Lajme

Në pritje të “ëndrrës amerikane”, afganët e harruar në hotelet e bregdetit shqiptar

Autori: Gazeta inFokus 16:00 | 20 November 2021

Me qindra afganë ndodhen të strehuar në hotelet e bregdetit shqiptar, por sa më shumë kohë kalon, aq më tepër shtohet edhe padurimi i tyre për të shkuar, atje ku u është premtuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një reportazh të Deutche Velle përshkruhet një copëz e këtij padurimi, siç ndodh edhe me Ahmadin, i cili paraqet një emër të pasaktë dhe nuk pranon të filmohet plotësisht, për shkak se më herët ka punuar për amerikanët në Agfanistan dhe tashmë i duhet të kalojë përditë para statujës së lirisë së një hoteli shqiptar, pa mundur të arrijë statujën origjinale.

“Nuk e dimë cili është statusi i aplikimit për azil, por na kanë thënë se po punohet. Një delegacion nga Kongresi Amerikan erdhi për të na vizituar, çka do të thotë shumë. Ata po punojnë për rastet tona dhe ne nuk duam të jemi të harruar”.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se pala shqiptare ka vetëm rol ndihmues në këtë proces.

“Tani për tani po marrim të gjitha masat dhe po ndihmojmë me procedurat tranzitore për ata, që do të largohen drejt SHBA-ve, por sigurisht që nëse çdokush prej tyre do të dëshironte ta bënte Shqipërinë shtëpinë e tij, kjo mundësi është e hapur. Në të njëjtën kohë po punojmë me procesin e vizave për ata që do të largohen. Organizatat humanitare amerikane kanë vetëm rol asistues, por jo vendimmarrës. Ne po i mbështesim ata këtu në Shqipëri, por nuk jemi sponsorë për viza”.

Shqetësimi i tyre kryesor është se ndihen të harruar këtu në Shqipëri dhe njëkohësisht nga qeveria amerikane. Amerikanët ndërkaq vijojnë procesin e mikpritjes së afganëve të evakuuar nga shtëpitë e tyre, siç ndodhi në fund tetor të këtij viti, në Utah, ku autoritetet strehuan një numër të madh personash, prej të cilëve kishte edhe afganë që kishin qëndruar në Shqipëri për disa muaj.

“Grupi im dhe 3 grupet e tjera përbëhen nga thuajse 400 afganë, të cilët u zhvendosën fillimisht drejt Pakistanit dhe më tej në Shqipëri, Greqi dhe vende të tjera, me qëllim që t’i mbanim të sigurt”.

Derisa të vijë dita kur Ahmadi ta arrijë ëndrrën e tij, do t’i duhet të kalojë ditët në hotel, pranë detit.

“Ne bëjmë shëtitje këtu në mëngjes. Është këndshëm”.

Të tjera