Opinione

Ndalu e prit! (Një leter pa adresë)

Autori: Arber Jashari 19:59 | 20 October 2020

Ndalu e prit!

(Një leter pa adresë)

Një ditë do shohësh se…

-Advertisement-

Duke u rritur ne shpenzojmë gjithçka nga vetja, energji, kohë e mund, për të marrë mësime. Hap pas hapi ne arrijmë edhe tituj e grada. Ama nga dita në ditë, kuptojmë se mësimet më të mira jeta na i jep falas. Mësime falas por shumë të kushtueshme. Vërejmë se në këtë botë sinqeriteti është në mungesë e miqësia e vërtetë në krizë. Dhe për ironi të fatit, shpesh i mësojmë të fundit gjërat. Kur miqësia është në krizë ç’të themi për aleancën, e paqëndrueshme, dyshuese, frikësuese. Ndaj më vjen të them që në një betejë të rëndësishme për ty, ata që i ke llogaritur si aleat,  mos i merr as në tribunë, ngase do i shohësh duke duartrokitur kundërshtarët e tu.

Me kalimin e viteve do ta shohësh se …. Njerëzit flasin më shumë sesa dinë, shprehën më tepër se sa ndjejnë dhe aktrojnë më bukur se sa në teatër. Disa syfaqësinë e kanë aq të hapur e disa të mbuluar me dhjetëra shtresa. Të tjerë… kur ju duhesh të kërkojnë, kur s’ju duhesh të harrojnë. Për të mos thënë kur ju duhesh të bien nën këmbë, e kur nuk ju duhesh te shkelin më këmbë.  Fatkeqësisht, do të zhgenjehesh shpesh nga njerëzit, të cilëve u ke bërë mirë. Ti iu bënë mire, ata të injorojnë. Ti iu bënë mire, ata të mohojnë. Ti iu bënë mire ata ta të luftojnë. Dhe kur të ngushtohen prapë vine tek ti, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe ti prapë ju bënë mirë.

Ja pra, e tillë është bota. Të tillë e gjetëm e si duket të tillë do e lëmë. Ndoshta ne jemi aq të vegjël për të përmirësuar këto huqe kaq të mëdha të njerëzimit. Megjithatë… Jeta rregullon çdo gjë. E ke dëgjuar shpesh të thuhet: “Bota sillet”. Po pra. Nëse ndjehesh i tradhtuar, mos u trishto. Ndalu e prit! Nëse ndjehesh i nënvlerësuar, mos u demoralizo. Ndalu e prit! Të është bërë e pa drejtë, mos u dorëzo. Ndalu e prit! Jeta do t’i jap gjithsecilit pjesën që i takon. Se kur do të ndodhin këto është çështje kohe. Ndaj të thash që më parë: “Ndalu e prit”.

Prishtinë, 20.10.2020.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera