Ndërron jetë senatori John McCain
Autori: Gazeta inFokus
08:00 | 26 August 2018
Senatori amerikan, John McCain, gjashtë herë senator republikan nga Arizona dhe hero i luftës që ka duruar gati gjashtë vjet torturë dhe robëri në burgun famëkeq Hanoi Hilton, ka vdekur në moshën 81-vjeçare.
I njohur për qëndrimin luftarak gjatë gjithë dekadave në Senat dhe për dy përpjekje të dështuara për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, McCain ka vuajtur nga kanceri në tru.
Ai ka qenë i rrethuar nga familja dhe miqtë në Arizona në ditët e fundit, ndërsa ka ndërruar jetë pas publikimit të librit të tij të fundit “Vala e shqetësimit: Kohët e mira, kauzat e drejta, luftërat e mëdha dhe vlerësimet e tjera”.
Në librin e tij, McCain ka pranuar se nuk ka ide se sa kohë i ka mbetur për të jetuar, porse kjo nuk e ka ndaluar të godasë presidentin aktual, Donald Trump, të shprehë keqardhje për zgjedhjen e ish-guvernatores së Alasakës, Sarah Palin, si kandidate për zëvendëse të tij në fushatën e vitit 2008, si dhe të shprehë shqetësime për reputacionin ndërkombëtar të vendit të tij.
Për kohë të gjatë kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, McCain është konsideruar ekspert në çështje të mbrojtjes dhe të politikës së jashtme.
McCain ka lindur në Stacionin Detar Solo Coco të Panamasë më 29 gusht, 1936, në një familje me histori të thellë ushtarake.
Duke ndjekur gjurmët e babait dhe të gjyshit të tij, të dy admiralë me katër yje, ai ka diplomuar në Akademinë Detare në Anapolis, në vitin 1958.
Më pak se një dekadë më vonë, ai është dërguar në Vietnam, ku aeroplani i tij është goditur në Hanoi.
Pavarësisht dy duarve të thyera, gjurit të thyer dhe torturës së vazhdueshme, McCain i ka refuzuar ofertat për lirim të parakohshëm nga robëria, duke thënë se ai do të largohet vetëm kur i burgosuri i fundit amerikan të dalë nga dera.
“Kam rënë në dashuri me vendin tim kur kam qenë i burgosur në vendin e dikujt tjetër”, ka thënë McCain kur ka pranuar emërimin e Partisë Republikane për kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.
“I kam dashur Shtetet e Bashkuara për dinjitetin e tyre, për besimin në urtësinë, drejtësinë dhe mirësinë e popullit të tyre. I kam dashur sepse nuk kanë qenë vetëm një vend, por një ide, një kauzë për të cilën duhet luftuar. Nuk kam qenë kurrë i njëjti përsëri. Nuk kam qenë i vetes sime më, kam qenë i vendit tim”, ka thënë McCain.
Por, ai ka vazhduar të jetë vetja e tij.
Si senator, ai i ka sfiduar presidentët, pavarësisht përkatësisë partiake, nëse e ka ndjerë se politikat e tyre nuk janë në përputhje me pikëpamjet e tij. Në sytë e publikut, ai është transformuar nga hero i luftës në ikonë politike, duke fituar reputacionin e një rebeli.
Gjatë mandatit të tij të parë në Kongres, ai është ngritur kundër presidentit Ronald Reagan, një republikan i respektuar deri më sot, për shkak të vendimit të tij për t’i vendosur marinsat paqeruajtës në Bejrut me kapacitete të kufizuara mbrojtëse.
Shqetësimet e McCainit kanë qenë me vend, pasi një sulmues vetëvrasës ka hedhur veten në erë në kazermë, duke vrarë 241 marinsa në tetor të vitit 1983.
Nami i tij është rritur derisa vazhdimisht ka sfiduar presidentin tjetër republikan, George W. Bush, në lidhje me shkurtimet e taksave, akuzat për tortura dhe strategjinë e SHBA-së në Irak.
McCain ka qenë po aq i ashpër edhe me udhëheqësit e Partisë Demokratike.
Ai ka qenë një nga kritikët më të ashpër të politikës së jashtme të presidentit Barack Obama. Ai ka vënë në pikëpyetje vendimin e tij për të tërhequr trupat nga Iraku dhe refuzimin e tij për të mos tërhequr “vija të kuqe” në Siri, pasi presidenti i këtij vendi, Bashar al-Assad, ka përdorur armët kimike kundër popullit të tij.
Gjërat kanë ndryshuar pak edhe kur republikani Donald Trump ka marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2017.
McCain është vënë në rolin e kundërshtarit kryesor të presidentit. Të dy ata janë përplasur shpesh publikisht në lidhje me politikën e jashtme, sidomos sa i përket Sirisë, Rusisë dhe Kinës.
Trump, i cili vazhdimisht nënçmon republikanët dhe demokratët që e kritikojnë, e ka quajtur McCainin “jokompetent”. Si kandidat, Trump është tallur me McCainin, duke thënë se “ai është hero i luftës, sepse është zënë rob”. Trump, i cili kurrë nuk ka shërbyer në ushtri, ka thënë se i pëlqen “njerëzit që nuk janë zënë robër”.
Në skenën ndërkombëtare, McCain ka qenë i njohur për qëndrime të drejtpërdrejta dhe për gjuhën e thjeshtë që i ka bërë shpesh çështjet e vështira politike më të lehta për t’u kuptuar.
Ai ka qenë mbështetës i fuqishëm i anëtarësimit të vendeve të Evropës Lindore në NATO.
Në prill të vitit 2017, McCain ka vizituar Malin e Zi dhe ka thënë se anëtarësimi i këtij vendi në aleancën perëndimore ushtarake është jetik për stabilitetin rajonal dhe përpjekjet e përbashkëta të aleatëve perëndimorë për t’i rezistuar një Rusie të rilindur.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë në një intervistë të publikuar më 8 qershor të vitit 2017 se McCain – kritikues i tij, i cili ka thënë se Putin është kërcënim më i madh për botën sesa grupi ekstremist Shteti Islamik – jeton në “Botën e Vjetër”.
McCain po ashtu i është referuar Rusisë si “stacion gazi që maskohet si shtet”. Megjithatë, Putin ka thënë se e admiron patriotizmin e McCainit.
McCan ka lënë prapa gruan e tij Cindy, me të cilën ka qenë i martuar për 38 vjet, dhe pesë fëmijë./rel/.

T� tjera
-
Përparim Rama poston video me AI duke e dribluar Kurtin, Dejonën e Muratin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka postuar në TikTok një video të gjener...
-
Pacolli takon drejtorin e ISA-së, diskutohen mundësitë e zhvillimit të energjisë diellore
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka zhvilluar...
-
Aksident i rëndë në autostradën në Prizren
Një aksident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në autostradën në Prizren. ...
-
Sekretari amerikan i Transportit: Ruteri që mund ta ketë shkaktuar kaosin në hapësirën ajrore po analizohet nga FAA e FBI
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, tha të dielën se Administrata Federale e...
-
SHSKUK: Katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues
SHSKUK njofton se katër punonjës janë suspenduar pas “evidentimit të parregul...
-
Në mesin e të arrestuarve për dr*ogë edhe ish- Ministri Astrit Haraqija, avokati: U intervistua për kontrabandim të narkotikëve
Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndalua...
-
Qytetarët kundërshtojnë projektin për Fontanën në Ulpianë
Fontana është një nga “monumentet” ikonike të lagjes së Ulpianës në kryeqytet...
-
Banda shqiptare e vjedhjeve në banesa goditet nga policia, 4 të arrestuar në Francë
Katër shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burg në Francë, pasi u shpallën f...
-
Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete për t’u përballur me kërcënimet e huaja
Shërbimet e brendshme dhe të jashtme të inteligjencës në Gjermani do të kenë ...
-
Abonime të fshehta, reklama mashtruese: BE-ja vepron
Kurthe abonimesh, taktika mashtruese të shitjes, funksione që i nxisin përdor...
-
Policia godet grupin e organizuar të trafikimit me kokainë në Prishtinë, arrestohen gjashtë persona
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar “Heshtja”, në kuadër t...
-
Osmani i reagon Haxhiut për Rugovën: Përpjekje për ta denigruar, gjatë 5 vjetëve liderë botërorë veç atë ma përmendën
Deputetia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur “përpje...






























