Lajme

Në dy nga policët e lënduar në veri u gjetën pjesë të mjeteve shpërthyese që u hodhën nga serbët

Autori: Gazeta inFokus 17:59 | 13 October 2021

Të katër policët e lënduar gjatë aksionit të Policisë dhe Doganës të Kosovës në veri të vendit kundër kontrabandimit të mallrave, janë liruar në gjendje stabile.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka dhënë detajet për gjendjen e tyre.

“Në bazë të informatave që kemi pranuar nga ekipet mjekësorë të Qendrës Emergjente janë paraqitur katër zyrtarë policor të cilët tashmë janë liruar në shtëpi dhe gjendja e tyre është stabile. Ata kanë shenja të lehta në trup dhe u janë bërë kontrollet e tyre”, tha Krasniqi.

Krasniqi tutje tha se nuk ka rrezik që mund të sillet ndonjë zyrtar tjetër nga spitali i Mitrovicës.

“Tani për tani jemi në kontakt me Spitalin e Mitrovicës dhe nuk kemi ndonjë informatë që mund të sjellët ndonjë person tjetër i lënduar”.

Lidhur me gjendjen e pjesëtarëve policorë ka folur edhe mjeku kujdestar, Leutrim Hajdari, i cili tha se tashmë ata do marrin trajtimin e duhur shtesë në shtëpitë e tyre.

“Fillimisht zyrtarët policorë janë trajtuar në Spitalin e Mitrovicës, ndërsa për trajtim të mëtutjeshëm kanë ardhur këtu tek ne. Në bazë të ekzaminimeve të bëra dhe analizave ku në fund ka dalë që të gjithë janë në gjendje stabile ndërsa dy prej tyre është vërejtur që kanë pasur trupa të huaj në trupin e tyre si pasojë e mjeteve shpërthyese tek njëri në regjionin e kokës dhe tjetri në parakrahun e djathtë. Tashmë të gjithë janë liruar”.

Të tjera