Lajme

Në Kosovë, përdorues të marihuanës edhe 12 vjeçarët

Autori: Gazeta inFokus 10:46 | 29 April 2017

Përdorimi i substancës narkotike të llojit heroinë, kohët e fundit, ka shënuar rënie të përdorimit nga të rinjtë e Kosovës, për dallim nga vendet e tjera të botës, ku thuhet të ketë pasur rritje të përdorimit të saj.

Sipas studiuesve në Universitetin Kolumbia të SHBA-së, numri i amerikanëve që përdorë heroinë është pesëfishuar në dekadën e fundit dhe mosha e përdoruesve është ndërmjet 18 deri në 44 vjeç.

Por, në Kosovë në tre vjetët e fundit nuk është shënuar asnjë rast që të rinjtë të kenë kërkuar ndihmë mjekësore për përdorim të heroinës, ka deklaruar Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë.

-Advertisement-

Megjithatë, thotë ai, substancat e tjera narkotike kanë shënuar rritje në përdorim dhe marihuana tashmë përdoret edhe nga fëmijët e moshës 12-vjeçare.

“Sa i përket drogës së llojit heroinë, në Kosovë ka rënë dukshëm trendi i përdorimit. Sipas të dhënave tona, tre vjetët e fundit nuk e kemi asnjë rast të përdoruesve të heroinës. Janë shkëputur gjeneratat e vjetra, që kanë përdorur heroinë, nga këto të rejat. Kjo është interesante te ne, pasi heroina është trend në rritje në botë, derisa te ne ka shënuar rënie. Mirëpo duhet pasur kujdes në programe parandaluese që të mos na rikthehet”, thotë Blakaj.

Sipas tij, rënia e numrit të përdoruesve të heroinës ka ardhur pas shtimit të aktiviteteve për parandalim të përdorimit të heroinës dhe njëkohësisht edhe angazhimit të Policisë së Kosovës.

“Mirëpo, janë rritur përdoruesit e drogave tjera, sidomos marihuana. Mosha mesatare e fillimit të cilësdo drogë është 16 vjeç. Por, ka raste kur me marihuanë fillojnë me 12 vjeç, pra fëmijë ndonëse janë raste të rralla. Derisa kalojnë me droga tjera në moshën 21 vjeçare”, shton Blakaj.

Autoritetet e rendit thonë se për dukurinë e luftimit të trafikimit me narkotikë kanë zhvilluar plane strategjike, të cilat siç thonë janë treguar të suksesshme.

Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se policia ka shtuar aktivitetet për parandalimin e trafikimit të narkotikëve.

“Policia e Kosovës, bazuar në planin strategjik zhvillimor, një rëndësi të veçantë i ka kushtuar luftës së trafikimit me narkotikë ku bën pjesë edhe heroina. Policia ka arritur që brenda kësaj periudhe kohore të vitit 2017 të realizojë një sërë planesh konkrete, ku nga janari deri në prill të konfiskojë mbi 28 kilogramë heroinë. Kjo tregon se rezultatet janë të larta, duke marrë parasysh periudhën e shkurtër dhe sasinë e konfiskuar”, shpjegon Kelani.

Kosova ndodhet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe për shkak të pozitës gjeostrategjike, sipas ekspertëve të fushës, bën pjesë në rrugën ballkanike të transportimit të substancave narkotike, qoftë me origjinë nga Lindja drejt Perëndimit apo anasjelltas.

Kosova është konsideruar vend transit për trafikimin e drogës dhe jo destinacion i saj, thonë autoritetet e rendit, një pohim i bazuar edhe në raportet ndërkombëtare për aktivitetet e grupeve të njohura si trafikues me substanca narkotike. /rel/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera