Lajme

Ndahen 500 mijë euro për projektet për fuqizimin e të rinjve kosovarë

Autori: Gazeta inFokus 16:54 | 18 October 2019

Zyra e UNICEF-it në Kosovë bashkë me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), kanë nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 500 mijë eurove me qëllim të implementimit të projekteve që kanë për qëllim fuqizimin e mbi 7 mijë të rinjve kosovarë.

E shefi  i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka theksuar se me financimin e ADA-s, UNICEF-i do të forcojë mundësitë për adoleshentët e të rinjtë më të margjinalizuar që të zhvillojnë e udhëheqin projekte për të adresuar çështjet në komunitetin e tyre, shkruan gazeta inFokus.

“Kjo do t’i mundësojë të rinjve të jenë agjentë të ndryshimeve shoqërore për komunitetet e tyre “, ka thënë ai.

-Advertisement-

E sipas një komunikate, partneriteti mes UNICEF-it dhe ADA-s ka për qëllim që bashkë të kontribuojnë në forcimin e kurrikulës të bazuar në aftësi në kuadër të sistemit arsimor, por edhe të ofrojë tri zgjidhje digjitale për institucionet publike.

Përmes këtij partneriteti po synohet që të trajnohen 140 mësues, 60% prej tyre vajza, po ashtu si rezultat i projektit 2 mijë e 400 adoleshentë do të aftësohen me shkathtësi të shekullit 21.

Ndërsa, pritet të themelohen edhe 4 qendra të inovacionit social në katër rajone të Kosovës, me qëllim që të aftësohen 2 mijë e 200 adoleshent. E veç këtyre, do të themelohen edhe 8 nisma sociale përmes programeve StartUp, që i fuqizon të rinjtë dhe ofron mundësi për inovacion social e ndërmarrësi, përmes të cilit do të përfitojnë afro 400 të rinj për shkathtësi të buta e të transferueshme.

Ndërsa, 600 vajza e djem pritet që të përfitojnë aftësi në IT, shkruan gazeta inFokus.

“Pasi që jemi të vetëdijshëm që vajzat dhe djemtë me prapavijë të margjinalizuar vuajnë më shumë nga mungesa e arsimimit adekuat në sektorin e TIK-ut në Kosovë, dhe pasi që Agjenda 2030 premton të mos lërë askënd prapa, ne e kemi bërë si prioritet tonin kryesor që të kemi si target grup posaçërisht vajzat dhe djemtë që vijnë nga zona rurale ose komunitete të varfëra. Në total, bashkëpunimi ynë me UNICEF do të arrijë të mbështesë 7.100 të rinj të gjinisë femërore dhe mashkullore nga 14 deri në 24 vjeç. 653.738 Euro – 500.000 prej të cilave janë siguruar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim – do të ndihmojnë në përditësimin e sistemit zyrtar arsimor, institucionalizimin e shpërndarësve të inovacionit social dhe ofrimin e zgjidhjeve dixhitale për institucionet publike, tha shefi ekzekutiv i ADA-s, Ledolter.

Kjo është marrëveshja e tretë më radhë, në kuadër të parneritetit në mes të UNICEF-it dhe ADA-s në Kosovë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera