Opinione

Në kufijtë e krizës

Autori: Gazeta inFokus 13:48 | 12 September 2018

Që nga sot, KoSSev me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë nis rubrikën e re, “Në kufijtë e krizës”, në kuadër të faqes Dialogu. Në muajt në vijim, redaktori i Radio Gorazhdecit, Darko Dimitrijeviq, dhe kryeredaktori i Gazetës inFokus, Zekirja Shabani, do të shkëmbejnë qëndrimet mbi çështjet aktuale të popullit serb dhe shqiptar dhe marrëdhëniet e tyre reciproke. Kolumnat do të publikohen edhe në gjuhën shqipe në portalin Gazeta inFokus. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe mendimet e vetë autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e redaksisë së KoSSev-it dhe donatorëve.

Meqenëse ky është teksti i parë në të cilin bashkëbiseduesi im i nderuar dhe kolegu Zekirja Shabani dhe unë e hapim debatin mbi temat dhe problemet me të cilët ballafaqohen serbët dhe shqiptarët në Kosovë, po shkruaj disa fjalë për veten time pasi dua të theksoj të gjithë absurditetin e kufijve për të cilët, fatkeqësisht, flitet shumë edhe këto ditë.

Kam lindur në vitin 1984 në Pejë, në RSFJ-në e asaj kohe, një federatë e madhe, krijesë e komunizmit. Pas gjashtë vjetësh, shteti filloi të shkatërrohej kështu që unë pushova së jetuari në të dhe më 1992 u bëra banor i RF të Jugosllavisë. Periudha në vijim u shënua nga luftërat, të cilat, duke marrë parasysh moshën time, nuk i mbaj mend shumë. Saktësisht dhjetë vjet më vonë, që nga viti 2003, kam përjetuar që të mos jem më jugosllav, por ta kem një shtet të ri, të tretin: Federatën e Serbisë dhe Malit të Zi. Dhe në fund, që nga viti kur u shpërbë edhe ky shtet, nga viti 2006, ja ku isha – duke jetuar në Serbi. Kështu kam jetuar për dy vitet e ardhshme e deri në vitin 2008, deri në shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

-Advertisement-

Tani, nëse do të më pyeste dikush ku jetoj, unë me të vërtetë nuk do ta dija përgjigjen e saktë. Ndonjëherë kam përshtypjen se serbët nga Kosova, pronësinë ndaj të cilëve e marrin edhe Beogradi edhe Prishtina, ndërsa më shpesh bindem se i pengojmë. Dhjetë vjet më vonë, këtë vit 2018, kjo ndjenjë që i pengojmë dikujt me përcjell ende. Në jetën e përditshme gjej shpesh veten në situata që e konfirmojnë këtë.

Ndjenja se po pengojmë më ndjek madje edhe kur Aleksandër Vuçiq flet për demarkacionin ose, siç e quan Hashim Thaçi korrigjimin e kufijve, e deri te ato probleme me të cilat ballafaqohen bashkëkombësit e mi, të cilat administrata e Kosovës nuk dëshiron t’i zgjidhë.

Duke pritur Presidentin Vuçiq që të mbajë fjalimin e tij historik në veri të Kosovës dhe Presidentin Thaçi që për disa ditë të përcaktojnë, ndoshta, një formë të re të shtetit në të cilën do të jetoj, kam përshtypjen se nuk flasim më për problemet esenciale, jetësore.

Kam raportuar për një problem të tillë para pak ditësh. Problemi është i madh, por askush nuk dëshiron ta zgjidhë atë. Ndërsa mezi dëgjojmë për këto probleme në media, meqenëse temat janë komplekse, zgjidhjet nuk vërehen në horizont, kështu që mediat thjesht nuk merren me to. Nuk e di i respektuari Zekirja nëse jeni të njoftuar me faktin se në Kosovë rreth 200.000 qytetarë të moshës madhore, të cilët kanë lindur këtu, nuk mund të ushtrojnë të drejtën e shtetësisë, respektivisht të marrin letërnjoftimin e Kosovës.

Në përpjekje për të gjetur se çfarë e shkaktoi këtë, shkova fillimisht te organizatat joqeveritare, për të kuptuar më mirë informacionet që ato disponojnë. E në të vërtetë nuk kisha nevojë të largohesha më larg nga fqinjët e mi, këtu në Gorazhdec, sepse rreth meje jetojnë shumë njerëz që kanë ndier “përfitimet” e këtij problemi. Mund t’i listoja të gjithë, por lista dhe përshkrimet do të ishin shumë të gjata.

Të gjithë ata kanë lindur në Kosovë, disa madje edhe pas vitit 1999, por prindërit pas lindjes nuk i kishin regjistruar në Regjistrin e GjendjesCivile (shërbimin e ofiqarisë) të Kosovës në kohën e UNMIK-ut. Kjo mbeti kështu deri më sot. Sot, ata gëzojnë “të drejtë” të posedojnë vetëm letërnjoftimet administratës së Kosovës në sistemin e Serbisë, të ashtuquajturës – Drejtoria Koordinuese. Për sistemin e Kosovës ata janë të padukshëm, ata nuk ekzistojnë, edhe pse, janë këtu, janë rritur pranë meje, në vendin tim, kemi mësuar bashkë në banka shkollore dhe kemi luajtur basketboll.

E, tani do të thoni – kjo është e pamundur! Ligji thotë, nëse jeton pesë vjet në Kosovë dhe mund ta dëshmosh këtë, ke të drejtën e shtetësisë. Megjithatë, ligji nuk thotë kush ulet në anën tjetër të sportelit. Ndërsa nga ajo anë – ajo që vendos – shpesh është e ulur urrejtja. Dhe kjo është e vetmja arsye pse ata nuk mund ta zgjidhin problemin.

Nuk ka më asnjë shpjegim tjetër. Isha dëshmitar kur një të ri, i cili dëshironte të regjistrohej në regjistrine qytetarëve dhe kishte bashkangjitur letërnjoftimin e parë nga viti 1999, pastaj librezën e nxënësit – dëshmi se ka lindur dhe ka jetuar në atë qytet para se të bëhet refugjat – për një arsye nëpunësi e kishte udhëzuar te shefi, ndërsa shefi, pa asnjë shpjegim kuptimplotë refuzoi ta regjistronte në librat e shtetësisë dhe të lindjeve.

Dhe këtu vetëm fillojnë problemet e këtij të riu të shkretë, i cili, në asnjë mënyrë nuk është një qytetar me të drejta të plota, i barabartë, por gjithmonë i shtypur. Pasi nuk ka dokumente të Kosovës, nëse policia e ndalon atë, gjë që shpesh ndodh, ai mund të tregojë vetëm patentë shoferin e lëshuar nga administratat e qyteteve kosovare në Serbi. Policia sigurisht kupton thelbin e problemit, por konfiskon një patentë të tillë dhe pastaj shqipton një dënim për ngasje pa patentë shoferi.

Pse është fajtor njeriu i zakonshëm për këtë? Kujt dhe çka ka bërë keq për ta keqtrajtuar dhe poshtëruar? Pse i mohohet liria e lëvizjes nëse Beogradi dhe Prishtina kanë arritur marrëveshje për këtë problem, ndërsa Bashkimi Evropian iu ka uruar këtë? Kush është bashkëbiseduesi im i cili do të mund të zgjidhte këtë? Dhe çfarë do të bëje ti, Zekirja im i nderuar, në situatën nëse dikush në familjen tënde do të ishte i sëmurë dhe do të të duhej urgjent me veturë, pasi nuk ka transport tjetër, me shku nga Gorazhdeci për Pejë për ilaçe?

E nesër, kur Vuçiqi dhe Thaçi pajtohen që shteti në të cilin jetoj të marrë një formë të re në harta gjeografike, a do të zgjidhen këto probleme apo a do të jenë edhe më të theksuara? A do të kujdeset dikush për këta njerëz apo do të shpërndahen nga shakullina e vendosjes së kufijve etnik?

Pasi e përfundova raportin tim, njëjtë si në këtë tekst, kishin mbetur shumë pyetje të hapura që tregojnë se në Kosovë jemi larg nga demokracia dhe respekti për të drejtat themelore të njeriut.

Meqë ky është artikulli i parë, kolegu i nderuar Zekirja, pres të lexoj qëndrimet e juaja për këtë problem të madh, për të cilin nuk flet askush, as në shoqërinë civile shqiptare e as në media.

 

Darko Dimitrijeviq është kryeredaktor i radios “Gorazhdec” në Kosovë. Jeton dhe punon në vendin me emër të njëjtë. Për shumë vjet merret me gazetari. Prej vitit 2008 deri në vitin 2014 ishte drejtor i Asociacionit Medial të Kosovës. Është drejtor i programit të OJQ-së “Qendra për të Drejtat e Komuniteteve Pakicë” dhe anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete në dy mandate. Çmimet: “MillanPantiq” për guximin, të cilin e ndan VeçernjeNovosti, çmimi “DimitrijeDavidoviq”, për redaktim, të cilin e ndan UNS.
(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera