Sport

Ndërtimi i Stadiumit Kombëtar të Kosovës vazhdon të mbetet vetëm projekt në letër

Autori: Gazeta inFokus 20:35 | 05 May 2021

Pothuajse janë bërë dy vite që nga prezantimi i projektit për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës, por një gjë e tillë ende nuk ka filluar.

Ky stadium i cili është planifikuar të ketë vend për 30 mijë tifozë ka mbetur vetëm projekt në letër.

Por, një gjë e tillë siç duket do të vazhdojë edhe këtë vit, pasi që as qeveria aktuale nuk ka një plan konkret se kur do të fillojnë ndërtimin e këtij stadiumi mjaft të nevojshëm.

-Advertisement-

Paper Radio ka kontaktuar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të cilët treguan se ende nuk kanë planifikuar fillimin e ndërtimeve.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke e krijuar një pasqyrë më të mirë të gjendjes së sektorit të sportit, politikave në këtë segment dhe investimeve kapitale që janë bërë deri më tani. Pasi të përfundojë ky proces, ne do të dalim me qëndrimet dhe qasjen tonë për këtë segment të rëndësishëm të ministrisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu tha se ndërtimi i këtij stadiumi është mjaft i rëndësishëm edhe për imazhin e vendit.

“Unë mendojë që stadiumi nacional i cili tani është edhe obligim ligjor duhet të jetë një ndër prioritetet sepse momentalisht kemi vetëm një stadium, stadiumin e Prishtinës i cili është mjaft i ngarkum dhe nuk është më i miri i mundshëm, kështu që do të ishte edhe për imazhin e Kosovës ndërtimi i stadiumit shumë i rëndësishëm”, tha Salihu.

Eroll Salihu tregoi se a ka rëndësi edhe lokacioni se ku do të ndërtohet stadiumi kombëtar i Kosovës.

“Për neve nuk është me rëndësi se ku ndërtohet por është me rëndësi të ndërtohet sipas kritereve që kërkon UEFA dhe të merret vendimi që të ndërtohet sa më shpejtë”, deklaroi Salihu.

Duke e pasur parasysh se ndërtimi i këtij stadiumi ka mbetur vetëm projekt, Kombëtarja e Kosovës vazhdon që ndeshjet si vendas t’i zhvillojë në stadiumin e qytetit të Prishtinës, “Fadil Vokrri”.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera