Lajme

Në komunat që drejtohen nga AAK-ja nis mësimi

Autori: Gazeta inFokus 15:07 | 21 January 2019

Pavarësisht vendimit të SBASHK-ut për të mos pranuar ofertën e kryeministrit Ramush Haradinaj për ngritje të pagave prej 20 milionë euro në vit, disa shkolla kanë mbajtur mësim.

Unike në këtë aspekt nuk u treguan as shkollat e katër komunave të cilat thanë se do të filluan procesin mësimor qysh sot.

E nëpër të gjitha këto komuna, Kryetarët vijnë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

-Advertisement-

Në Junik dhe në disa shkolla të Deçanit ka filluar mësimi ditën e sotme. Ndërsa të dy këto udhëhiqen nga kryetarë që vijnë nga radhët e partisë së kryeministrit. E thirrje për të filluar mësimin pati edhe në Obiliq dhe Rahovec.

Ndërsa, më të organizuara dolën të jenë shkollat e Junikut.

I pari i kësaj komune, Agron Kuçi, ka thënë se gjatë ditës së sotme po zhvillohet mësimi në të gjitha shkollat.

“Në Junik ka filluar mësimi në të gjitha shkollat. Më vjen keq për kolegët në Prishtinë. Megjithatë ne e kemi obligim që të vazhdojmë me procesin mësimor”, u shpreh ai.

Ndonëse një numër nxënësish iu ishin rikthyer bankave në komunën e Rahovecit, i pari i kësaj komune, Smajl Latifi thotë se mësimi nuk ka filluar.

“Kanë shkuar disa nxënës, por ka qenë pozicioni i Sindikatës. Ne iu kemi bërë thirrje me fillu procesin mësimor. Përgatitjet janë bërë të gjitha. DKA ka komunikuar me drejtorët e shkollave, me kryetarin e Këshillit grevist. Ne jemi kanë të përfshimë me qëllimin më të mirë të mundshëm, për me fillu procesin, por nuk di ç’të them”, bëri të ditur ai.

Ai tha se gjatë ditës së sotme do të mbajnë edhe një takim të përbashkët me të gjithë drejtorët e shkollave, në mënyrë që të arrihet që të fillojnë sa më parë mësimin.

Ndërsa, në komunën e Deçanit bëhet e ditur se disa shkolla kanë vazhduar grevën, e disa të tjera kanë mbajtur mësimin.

Dafina Cacaj, shefe e kabinetit të kryetarit të kësaj komune, ka thënë se grevat vazhduan në shkollat ku kishte anëtarë të SBASHK-ut.

Ndonëse ishte edhe komuna e Obiliqit  në mesin e atyre që deklaruan se do të nisin procesin mësimor, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kryetari, Xhafer Gashi ka bërë të ditur se janë duke bërë përpjekje me Drejtorinë e Arsimit dhe me SBASHK-un që ditën e nesërme të fillojnë mësimin.

Në anën tjetër, SBASHK-u ka zhvilluar takime në komuna të ndryshme të vendit, derisa pritet që më vonë të dal edhe me një komunikatë për medie.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera