Nderimet e fundit për Bob Dole, kush është shqiptari që qëndroi afër Presidentit Biden
Autori: Gazeta inFokus 10:31 | 10 December 2021
Dje janë bërë nderimet e fundit për mikun e madh të Kosovës, ish senatorin Bob Dole, i cili vdiq të hënën. Në ceremoninë e nderimit bashkë me Presidentin e ShBA’së, Joe Biden, Zonjën e Parë, Jill Biden, ka marrë pjesë edhe biznesmeni shqiptar, Jim Xhema.
Xhemail (Jim) Xhema është një veprimtar dhe biznesmen i dalluar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Xhema ishte takuar për herë të parë me Dole në vitin 1987, kur Dole ishte udhëheqës i Senatit.
Ai kishte deklaruar se Dole ishte ndër liderët e parë politikë amerikanë që tërhoqi vëmendjen për atë që po ndodhte në Kosovë.
Xhema kishte shkruar edhe një letër mirënjohje për senatorin, me rastin e ditëlindjes së tij të 98.
“Në ditëlindjen e 98-të të senatorit Dole – 22 korrik 2021 – kujtojmë dhe vlerësojmë lartë përpjekjet e tij kritike për të parandaluar agresionin serb, duke i dhënë drejtim ndërtimit të paqes dhe pavarësisë për Kosovën si një shtet sovran. Janë tri veprime konkrete të cilat e bëjnë të veçantë kontributin e tij për 30 vjet, sa ka shërbyer si Senator i SHBA-ve dhe Drejtues i Shumicës”, thuhet në letrën e tij.
Ndryshe, ish-senatori amerikan, Bob Dole, i cili vdiq në moshën 98-vjeçare, një pjesë të karrierës së tij ia kushtoi Kosovës dhe rrugës së saj drejt pavarësisë.
Ish-senatori amerikan, Bob Dole, veteran i Luftës së Dytë Botërore, vdiq më 5 dhjetor, në moshën 98-vjeçare.
I plagosur rëndë në luftë, Dole arriti të bëhej një nga personalitetet më të njohura të politikës amerikane. Ai shërbeu 36 vjet në Kongres. Ishte udhëheqës i Senatit dhe kandidat i Partisë Republikane për president.
Dole u angazhua aktivisht në çështjen e Kosovës dhe në procesin që çoi çlirimin dhe pavarësinë e saj.
Në gusht të vitit 1990, bashkë me gjashtë senator të tjerë, ai udhëtoi në Kosovë për të takuar përfaqësuesit e atëhershëm të shqiptarëve.
Kosova ishte nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit, me autonomi të suprimuar dhe nën gjendje të jashtëzakonshme, të vënë nga autoritetet në Beograd. Vizita e delegacionit amerikan ishte e para e tillë në Kosovë.
Mijëra shqiptarë, që kundërshtonin sundimin e Serbisë, u mblodhën jashtë hotelit ku do të qëndronin senatorët në Prishtinë, duke thirrur: “Liri”.
Protesta u shtyp nga njësitë e policisë me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Mesazhi i senatorit Dole ishte i qartë: Ne besojmë fuqishëm në demokraci, besojmë në liritë individuale dhe kundërshtojmë shkeljet e të drejtave të njeriut.
Në shtator të vitit 1998, Dole u kthye në Kosovë me një mission fakt-mbledhës, kohë kjo kur represioni i regjimit serb kundër shqiptarëve tashmë ishte intensifikuar.
“Edhe pse kemi parë disa raporte në television, është më keq seç kam pritur. Është e vështirë të besohet se njeriu mund t’ia bëjë këtë njeriut. Por, kjo ka ndodhur dhe duhet të marrë fund”, kishte deklaruar Dole.
Pas kthimit në Washington, Dole i bëri thirrje administratës së presidentit Bill Clinton që të veprojë, duke thënë se Serbia “është e angazhuar në sulme të mëdha dhe sistematike kundër popullit dhe territorit të Kosovës.
Në një artikull për gazetën Ëashington Post, më 14 shtator, 1998, Dole shkroi: Zyrtarët amerikanë janë zotuar se nuk do të lejojnë që krimet kundër njerëzimit, që kemi parë në Bosnjë, të përsëriten në Kosovë. Nga sa kam parë unë, krime të tilla tashmë po ndodhin”.
Në shkurt të vitit 1999, Dole bëri të ditur se ishte angazhuar nga administrata e presidentit Clinton për të ndihmuar në negocimin e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën.
“Më është kërkuar të ndihmoj. Mendoj se jam mik i shqiptarëve, mendoj se ata më besojnë dhe jam përpjekur të siguroj që Kongresi do t’i mbështesë përpjekjet e tyre… “, kishte deklaruar Dole.
Përpjekjet diplomatike, megjithatë, dështuan. Serbia refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të negociuar në Rambuje të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Më 24 mars të vitit 1999, NATO’ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe. Sulmet ajrore, që zgjatën 78 ditë, i dhanë fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Më pak se një muaj më vonë, Dole vizitoi Kosovën, e cila nga lufta kishte dalë më mbi 10 mijë veta të vrarë, mbi 800 mijë të zhvendosur dhe mbi 5 mijë të zhdukur.
“Kam ardhur këtu për gati dhjetë vjet, kështu që i njoh mjaft mirë problemet dhe i njoh kosovarët. Ata janë njerëz të mirë dhe shumë të lumtur që kanë pak liri. Do të bëhet më mirë”, kishte thënë Dole.
Më 30 gusht të vitit 2020, në një rrugë me emrin e ish-senatorit Bob Dole në Prishtinë u ngrit edhe busti i tij.
Në atë ditë, që shënonte edhe 30-vjetorin e vizitës së tij të parë në Kosovë, Dole shkroi në Twitter:
“Tridhjetë vjet më parë, unë dhe kolegët e mi kemi udhëtuar për herë të parë në Prishtinë. Askush nga ne nuk mund ta dinte se ky do të ishte fillimi i një rrugëtimi drejt pavarësisë për popullin e Kosovës.”
Postimin e fundit për Kosovën-shtet i pavarur qysh në vitin 2008- Dole e bëri pesë ditë para se të vdiste, teksa paralajmëroi një program të Institutit Dole për historinë e Kosovës.
“Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e Bekoftë Kosovën”, shkroi ai.
Dole ishte “një burrështetas si pak të tjerë në historinë tonë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden.
Dole vdiq dhjetë muaj pasi bëri të ditur se ishte diagnostifikuar me kancer në mushkëri. /Express/
Të tjera
-
Bedri Hamza thirrje diasporës: Regjistrohuni që të votoni dhe tregoni që Kosova mundet ma mirë
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, i ka bërë thirrje disaporës...
-
SHBA-ja thellësisht e shqetësuar me moscertifikimin e Listës Serbe
SHBA-ja ka shprehur shqetësimin për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisi...
-
Partia Socialdemokrate: Kurti e di që Lista Serbe do të certifikohet
Partia Socialdemokrate ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e di që Lista...
-
Me para të shtetit, Ministra Nagavci po organizon një tubim të madh me 26 dhjetor
Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë, Ardit Dobi ka reaguar kundër organ...
-
E trishtë: Ky është i riu që humbi jetën në vetaksidentin e rëndë në magjistralen Pejë-Prishtinë
Një vetaksident trafiku i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen ...
-
Bedri Hamza do ta themelojë Fondin e Bursave: 25 milionë euro çdo vit si bursa do u ndahen studentëve
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një takim edhe m...
-
“Partija Kosovskih Srba” e Aleksandar Jabllanoviq që Kosovës i referohet si “Kosovë e Metohi”, kalon në KQZ
Lëvizja Vetëvendosje e festoi si sukses të punës së saj moscertifikimin e Lis...
-
Vuçiq i “ankohet” Lavrovit në telefon: Kosova po përpiqet të ndalojë Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhje
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë një bisede telefonike me minist...
-
Restaurohet një nga shtëpitë tradicionale të Janjevës
Një nga shtëpitë tradicionale të Janjevës, ministria e Kulturës bën të ditur ...
-
Bedri Hamza premton ta themelojë Bursën e Kosovës si platformë të tregut të kapitalit
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një takim me biz...
-
Lista Serbe nuk u certifikua nga KQZ-ja, Basha: Hapet e pame, Gratë te LDK, burrat te PDK, AAK përcjell tek dera
Deputeti i Lëvizjes Vetvendosje, Dimal Basha është tallur me opozitën pasi Li...
-
Publikohet lista e 16 subjekteve politike me 626 kandidatë për deputetë që i certifikoi KQZ-ja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi edhe pjesën e dytë të subjeteve pol...