Lajme

Ndarja e 40 milionë eurove për KOSTT-in, Hoti: Menaxhimi i sektorit të energjisë nga ana e Qeverisë është kaotik

Autori: Gazeta inFokus 14:44 | 10 August 2022

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar nga vendimit të qeverisë Kurti për ndarjen e 40 milionë eurove për ndërmarrjen energjetike KOSTT, shkruan Gazeta Infokus.

Kjo ndarje e buxhetit erdhi me qëllim të pagesës së borxhit ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO-E).

E  në lidhje me këtë Hoti përmes një postimi në “Facebook”, ka pyetur qeverinë se me cfarë plani ndahen këto mjete e se a duhet ky vendim të sillet në  Kuvend sic edhe është vepruar vitin paraprak.

-Advertisement-

“40 milionë euro për KOSTT-in?! Me çfarë plani ndahen këto mjete? A duhet ky vendim të sillet në Kuvend siç u veprua vitin e kaluar?!  Fatkeqësisht, po dëshmohet çdo ditë se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe i krizës në veçanti nga ana e Qeverisë është kaotik. Në mungesë të vendimeve adekuate, sot i gjithë sektori energjetik është në situatë tepër të vështirë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai po ashtu tha se emergjenca energjetike e miratuar sivjet në Kuvend nuk përmban asnjë masë konkrete.

“Dimrin e kaluar, emergjenca energjetike u shpall në fund të dhjetorit, kur ishte tepër vonë për të intervenuar. Ndërkaq, sivjet u miratua një vendim para dy jave në Kuvend, por ai nuk përmban asnjë masë konkrete, përveç detyrave të rregullta që duhet të kryejë KEK-u pavarësisht këtij vendimi dhe thirrjet për kursim të energjisë. Procesi i rishikimit të tarifave nga ZRRE-ja në fillim të këtij viti krijoi kaos, sidomos pas një serie të vendimeve gjyqësore dhe paqartësisë dhe vonesave të Qeverisë lidhur me reagimet ndaj krizës energjetike. Në fund të sezonit dimëror, Qeveria nuk i zbatoi as zotimet e veta. Sot kompanitë kryesore energjetike, si KESCO, KEDS, KEK dhe KOSTT, kanë borxhe ndaj njëra tjetrës. Ato e kanë të vështirë të kryejnë edhe obligimet e tyre të rregullta, e lëre më të blejnë energji paraprakisht për dimër dhe të përgatiten për krizën që na pret”, shton ai./Gazeta Infokus/

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera