Ndryshimi bëhet me vepra e jo me fjalë

Autori: Gazeta inFokus
14:31 | 31 January 2023
Qytetarët e çdo vendi në fund të ditës e vlerësojnë veprimin e një qeverie e jo se çfarë mendon ajo, sepse është veprimi ai që prek drejtëpërdrejtë jetën e tyre jo mendimet. Prandaj, qeveritë – ashtu sikurse individi – mbahen mend për veprat e tyre, qofshin ato të mira apo të këqija. Mund të kesh mendimet më të mira në botë, por kur s’ke veprime, s’ke bërë asgjë. Për të ndërmarrë veprime që përmirësojnë jetën e qytetarit duhet para se gjjthash vizion, guxim e veprim asesi propagandë e fjalë shterpe.
E për t’i bindur qytetarët që kjo qeveri vërtetë është për ndryshim dhe shpëtim të republikës siç vazhdimisht kishte trumpetuar, pse kjo atëherë as edhe njëherë të vetme prej se erdhi në pushtet s’i kërkoi bashkëpunim e mbështetje opozitës aktuale për t’i shfuqizuar që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Serbi përfshirë Zajednicën dhe Demarkacionin me Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi?! Ose para se të shkonte me shfuqizim, pse nuk i dërgoi që të gjitha marrëveshjet me Serbi në kushtetues dhe nëse do të kishte pasur shkelje, t’i rishikonte dhe pse jo shfuqizonte që të gjitha. Bile dërgimin e tyre në kushtetuese ka mundur ta bëjë pa ndihmën e opozitës.
Sikur qeveria aktuale t’i kishte kërkuar mbështetje opozitës qoftë edhe njëherë të vetme për shfuqizim marrëveshjesh me Serbi dhe kjo e fundit ta kishte refuzuar atë, atëherë qytetarët do të ishin bindur që kjo qeveri vërtetë e paska pasur përnjëmend kur kishte premtuar se do ta bënte ndryshimin dhe shpëtimin e republikës nga marrëveshjet që – siç i quante – të dëmshme me Serbi. Vetëm atëherë qytetarët do ta kuptonim qartë kush është patrioti e kush tradhëtari, e jo si sot ku secili secilit i thotë patriot apo tradhëtar.
Por jo, një kërkesë të tillë qeveria aktuale asnjëherë s’ia ka bërë opozitës që prej se ka ardhur në pushtet, që i bie se kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbi e kishte vetëm propagandë të pastër për të ardhur në pushtet, asgjë më shumë. Dhe nëse qeveria aktuale s’e mori mundin as edhe njëherë të vetme t’i kërkonte opozitës bashkëpunim për shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbi, pse atëherë qytetarët do të duhej t’i besonin për atë që e thotë, fundja a s’është heshtja pranim?
Në qoftë se opozita aktuale sa ishte në pushtet paska bërë tradhëti kombëtare përmes marrëveshjeve të nënshkruara me Serbi, pra e paska shkelur sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e vendit, pse atëherë qeveria aktuale s’po i shfuqizon ato marrëveshje, ose së paku s’po kërkon rishikimin apo shfuqizimin e tyre, por përkundrazi po i zbaton ato një nga një siç ia dha pikë së pari menaxhimin e rrymës Serbisë në veri? Sikur qeveria aktuale mos t’ia jepte Serbisë edhe me letra menaxhimin e rrymës në veri, atëherë të gjithë do t’i besonin për premtimet e dhëna se s’do t’i zbatonte asnjë nga marrëveshjet e nënshkruara me Serbi nga pushtetet e kaluara.
Por, fakti që qeveria aktuale ia dha Serbisë menaxhimin e rrymës në veri, a s’përbëka argument të mjaftueshëm që kjo qeveri i ka thënë po edhe formimit të Zajednicës bashkë me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve tjera që deri dje i quante si tradhëti kombëtare?! A s’na bind kjo mjaftueshëm që zhurma që po krijohet kinse kundër Zajednicës po bëhet vetëm për ta shpërqendruar vëmendjen e publikut nga dorëzimi para bashkësisë ndërkombëtare (siç ndodhi edhe me pushtetet e kaluara) si dhe për t’i ruajtur votat që i mori nga kauza e Zajednicës.
A s’i ka marrë votat qeveria aktuale pikërisht për ndryshimin e madh të trumpetuar që sa kohë? Ndryshimi i madh do vendime politike të vështira, e jo vetëm propagandë pa vendime. Kur i thua vetes sovran dhe që vendos vetë për fatin tënd, pse atëherë s’i shfuqizon të gjitha marrëveshjet me Serbi përfshirë Zajednicën dhe Demarkacionin dhe menjëherë më pas të fillosh ndjekjen penale për tradhëti kombëtare ndaj të gjithë atyre që i nënshkruan dhe votuan marrëveshjet me Serbi nëse ato vërtetë e paskëshin shkelur sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e vendit?!
Nëse qeveria aktuale së fundmi i ka premtuar Lajçakut se do t’i zbatojë që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Serbi, a s’i bie kjo që qeveria tashmë i ka thënë po edhe Zajednicës, e cila ashtu siç po thotë qeveria, (sipas draft statutit të prezantuar së fundmi) së paku zyrtarisht nuk do të quhet një-etnike? Si ndodhi që një qeveri me 51% të votave sa ishte në opozitë i quante antikombëtare marrëveshjet me Serbi, e sot t’i pranojë të njëjtat për të mira, kur i ka të gjitha kapacitetet institucionale (Presidenten, Kryeministrin, Kryeparlamentarin dhe shumicën në Kuvend) për t’i rishikuar apo shfuqizuar ato siç vazhdimisht trumpetonte?!
Ç’kuptim ka atëherë protesta e sotme kundër Zajednicës pikërisht në ditën kur Ambasada e SHBA-së ka ftuar tërë spektrin politik, medial dhe të shoqërisë civile për të diskutuar për mundësitë e bërjes së Zajednicës? Pse të nxiten qytetarët kundër SHBA-së, kur është vetë qeveria ajo që u ka thënë po të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me Serbi, përfshirë Planin Franko-Gjerman bile pa njohje nga Serbia dhe 5 vendet mosnjohëse të BE-së?!
Sikur SHBA të ishte e interesuar për defunksionalizimin dhe zhbërjen e Kosovës s’do të kishte fare nevojë që atë ta bënte përmes Zajednicës. Fakti që e bëri Kosovën shtet për herë të parë në histori, tregon më së miri që SHBA s’ishte ashtu siç s’është e interesuar as sot e nesër ta defunksionalizojë e zhbëjë Kosovën, por përkundrazi po përpiqet fuqishëm që ta zhbllokojë, konsolidojë dhe fuqizojë atë ndërkombëtarisht. Sepse, sikur SHBA të dëshironte ta zhbënte Kosovën s’do të kishte fare nevojë për Zajednicë, sepse do të mjaftonte t’i tërhiqte ushtarët e saj nga Kosova dhe ta tërhiqte edhe njohjen, e pjesën tjetër pastaj do ta kryente Serbia për më pak se 48 orë. Sa për plane të Serbisë ndaj nesh jemi mjaftueshëm të vetëdijshëm, s’besoj që ka shumë nevojë për shpjegim.

Të tjera
-
257 policë u hetuan gjatë vitit 2022, 100 prej tyre u arrestuan
257 zyrtarë policor janë hetuar gjatë vitit 2022 nga Inspektorati Policor i K...
-
Albin Kurti flet për sulmin me armë zjarri ndaj Top Channel: Jam tronditur…
Kryeministri Albin Kurti në një lidhje direkte me emisionin “Wake Up”, ka...
-
Kurti për marrëveshjen në Ohër: Ka shumë mos kuptime, keqkuptime, keqinterpretime…
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka qenë mëngjesin e sotëm në një lidhje di...
-
Dje u anuluan pothuajse të gjitha/A po realizohen sot të gjitha fluturimet për në Gjermani nga ANP
Ditën e hënë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” për në Gjermani janë ...
-
Stano: BE-ja së shpejti bashkë me palët do të nisin zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
“Kosova dhe Serbia kontraktualisht janë të obliguara që ta zbatojnë marrëvesh...
-
“Range Roveri” me të cilin u krye sulmi ndaj Top Channel i ishte vjedhur një kosovari gjatë pushimeve
Policia shqiptare ditën e sotme ka bërë të ditur se vetura e tipit “Range Rov...
-
Britania dhe Polonia do të ndërtojnë fshatra të përkohshme në Ukrainë
Britania e Madhe dhe Polonia do të ndërtojnë dy fshatra të përkohshme në perë...
-
Plumbat ndaj Top Channel/ Policia zbardh dinamikën, 100 mijë euro shpërblim për kapjen e autorëve
Policia e Shqipërisë ka dalur me njoftim të ri pas sulmit me armë në Top Chan...
-
Dërgohen në mbajtje personat e dyshuar për tentim vrasjen në Graqanicë
Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë arritur të identifikojmë personat e dys...
-
Krerët e shtetit homazhe në Izbicë, Osmani: Liria erdhi falë viktimave dhe luftës së drejtë të UÇK-së
Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në komp...
-
Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Albulena Haxhiut: Në vend se të skuqet, sulmon Gjykatën
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar dorëheqjen e minsitres së ...
-
Rusia dështon ta kalojë propozimin në OKB për të hetuar sulmet e Nordstream
Rusia nuk arriti të fitonte vota të mjaftueshme të hënën në Këshillin e Sigur...