Fokus

Në shëndetësi nuk ka grevë por bojkot të punës, flasin drejtuesit e klinikave, qendrave spitalore e sindikalistët

Autori: Xhejlane Kaçiu 20:13 | 18 January 2019

Greva e 11 mijë punonjësve të shëndetësisë, pjesë të Federatës së Shëndetësisë së Kosovës zyrtarisht ka përfunduar më 3 janar të këtij viti ndërsa rreth 220 specialistë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ende po e bojkotojnë punën.

Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës mori vendim që greva të ndërpritet më 3 janar pas takimeve premtuese e konstruktive me Kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Madje, Veseli i premtoi Federatës se çështja e ligjit të pagave do të zgjidhej brenda janarit.

-Advertisement-

“Më datën 29 ne kemi marrë ftesë nga Kryeministri dhe e jemi takuar me të ku kemi marr premtimet dhe kemi insistuar që Ligji i Pagave të shkoj me Ligjin e Buxhetit. Takimi ka qenë konstruktiv dhe premtues e pastaj kemi takuar edhe kryeparlamentarin. Një ditë para vitit të ri kryeparlamentari na ka premtuar që ligji do të kaloj brenda janarit. Pastaj është marrë vendimi për pezullimin e grevës për shkak të pacientëve, duke marrë parasysh se jemi në rrugë të mbarë për një marrëveshje” tha Blerim Syla, Kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Syla po ashtu shtoi se po punojnë për interesin e 11 mijë punonjësve të shëndetësisë që janë pjesë e Federatës, nga 14 mijë punonjës të shëndetësisë që ka gjithsej Kosova, dhe se një grup individësh prej 157 ose 220 janë bojkotues të punës, e jo grevistë.

Një grup i mjekëve të cilëve u prin  Arbër Morina nuk po e përfillin këtë vendim të pezullimit të grevës. Ata po vazhdojnë të bojkotojnë punën si kirurgë, duke mos realizuar asnjë intervenim i cili nuk është i natyrës urgjente.

Gazeta inFokus ka mësuar se nga 157 mjekë sa ishin më herët në grevë, tanimë numri është rritur në 220 specialistë të QKUK-ës.

“Asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket grevës së kirurgëve, përveç se mund të ju informoj se është shtuar numri i atyre që po e përkrahin këtë grevë e cila i ka kërkesat e njëjta” u shpreh Morina për gazetën inFokus.

Megjithatë, nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës thanë se në këtë institucion po trajtohen edhe rastet jo emergjente.

“Ka disa kirurgë që po organizojnë grevë jashtë organizimit sindikal. Puna dhe operacionet janë kryer normalisht, përfshirë edhe rastet jo emergjente në Klinikën e Gjinekologjisë, Kirurgji Vaskulare, Oftalmologjisë, ORL, Kirurgji Masksilofaciale dhe Neurokirurgji, Ortopedi, po ashtu operacione ka pasur në disa salla tjera operative” thuhet në njoftimin e Zyrës se SHSKUK-ut.

Madje sipas raportit 24 orësh të së mërkurës nga Klinika e Anestezionit, për 24 orë janë kryer 67 operacione në tërë QKUK-ën.

Edhe Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj kishte bërë një peticion për mbështetje të grupit grevistë të QKUK-ës.

Drejtori i këtij spitali Jeton Zeqiri tha për gazetën inFokus se greva e mjekëve të Spitalit të Ferizajt ka zgjatur vetëm 24 orë.

“Me datë 15.01.2019 një grup i mjekëve kanë bërë një peticion si mbështetje të grupit grevist të Ortopedisë dhe Kirurgëve pranë QKUK-së e cila më shumë ka qenë si një lloj solidariteti, ndërsa  me datë 16.01.2019 në grevë 24 orëshe  në Spitalin e Përgjithshëm kanë qenë vetëm Ortopedët. Mirëpo pas takimit me grupin e mjekëve ku i pranishëm ka qenë edhe këshilltari i lartë i Ministrit të Shëndetësisë, Ardian Ferizi i diskutuam të gjitha të arriturat dhe përpjekjet e ministrisë dhe u pajtuan që greva të pezullohet  duke i dhënë shansin seancës e cila do të mbahet me 31.01.2019 për ligjin e pagave. Andaj ju informoj se në spitalin e Ferizajit nuk ka grevë  dhe mbarëvajtja e punës zhvillohet normalisht” u shpreh Zeqiri.

Sipas prijësit të grevës së kirurgëve, Arbër Morinës edhe spitali i Mitrovicës, ai i Gjakovës dhe Gjilanit janë në grevë, por një gjë e tillë u mohua nga tri spitalet në fjalë.

“Nuk jemi në grevë, solidarizohemi me kirurgët e Prishtinës, që dallon nga greva, sepse në spitalin e Gjilanit po punohet rregullisht sepse ne nuk jemi në grevë” theksoi Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu.

Thuajse të njëjtën përgjigje gazeta inFokus e mori edhe nga Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës, megjithëse sipas drejtorit të këtij spitali, Ahmet Asllani mund të ketë ndonjë individ që e përkrahë grevën e kirurgëve të Prishtinës.

“Të gjitha llojet e shërbimeve janë kryer me rregull. Para tri ose katër ditëve kemi pasur diskutim me kirurgët e spitalit tonë, shefi i kirurgjisë dhe ai i grupit operativ kanë deklaruar se nuk janë në grevë. Mund të ketë ndonjë individ që nuk ka bazë as profesionale as juridike mund të thotë që është në grevë, por në Spitalin tonë nuk ka grevë” tha për gazetën inFokus, Ahmet Asllani, Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë.

E, Enis Istrefi i cili është ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Spitalin e Mitrovicës tha se mjekët kirurgë të Spitalit të Mitrovicës e kanë pezulluar grevën.

“Për shkaqe objektive dhe subjektive, për shkak të gjendjes në qytetin e Mitrovicës greva është pezulluar për një afat të pacaktuar”, konfirmoi Istrefi.

Sipas Arbër Morinës, edhe Klinika e Ortopedisë është në grevë, ndërsa gjatë tentimit për tu lidhur në telefon me Drejtorin e kësaj Klinike, Arbër Tolaj kuptuam se ai është në një operacion dhe prandaj nuk mund të jepte një përgjigje zyrtare.

Gazeta inFokus ka mësuar se edhe kirurgët e Klinikës së Ortopedisë i janë bashkuar grevës së të tjerëve dhe po ashtu aty kryhen vetëm operacione të cilat janë të natyrës emergjente.

Kirurgët grevistë po kërkojnë që paga e tyre të jetë në bazë të koeficientit 10, që i bie rreth 2 mijë e 390 euro në muaj nga 549 euro sa i marrin tani.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera