Në pritje të vizës për trajtim shëndetësor jashtë Kosovës
Autori: Gazeta inFokus 16:00 | 11 January 2018
Mospërfshirja e Kosovës në kuadër të zonës së lëvizjes së lirë, pa viza, po u kushton shumë qytetarëve, të cilët për nevoja të ndryshme duan të nisen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sfida më e madhe mbetet për pacientët të cilët nuk mund të marrin shërbimet shëndetësore brenda Kosovës dhe vihen në kërkim të shërimit jashtë vendit. Por, sfidë më vete, mbetet edhe pajisja e tyre me vizë.
Lendita (emri i njohur për redaksinë) është 31 vjeçare. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se ka probleme shëndetësore dhe i duhet të operohet jashtë Kosovës.
Përkundër kësaj, ajo thotë se i është refuzuar viza dhe rrjedhimisht i është kthyer trajtimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndonëse siç thotë ajo, posedon nënshkrimet e kolegjit të mjekëve se nuk mund të gjejë trajtimin adekuat në këtë institucion.
“Unë kam qenë në Qendrën Klinike Universitare për trajtim. E kam një sëmundje të rrallë në kokë e cila kërkon operim jashtë vendit. Me nënshkrimin e kolegjit të mjekëve unë kam marrë edhe konfirmimin se duhet të dalë jashtë vendit. Por, pasi kam aplikuar në ambasadën greke për vizë, meqë aty ka pasur termin më të afërt, mua më është refuzuar viza. Arsyet nuk i di. Më pas kam aplikuar prapë dhe jam në pritje. Ndërkohë jam kthyer në QKUK, pasi sëmundja kërkon të jetë nën kontrollin e mjekëve”, thotë Lendita.
“Jam në pritje, po pres një zgjidhje. Askush nuk të merr parasysh, as në QKUK e as në ambasada, edhe për raste të tilla si unë”, tha ajo.
Që institucionet shëndetësore në Kosovë t’i ofrojnë disa shërbime për të cilat pacientët detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla thotë se nevojiten investime.
Sipas tij, trajtimi i pacientëve jashtë vendit mbetet një avaz i vjetër, derisa shton se bazuar në hulumtimet e bëra, nga 150 deri në 200 milion euro në vit, qytetarët i shpenzojnë për këto shërbime.
“Qeveria e Kosovës ka harxhuar gjithashtu mbi 11 milionë euro për një vit. Mendoj se këto mjete do të duhej të shkonin në edukimin e vazhdueshëm të mjekëve, ndonëse ka mjekë të mirë, por që nuk kanë kushte të punojnë”, thotë Syla.
“Duhet të investohet në infrastrukturë dhe shumë trajtime të kryhen brenda Kosovës. Normalisht janë disa sëmundje që kërkojnë trajtim jashtë vendit, por që disa edhe do të mund të kryheshin në Kosovë me investime në sektorin e shëndetësisë”, thekson Syla.
Në anën tjetër, këshilltari për media i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi thotë se gjatë vitit 2017 kanë aplikuar 2.000 qytetarë për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, duke kërkuar përkrahje financiare. Sipas tij, për këto qëllime janë shpenzuar 13 milionë euro.
“Për 1.400 raste, Ministria e Shëndetësisë i ka bërë pagesat dhe pjesa tjetër do të mbulohet me kohë. Kjo shumë është rritur për dallim prej viteve të kaluara, pasi që ministria aktuale ka marrë një borxh për t’i mbuluar pacientët që kanë kërkuar ndihmë në mënyrë që ata të mos presin”, ka thënë Matoshi.
Me këto masa, ai beson se lista e pritjes është reduktuar ndjeshëm.
“Ne presim që këtë vit disa prej trajtimeve mjekësore të kryhen brenda Kosovës. Kjo me disa investime si në infrastrukturë, po ashtu edhe në stafin mjekësor, në mënyrë që pacientët të mos shkojnë jashtë vendit dhe të paguajnë shuma të mëdha parash për trajtime”, thotë Matoshi.
Sidoqoftë, përderisa institucionet shëndetësore dhe ministria planifikon që në të ardhmen të ketë më shumë trajtime në Kosovë, gjendja aktuale mbetet e vështirë për pacientët që presin para ambasadave të huaja për t’u pajisur me një vizë në kërkim të shërimit jashtë vendit.
Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon i papërfshirë në procesin e liberalizimit të vizave.
Të tjera
-
Kurti shpërblen sërish Adi Krastën me udhëheqjen e Festivalit të Këngës në RTK
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar mbi riemërimin e Adri...
-
Osmani: Shqiptarët e Amerikës, urë e fuqishme e aleancës Kosovë – SHBA
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se shqiptarët e Amerikës janë ur...
-
Nga QKUK-ja japin detaje për policin i cili u plag os në Zllakuqan në Klinës
Një polic u plagos në Zllakuqan të Klinës, derisa po intervenonte në një shtë...
-
Sveçla për policin e plagosur: Përgëzoj zyrtarin Januz Veselaj për reagimin profesional përkundër rrezikimit të jetës së tij
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas plagosjes së një...
-
Presidenti Italian: BE është në fazën më kritike
Presidenti Italian, Sergio Mattarella të enjten në mesazhin e tij për Ditën e...
-
Valchev: BE-në synon paqe
Objektivi kryesor i Bashkimit Evropian është që të gjithë në territorin e tij...
-
Incidenti në kishën e Zllakuqanit ku mbeti i plagosur një polic, reagon Sveçla
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, u tentua të kryhej vjedhje në kishën...
-
Problemi me valët, Telekomi jep një shpjegim për konsumatorët
Përgjatë ditës së enjte, janë raportuar probleme të shumta me valët tek numra...
-
Szunyog: Të punojmë dhe rregullojmë edhe më mirë raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, në ditën e Evropës, 9 majin, kë...
-
Dezinformatat për Gabriel Escobar, Qeveria mohon se lajmi për largimin e tij ka rrjedhur prej tyre
Qeveria e Kosovës ka mohuar se lajmi që qarkulloi në fundjavë për “shkarkimin...
-
Publikohem pamjet/ Alma Arrazi afër Bunës, tre fëmijët ndjekin për dore nënën drejt rrugës pa kthim
Këto janë momentet e fundit të jetës së 39-vjeçares Alma Arrazi dhe tre fëmij...
-
Vajzën ia vrānë në Fushë Kosovë, shpërthejnë në lot prindërit e Claras
Argjentinasja 27-vjeçare ka vdekur më 2 gusht pasi ka rënë nga kati i gjashtë...