Lajme

Ndotja e ajrit në Shqipëri, 2120 vdekje brenda një viti

Autori: Gazeta inFokus 10:55 | 18 July 2017

Raporti i vitit 2016 për cilësinë e ajrit në Europë nga Agjensia Europiane e Mjedisit ka publikuar shifra të frikshme për vendin tonë sa i përket numrit të vdekjeve të parakohshme si pasojë e ndotjes së ajrit.

2.120 persona humbën jetën gjatë vitit 2016, prej të cilëve 2.010 ishin viktima të përqëndrimit të lartë të grimcave të imëta në ajër, 10 të përqëndrimit të dioksidit të nitrogjenit dhe 100 nga përqëndrimi i ozonit.

Krahasuar me vitin 2013, kur numëroheshin 776 të vdekur, kjo shifër thuajse është trefishuar.

-Advertisement-

Situata më alarmante në rajon paraqitet në Serbi, ku gjatë vitit 2016, kanë humbur jetën 10.730 persona për shkak të ndotjes së ajrit.

Ndërkohë, Mali i Zi mban rekordin më pozitiv në rajon me vetëm 660 vdekje sipas Raportit të Cilësisë së Ajrit, për vitin që lamë pas.

Raporti vëren se cilësia e ajrit në Europë i tejkalon vlerat e përcaktuara nga Bashkimi Europian, një trend që pritet të vijojë deri në vitin 2020, pavarësisht një përmirësimi të vogël përgjatë periudhës 2006-2014.

Agjensia Europiane e Mjedisit këshillon shtimin e përpjekjeve për të ulur vlerën e përqëndrimit të grimcave të dëmshme nën nivelet e përcaktuara nga vetë Bashkimi Europian.

Sipas këtij raporti, politikat efikase për rritjen e cilësisë së ajrit kërkojnë veprim dhe bashkëpunim jo vetëm në nivele rajonale apo kontinentiale, por në nivele globale, të cilat duhet të ndikojnë sidomos mbi sektorët ekonomikë dhe të përfshijnë publikun.

Agjensia Europiane e Mjedisit e sheh këtë bashkëpunim si të rëndësishëm dhe të nevojshëm për të arritur një mbrojtje të kapitalit natyror dhe mbështetje për zhvillimin ekonomik, social dhe të mirëqenies, pika të cilat janë pjesë e vizionit të Bashkimit Europian për vitin 2050 për jetesën e mirë brenda kufinjve të planetit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera