Lajme

Në 25-vjetorin e themelimit, vlerësohet lartë roli i BQK-së

Autori: Gazeta inFokus 10:50 | 15 November 2024

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) sot shënon 25-vjetorin e themelimit të saj. Për një çerek shekulli të ekzistimit, është vlerësuar lartë roli i BQK-së si institucion kredibil dhe i ruajtjes së stabilitetit financiar në Kosovë.

Për të shënuar këtë përvjetor, sot në Prishtinë u mbajt një konferencë ku morën pjesë mysafirë të shumtë dhe guvernatorë të bankave qendrore nga vende të ndryshme.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e madhe të rolit të BQK-së për sistemin financiar në vend.

-Advertisement-

“Sot është një rast i veçantë që jemi mbledhur për të shënuar një përvjetor të rëndësishëm në historinë e republikës sonë, atë të themelimit të BQK-së. Ky përvjetor lidhet me perspektivën e progresit dhe qëndrueshmërisë së popullit tonë. Kur shikojmë 25 vjet më parë, ne po dilnim nga hiri i një regjimi të Millosheviqit dhe u përballëm me shumë sfida. Ne kemi ndërtuar vendin nga hiçi,” tha Osmani.

Sipas saj, themelimi i BQK-së ka qenë një nga pikat kritike për vendin. Ajo përmendi arritjet e shumta, përfshirë anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore (BB), etj.

Kurse shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, përmes një videomesazhi, përgëzoi BQK-në për këtë përvjetor. Ajo përkujtoi themelimin e BQK-së 25 vite më parë, duke theksuar se adoptimi i euros nga Kosova krijoi një trajektore të qartë për vendin. Sipas saj, sektori bankar në Kosovë është profitabil dhe i qëndrueshëm.No description available.

Kurse Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se është me rëndësi që sot BQK po feston përvjetorin e 25-të të themelimit të saj.No description available.

“Kosova është përballur me shumë sfida,” tha ai, duke shtuar se gjatë këtyre viteve Kosova është anëtarësuar në organizata financiare ndërkombëtare si FMN, BB, BERZH, etj. Ai përmendi gjithashtu se Kosova pritet të anëtarësohet në SEPA, një hap që do të kursejë miliona euro. “Udhëtimi i Bankës sonë Qendrore që nga fundi i luftës në 1999 ka qenë i jashtëzakonshëm. Duke dalë nga hiri i luftës, Kosova u përball me sfida të mëdha në rindërtimin e ekonomisë së saj, përfshirë mungesën e një infrastrukture funksionale financiare. Në vitet e para, Kosovës i mungonte një sistem bankar qendror funksional dhe sektori bankar praktikisht nuk ekzistonte. Por, përmes vizionit të liderëve të Kosovës, përkushtimit të BQK-së dhe mbështetjes së fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, ne i tejkaluam këto sfida dhe ja ku jemi sot,” përfundoi ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Risi në foleja.com! Prej 49.99€ bleni dyshekët Nouve Blanc dhe përfitoni transportin falas me DHL
-Advertisement-

Të tjera