Lajme

Ndikimi i pushtetit të LVV-së në KEK – punësohen ish-këshilltarët e Vitisë dhe Hajdarit

Autori: Gazeta inFokus 19:56 | 11 November 2021

Milot Podvorica, një aktivist politik dhe ish-këshilltar i Arben Vitisë në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka provuar tri pozita të ndryshme pune brenda një viti.

Këtë ia kanë mundësuar lidhjet e tij me pushtetin aktual të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për herë të fundit, në fillimin e këtij viti ai u emërua në pozitën e ushtruesit të drejtorit të Zyrës Ligjore të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka mësuar Gazeta Online Paparaci.

-Advertisement-

Ishte rikthyer në KEK pas rënies së Qeverisë Kurti I, ku ishte punësuar në kabinetin e Arben Vitisë, ish-ministrit të Shëndetësisë.

Paraprakisht, Podvorica ishte emëruar këshilltar politik brenda kabinetit politik të Vitisë gjatë mandatit të parë të Qeverisë Kurti. Emërimi i tij ishte vendosur në prill, 2020.

Por, edhe para se të kalonte në kabinetin e ish-ministrit Vitia, ai kishte punuar në KEK – prej nga kishte kaluar në qeveri. Për rreth shtatë vite kishte punuar në Divizionin e Zyrës Ligjore në korporatë.

Siç ka mësuar mediumi online Paparaci, emërimin e fundit të tij si udhëheqës të Zyrës Ligjore të KEK-ut e nënshkroi Përparim Kabashi, ish-ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të korporatës.

Në të njëjtën kohë të punësimit të Podvoricës, në KEK u punësua edhe Riza Dembogaj, një njeri i afërt me pushtetarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Dembogaj u caktua në pozitën e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Koorporatës nga Bordi aktual.

Sipas një konkursi publik, më 4 tetor 2021, Bordi aktual i KEK-ut emëroi në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv, Nagip Krasniqin, një ish-këshilltar i ministres aktuale të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Paparaci, ka siguruar dy komunikime elektronike të Krasniqit, që dëshmojnë shërbimin e tij në kabinetin e ministres Hajdari.


Krasniqi, është pjesë e Korporatës Energjetike të Kosovës prej më shumë se dhjetë vitesh. E kaluara e tij nuk është edhe aq e pastër.

Në vitin 2008, ai ishte vënë në hetime nga Njësia e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, siç kishte raportuar Radio Televizioni i Kosovës.

Emri i tij ishte nxjerrë në një publikim të Gazetës Express, si njëri prej të dyshuarve që po hetoheshin për keqpërdorime të pretenduara në korporatë.

Bashkë me të, nën hetimet ishte edhe Et’hem Çeku, ish-funksionar i KEK-ut, që më vonë ka shërbyer si dekan i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës.

Paparaci i ka shkruar të mërkurën Korporatës Energjetike të Kosovës, për t’i pyetur në lidhje me emërimet e të lartpërmendurve, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje. /Paparaci.com/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera