Lifestyle

Ndiheni të lodhur e s’keni pikë fuqie? Ja çfarë duhet të dini

Autori: Gazeta inFokus 14:27 | 19 September 2021

Të gjithëve na ka ndodhur të ndihemi të lodhur, por çfarë kuptojmë me lodhje? Lodhja është simptomë që arrijmë ta përshkruajmë dhe ta ndjejmë. Nuk është sëmundje në vetvete.

Lodhja është një term që përdorim për të shpjeguar një gjendje mungese energjie, një ndjesi përgjumjeje dhe qënien inaktive e të pamotivuar. Përgjumja mund të jetë shkak i lodhjes, por nuk janë e njëjta gjë.

Kemi të bëjmë me dy tipe lodhjeje:

-Advertisement-

1. Fizike: Përfshin dobësi muskulare. Individi shfaq vështirësi në kryerjen e aktiviteteve normale ditore si, p.sh.: ngjitja e shkallëve.

2. Mendore: Individi ka vështirësi të përqendrohet dhe të kryejë detyrat që i ngarkohen. Ai mund të ndihet i përgjumur ose mund të ketë vështirësi në qëndrimin zgjuar gjatë punës.

Cilët janë shkaktarët e vërtetë të lodhjes?

Shkaktarët e lodhjes mund t’i kategorizojmë në:

Shkaqe mjekësore
Shkaqe që lidhen me stilin e jetesës dhe punën që bëjmë.
Shkaqe psikologjike
1. Shkaqet mjekësore

Sëmundje të ndryshme si: anemia, diabeti, tensioni i lartë, sëmundjet e zemrës, obeziteti, probleme me tiroidet, sëmundjet e mëlçisë, të veshkave, dhembja kronike, infeksione të shumta – mund të japin lodhje.
Shtatzënësia, problemet me elektrolitet, defiçencat e vitaminave dhe mineraleve në organizëm.
Përdorimi i disa medikamenteve si antidepresantët, antihipertensivët, statinat, antihistaminikët, hipnotikët mund të japë lodhje. Vlen për t’u theksuar se ndërprerja e medikamenteve apo dhe ndryshimet e dozave mund të japë lodhje.
2. Shkaqe që lidhen me stilin e jetesës dhe punën që bëjmë.

Shqetësimet me gjumin (mungesa e gjumit, por dhe fjetja më shumë se sa i nevojitet trupit të njeriut).
Konsumimi i alkoolit dhe drogave.
Mungesa e aktivitetit të rregullt fizik.
Dieta e varfër ose e pabalancuar.
Puna me turne.
Stresi në vendin e punës.
Puna jashtë orarit, nën presion apo edhe papunësia.
3. Shkaqe psikologjike

Depresioni.
Ankthi dhe stresi.
Ndjesitë e keqardhjes.
Si diagnostikohet?

Që ta trajtojmë siç duhet, duhet bërë një diagnozë të saktë, e cila mund të jetë e vështirë, pasi shkaqet dhe simptomat ndryshojnë dhe nuk janë specifike.

Nëse, pavarësisht përpjekjeve të bëra nga ana jonë për të pushuar, për të reduktuar stresin apo për të ndryshuar stilin e jetesës përmes një diete të ekuilibruar, lodhja zgjat për më shumë se 2 javë, këshillohet një konsultë me mjekun patolog.

Fillimisht mjeku mund të kërkojë analiza dhe teste të ndryshme për të përjashtuar shkaqet mjekësore.

Si mund ta trajtojmë?

Nuk ekziston një terapi specifike për trajtimin e lodhjes.

Zakonisht trajtohen shkaktarët e saj dhe, në mungesë të një patologjie të përcaktuar nga ana e mjekut, një stil jetese i shëndetshëm është thelbësor për t’u ndjerë në formë.

Aktiviteti fizik është i rëndësishëm i kombinuar dhe me një dietë të shëndetshme, e cila duhet të jetë e varfër në karbohidrate të rafinuar dhe e pasur me fruta perime, në mënyrë që të plotësohen nevojat e organizmit me vitaminat e mineralet e duhura.

Në raste specifike mund të përdorim edhe suplemente me vitamina e minerale.

vitaminat e grupit B ndihmojnë në transformimit e ushqimeve në energji për trupin,
vitaminat A dhe C kanë efekte antioksidante,
magnezi dhe kaliumi janë të rëndësishëm për kontraktimet muskulare dhe metabolizmin.
Kombinimi i gjumit të mirë, konsumimit të sasisë së duhur të ujit dhe reduktimit të stresit, ankthit, depresionit përbën zgjidhje për ndjesinë e lodhjes.

/Dr.Irma Kuka

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera