Lajme

Në Parlamentin Evropian dorëzohen pesë draft-rezoluta, në to kërkohet sanksionimi i Serbisë për sulmin në Banjskë

Autori: Gazeta inFokus 13:55 | 18 October 2023

Në Parlamentin Evropian janë dërguar pesë draft-rezoluta për ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Në draft-rezolutën e propozuar nga “S&D Group”, që përbëhet nga socialistët dhe demokratët i është bërë thirrje Bashkimit Evropian që “të ndryshojë urgjentisht politikën e saj zbutëse ndaj Serbisë”.

Po ashtu në pikën 13 të draft-rezolutës së “S&D Group” bëhet thirrje që masat e marra nga BE-ja ndaj Kosovës të hiqen menjëherë.

-Advertisement-

“Të heksohet rëndësia e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për rolin e saj në sulmin e 24 shtatorit 2023 dhe nevojën për të vendosur masa negative kundër Serbisë”.

“Të shprehet keqardhje për faktin që gjykata e Beogradit refuzoi thirrjen e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Beogradit për ndalimin e Milan Radoiçiqit, për shkak të rrezikut të arratisjes së tij, duke pasur parasysh se Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023”, thuhet në draft-rezolutën e socialistëve dhe demokratëve, transmeton KlanKosova.tv

Draft-rezolutë në Parlamentin Evropian ka dorëzuar edhe grupi politik pro-evropian, të cilët i kanë bërë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të saj të përgatisin sanksione kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë duke u bazuar në gjetjet e hetimit.

Po ashtu, në draft-rezolutën e këtij grupi i është bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet e saj për ta izoluar Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare.

“Shprehim keqardhje që Serbia ka rifilluar fushatën e çnjohjeve ndaj Kosovës; i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj ose duke e përjashtuar vendin nga organizatat ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në draft-rezolutën e këtij grupi.

Draft-rezolutë ka dorëzuar edhe grupi i “Të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane”, grup ky që përbëhet kryesisht nga parti politike të gjelbra dhe regjionale.

Ky grup në Parlamentin Evropian ka dorëzuar një draft-rezolutë prej 24 pikash, ku në pikën 2 kërkohet që të gjithë autorët e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë, teksa ka përmendur edhe sulmet gjatë muajit maj ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

“Kërkojmë që të gjithë autorët e këtij sulmi terrorist të sillen para drejtësisë pa vonesë, përfshirë edhe në Serbi. Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të majit 2023 kundër ushtarëve të KFOR-it, policëve dhe gazetarëve kosovarë; u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të nxjerrin para drejtësisë të gjithë autorët e këtyre sulmeve të mjerueshme”.

Po ashtu, i është bërë thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës që të marrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Banjskë ose në sulmet e majit të vitit 2023, apo edhe nëse autoritetet serbe s’janë të gatshme që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës.

“I bëjmë thirrje Komisionit, në këtë kontekst, të ngrijë fondet e dhëna Serbisë sipas programit IPA, nëse gjetjet e hetimit tregojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këto sulme”, thuhet në draft-rezolutë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ky grup politik në Parlamentin Evropian, në draft-rezolutë ka shprehur shqetësimin nga provat që lidhin grupet kriminale në veri të Kosovës me shtetin e Serbisë.

“Shpreh shqetësimin e thellë, në këtë kontekst, se të gjithë ata që janë përgjegjës për përleshjet në Banjskë mund të mos sillen para drejtësisë”, thuhet tutje në draft-rezolutë.

Në anën tjetër, Kosovës i është kërkuar themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015”.

Agresionin në Banjskë e ka dënuar edhe grupi i Kosnervatorëve dhe Reformistëve Evropianë që vijnë nga qendra e djathtë.

Por, të njëjtit në draft-rezolutën e cila përbëhet nga nëntë pika, kanë kërkuar të hetohet Serbia dhe të mbahet përgjegjëse për veprimet e grupit terrorist.

Ky grup është shprehur se i mbështet thirrjet për zgjedhje në veri të Kosovës “dhe inkurajon autoritetet që të zbatojnë të gjitha politikat e nevojshme për të siguruar zgjedhje të drejta, demokratike dhe paqësore”.

Ndërsa, draft-rezolutën e pestë në Parlamentin Evropian e ka dërguar grupi më i madh dhe më i vjetër në parlament i quajtur “PPE”, që është grup i qendrës së djathtë.

PPE-ja e ka dënuar fuqishëm inkursionin terrorist në Kosovë dhe sulmin kundër policëve të Kosovës në Banjskë, teksa ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të dyfshojnë përpjekjet e tyre “për të parandaluar kontrabandën e armëve në vend, e cila po bëhet duke përdorur autoambulanca dhe objektet e kishës që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe në veri të Kosovës”.

“Dënojmë strehimin e autorëve të inkursionit të armatosur në veri të Kosovës, si dhe çdo propagandë për ta, glorifikimin e veprimeve të tyre apo mbështetjen politike për ta”.

“Dënojmë përpjekjet e vazhdueshme ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në Serbi dhe Kosovë, duke shfrytëzuar ndarjet kulturore, etnike dhe fetare dhe duke destabilizuar forcat pro-demokratike; dënojmë, në këtë drejtim, përfshirjen e mundshme ruse në sulmet e Banjskës”, thuhet në draft-rezolutën e PPE-së.

Po ashtu, PPE-ja i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian “që të vendosë masa kufizuese ndaj udhëheqjes serbe, nëse konfirmohet përfshirja e saj në sulmin në Banjskë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera