Lajme

Nderimi i viktimave të 11 shtatorit, Kurti: Kosova qëndron pranë SHBA-së, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit

Autori: Gazeta inFokus 10:23 | 11 September 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe zëvendës-shefen e Misionit të SHBA-së në Kosovë, Anu Pratipati, vendosën lule pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton” për të nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë përvjetor të sulmeve që tronditën botën, Kurti shprehu solidaritetin e Kosovës me familjet që humbën të dashurit e tyre, duke rikujtuar gjithashtu tre shqiptarë të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj, të cilët humbën jetën gjatë sulmeve.

-Advertisement-


“Para 23 viteve, 2977-të qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kullat Binjake, në Pentagon, në katër avionët dhe 403 zjarrfikës e policë, duke provuar t’i shpëtojnë ata, humbën jetën, ranë heroikisht dhe shënuan një datë e cila sot paraqet edhe një epokë të re, që prej atëherë, sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë, dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan e do të thosha secilit qytetar liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie që nuk diskriminon asnjeri. Në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë që gjithashtu i kujtojmë, të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj”, tha Kurti.

Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, duke nënvizuar miqësinë e fortë dhe partneritetin e vazhdueshëm të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

“Republika e Kosovës qëndron pranë SHBA-së në këtë ditë përkujtimi dhe thekson aleancën tonë të fuqishme në çdo aspekt, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit,” tha ai.

Ceremonia u zhvillua në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku përfaqësuesit e lartë nderuan viktimat me respekt dhe mirënjohje për heroizmin e zjarrfikësve dhe policëve amerikanë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera