Lajme

Ndryshon projekti i rrugës Prishtinë – Podujevë, nënkalimet zëvendësohen me rreth-rrotullime

Autori: Gazeta inFokus 14:45 | 07 October 2021

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë thënë se kanë bërë disa ndryshime në projektin e rrugës nacionale Podujevë-Prishtinë, shkruan Gazeta Infokus.

Ai ka thënë se ekipet profesionale të Ministrisë së Infrastrukturës, pas analizave të bëra, kanë ardhur në përfundim që të ndryshohen disa faza. Ai ka thënë se janë hequr nënkalimet që kanë qenë të parapara të ndërtohen dhe të njëjtat, sipas Durmishit, do të zëvendësohen me rreth-rrotullime, në mënyrë që projekti të përfundojë në periudhë më të shkurtër kohore.

“Nënkalimet të cilat kanë qenë të parapara për automjete janë hequr nga projekti dhe janë zëvendësuar me rreth-rrotullime dhe është shtuar edhe një rreth-rrotullim shtesë në këtë rrugë. Arsyeja është për shkak se siç e dini parashihet të ndërtohet edhe autostrada Besi-Merdare dhe në momentin kur të përfundojë autostrada kjo rrugë nuk do ta ketë këtë fluks të madh të automjeteve, sepse automjetet me pesha të larta dhe ato që kalojnë transit do ta shfrytëzojnë autostradën”, tha ai.

-Advertisement-

Durmishi ka shtuar se këto punime kanë qenë të planifikuara të përfundojnë pas dy vitesh, por të njëjtat, siç ka thënë ai, do të kryhen në fund të nëntorit.

“Janë bërë edhe disa ndryshime, si ndërtimi i urës, mbrojtëset dhe këto do të kryhen brenda kontratës. Kemi bërë edhe një plan të ri dinamik për zhvillimin e punimeve. Deri në fund të tetorit do të përfundojnë shumica e punëve këtu, si ndërtimi i urës dhe dy shtresat me asfalt. Gjatë nëntorit do të punohet në përfundimin e mureve mbrojtëse dhe shtresa e fundit e asfaltit. Ky segment i rrugës me 4.2 kilometra në fund të nëntorit do të jetë e përfunduar në tërësi”, ka thënë Durmishi.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ka pasur ngecje në këtë projekt, derisa u shpreh i bindur që tashmë me dinamikën e re ky projekt do të përfundojë shumë shpejtë.

“Do të shkohet me rreth-rrotullime dhe besoj që ky do të na përshpejtojë këtë punë dhe si projekt ndoshta do të arrijmë më shpejt ta përmbyllim me sukses. Për ndryshe unë e kam besimin e plotë që qeveria jonë bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës tash e tutje do të azhurnojnë të gjitha punët dhe angazhimin e tyre që procesin ta përmbyllim sa më shpejt që është e mundur, për arsye se ne po e shohim që nevojat e qytetarëve janë shumë të mëdha për këtë rrugë. Por njëkohësisht edhe numri i automjeteve të cilat qarkullojnë përditë në këtë arterie rrugore është jashtëzakonisht i lartë dhe nevoja ka qenë ndoshta e kamotshme që të përfundohet”, tha Bulliqi.

Punimet në këtë magjistrale kanë nisur në vitin 2016, kur ministër i Infrastrukturës në ato kohë ka qenë Lutfi Zharku, ndërkohë që të njëjtat ende s’janë përfunduar./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera