Opinione

Në kujtim të 2 Korrikut 1990

Autori: Gazeta inFokus 15:06 | 02 July 2021

Ditë historike në themelet e lirisë dhe të shtetit të pavarur të Kosovës

“Pjesë nga fjala e mbajtur në simpoziumin shkencor Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut, organizuar nën patronatin tim në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës, mbajtur më 2 korrik 2010 për nder të 20 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese. Atë ditë në një ceremoni organizuar në sallën e seancave në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputetëve që shpallën Deklaratën Kushtetuese për Pavarësisë e Kosovës më 2 korrik të vitit 1990 dhe që miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, ua dorëzova dekoratat “Medalja e Artë të Pavarësisë” me të cilën ata i kishte dekoruar Presidenti Ibrahim Rugova më 2 korrik 2004”.

“…Sot është vërtet një ditë e veçantë për Kosovën, jo vetëm në kujtesën dhe përkushtimin tonë që të flasim për të, por për faktin se flasim për një nga zhvillimet më të rëndësishme të dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

-Advertisement-

Është e veçantë se pikërisht më 2 korrik 1990, Kosova hyri në një rrugë të rëndësishme të zhvillimeve dinamike në procesin për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Duke pasur parasysh zhvillimet e vitit 1989, por edhe të gjitha zhvillimet e mëhershme, kulmi në artikulim të ndjenjës së lirisë erdhi në momentin e 2 korrikut të vitit 1990.

Kjo datë dhe kjo ngjarje e rëndësishme, bashkë me kurajën e të gjithë njerëzve në ide por edhe në aksion, ka dy rrafshe të veçanta të kundrimit me peshën e saj. E para është artikulimi politik i vullnetit të qytetarëve të Kosovës që të jetojnë të lirë në një maturi të shprehjes së formulës e cila do të avancohej në esencën e saj dhe në thellësi më tej dhe, e dyta, vënia e themeleve të shtetësisë së Kosovës në kuptimin formal-juridik dhe kushtetues.

Deklarata Kushtetuese për pavarësinë e vendit e vitit 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut, për aq sa e kanë peshën e tyre politike, ishin jo vetëm prelud, por edhe një fuqi lëvizëse e inspirimit të vazhdueshme, si emocion dhe si aksion, në të gjithë periudhën e mëtejshme të lëvizjes për liri dhe pavarësi dhe në të njëjtën kohë një sheshim i qartë para botës demokratike e cila e kundronte thellë Kosovën se çfarë pozicioni ajo ka dhe çfarë pozicioni donë të ketë në ecjet e mëtejshme.

Nëse sot e shikojmë nga distanca, që është më e mira për shkencën, sepse edhe misioni juaj është ky, do të bëjmë analizën më të mirë për të ardhur te konstatimet e drejta dhe të qëndrueshme që kanë qenë të kohës, në pjesën e kohezionit politik, të zhvillimit të ideve të vazhdueshme për shtetësinë e Kosovës por edhe në pjesën e mos kontestimit dhe të hegjemonizmit të plotë të qytetarëve të Kosovës për këtë ndjenjë të fuqishme të lirisë.

Protagonist të asaj periudhe është Presidenti Rugova, është Akademia e Shkencave dhe e Arteve, janë edhe njerëzit që kanë votuar në atë ditë me kërcënimin e madh, por janë edhe fëmijët që kanë shkuar në vite të vështira të mëvonshme në shkollë duke bartur mbi supe rrezikun e madh e të vazhdueshëm që kanë pasur mbi kokë ata dhe familjet e tyre por nuk janë tërhequr asnjëherë.

Paralelisht është vërejtur nga të gjithë ata që Kosovën e kanë dashtë dhe të cilët kanë investuar që ajo të ecë në rrugën e lirisë, se vërtetë njerëzit e saj e kanë njëmend.
…Në atë kohë, është punuar në Prishtinë, në Prizren, në Drenicë, në Karadak, në Shtutgart, në Nju Jork dhe gjithkund në një dell të përbashkët për t’i dhënë fuqi proceseve të vazhdueshme në përpjekjeve për liri deri në kohën kur lufta u bë e pashmangshme, andaj edhe u bë lufta e UÇK-së, sepse një popull kur të vendoset me supe për muri, me krejt pjesën e rezistencës dhe shpalosjes së vizionit të tij se nuk do gjakderdhje me askënd, megjithatë ka të drejtën e mbrojtjes dhe e drejta e mbrojtjes buron nga e drejta e natyrshme që në radhë të parë të jetë i lirë.

Ajo që është nxjerrë në frymën e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës ët vitit 1990, studiuesit do ta thonë edhe më mirë sesa unë, është një përmbledhje e mirë e asaj fryme, qoftë e para dy apo tre shekujve, që i gjejmë te deklarata mbi të drejtat dhe liritë e qytetarëve te përgatitja franceze për revolucion por që esencialisht e gjejmë në Deklaratën për Pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të 4 korrikut të vitit 1776.

Me përjashtim të nuancave, të gjitha motivet nga Deklarata që jep të drejtën e popullit amerikan që të jetë i lirë, po ato motive kanë qenë në jetën në sprovën në vuajtjet dhe në ambicien e popullit të Kosovës.

Dëshiroj të përgëzojë të gjithë njerëzit e Kosovës, ata që pa hezitim kanë votuar më 2 korrik të vitit 1990 edhe ata që kanë përgatitur itinerarin e lëvizjes strategjike të deputetëve të asaj kohe, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Ajo ditë ka ndarë Kosovën në dy epoka të veçanta, në një epokë të vështirë në të cilën nuk është ditur shumë për Kosovën dhe në një epokë, që përcjellë me referendumin e vitit 1990 dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1992 dhe me proceset e mëvonshme ka shpalosur tërësinë e saj”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera