Lajme

NATO nuk ka rol në demarkacionin e kufijve

Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 08 June 2017

NATO nuk ka rol të drejtpërdrejtë kur bëhet fjalë për demarkacion të kufijve, as te shtetet e saj anëtare, as te shtetet e tjera; demarkacioni është çështje dypalëshe e vendeve të interesuara, tha aleanca veriatlantike.

Ajo i bëri këto komente në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a është e pranueshme për NATO-n që Mali i Zi, tani anëtar i saj, të hapë sërish çështjen e demarkacionit me Kosovën.

“Presim që të gjitha shtetet t’i zgjidhin çështjet e tilla në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

-Advertisement-

Në Kosovë kundërshtohet marrëveshja për demarkacionin e kufirit, të cilën Mali i Zi e ka ratifikuar.

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit parazgjedhor PDK-AKK-Nisma, ka thënë se nëse vjen në pushtet, do ta shfuqizojë këtë marrëveshje dhe do të nisë bisedime të reja me Malin e Zi.

Edhe kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar shqyrtimin e marrëveshjes.

Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për kufirin shtetëror në Vjenë në vitin 2015.

Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlament, ndërsa Kosova nuk ka pasur dy të tretat e votave të deputetëve, të domosdoshme për ratifikim.

Ligjvënësit kosovarë, nga pozita dhe opozita, kanë insistuar se me këtë marrëveshje, Kosova humb territor.

Demarkacioni i kufirit, në anën tjetër, është kusht për Kosovën që të avancojë në procesin e integrimit evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera