Lajme

“Ne nuk harrojmë”, protestohet kundër vendimit të Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

Autori: Gazeta inFokus 13:30 | 28 February 2024

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka protestuar para Pallatit të Drejtësisë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Protestuesit mbanin në duar pankarta ku kanë shkruar “Poshtë gjykatat patriarkale”, “Femicidin ta ndëshkojmë, jo ta rigjykojmë”, “Siguri dhe drejtësi për gratë”.

Bjeshkë Guri nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tej mase meqë përtej këtij rasti reflekton një praktikë të shpeshtë në rastet e dhunës ndaj grave dhe femicidit, e cila e kthen rastin në pikën zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikuar që Marigonës t’i bëhet padrejtësi edhe për së vdekuri.

-Advertisement-

“Jemi mbledhur sot këtu pranë Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar edhe njëherë praktikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë i cili shtet duke na vërtetuar çdo herë e më shume se nuk funksionon për gratë, duke ua pamundësuar atyre çfarëdo lloj drejtësie. Vendimi i Gjykatës se Apelit që ta dërgojë ne rigjykim lenden e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tej mase, meqë përtej këtij rasti reflekton një praktike e shpeshte në rastet e dhunës ndaj grave dhe femicidit, e cila e kthen rastin në piken zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe duke rrezikuar që Marigonës t’i behet padrejtësi edhe për se vdekuri”, tha ajo.

“Përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike në vetvete, nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore. Një sugjerim i tillë e rivendose theksin tek motivet e vrasjes dhe jo akti për çka për ne është e papranueshme. Tutje, është shqetësuese se si Gjykata e Apelit asnjëherë nuk e adreson qasjen problematike te Gjykatës Themelore në trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale. Dhunimi seksual është detyrimi në kryerjen e aktit seksual pa dhënien e pëlqimit. Mirëpo Gjykata Themelore nuk e ka të qartë se çka do të thotë kjo, dhe gabimisht nxjerrë konkluzione duke u mbështetur vetëm në provat e lëndimit fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit”, tha tutje ajo.

Më 23 shkurt, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dënuar nga Themelorja për vrasjen e Marigona Osmanit.

Në gusht të vitit të shkuar, Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Sejdiu me 15 vjet për ndihmë në vrasjen e rëndë.

Në aktvendimin e Apelit bëhet e ditur se është aprovuar ankesa e mbrojtësve të të akuzuarve. Me këtë rast është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Ferizajt. Krivaça dhe Sejdiu do të mbeten në paraburgim deri në vendimin tjetër të gjykatës së shkallës së parë. Apeli ka vlerësuar se dispozitivi i shkallës së parë është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore.

18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça. Në aktgjykim e Themelores qe theksuar se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.

Dy të akuzuarit qenë liruar nga akuza për dhunim, pasi gjykata nuk ka arritur që ta konstatojë dhunimin me asnjë provë.

Familjarët e viktimës ishin ankuar se dënimi i Sejdiut ishte i ulët.

Rasti pati tronditur opinionin publik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera