre’.

Lidhur me këtë temë, Radio Kosova ka kontaktuar zëdhënësen e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, për më shumë se 5 ditë. Në përgjigjen e saj ajo është arsyetuar se vazhdimisht është shumë e zënë më punë. Herën tjetër, ajo u përgjigj se ende nuk e kishte siguruar informatën nga zyrtarët e Inspektoratit komunal, dukë bërë kështu që dëgjuesit e Radio Kosovës të mbesin pa qëndrimin e zyrtarëve komunalë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera