NATO-ja zotohet se do të ndihmojë Ukrainën “për aq kohë sa të ketë nevojë”
Autori: Gazeta inFokus 13:43 | 25 November 2022
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u zotua të premten se aleanca veri-atlantike do t’i ndihmojë Ukrainës të mbrohet në luftën kundër Rusisë “për aq kohë sa të ketë nevojë”.
Ai, gjithashtu, tha se NATO-ja do t’i ndihmojë vendit të shkatërruar nga lufta t’i transformojë forcat e armatosura në një ushtri moderne sipas standardeve perëndimore.
Në një konferencë për media para takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, që do të mbahet javën e ardhshme në Rumani, Stoltenberg kërkoi nga vendet anëtare që, ose individualisht ose në formë grupore, të vazhdojnë t’i ndihmojnë Ukrainës me armë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. NATO-ja, si organizatë, nuk dërgon armatim.
“NATO-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të ketë nevojë. Ne nuk do të tërhiqemi”, tha ish-kryeministri i Norvegjisë.
“Aleatët janë duke dërguar në mënyrë të paprecedentë mbështetje ushtarake dhe unë pres që ministrat e Punëve të Jashtme do të pajtohen ta rrisin edhe mbështetjen jo-vdekjeprurëse”.
Stoltenberg tha se anëtarët e organizatës 30-kombëshe të sigurisë i kanë ndihmuar Ukrainës me karburante, gjeneratorë, furnizime mjekësore, pajisje për dimër dhe pajisje për bllokimin e dronëve – veçanërisht tani që Rusia e ka sulmuar infrastrukturën e energjisë në Ukrainë.
“Në takimin tonë në Bukuresht, unë do të bëj kërkesë për edhe më shumë”, tha ai. “Në periudhën më afatgjate, ne do t’i ndihmojmë Ukrainës të kalojë nga pajisjet e kohës Sovjetike në standardet, doktrinat dhe trajnimet moderne të NATO-s”.
Stoltenberg tha se ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, do t’i bashkohet grupit të ministrave për të diskutuar rreth nevojave më urgjente të vendit të tij, por edhe të diskutohet se çfarë mbështetje afatgjate mund të ofrojë NATO-ja.
Shefi i NATO-s tha se kjo mbështetje do t’i ndihmojë Ukrainës drejt anëtarësimit në këtë aleancë në të ardhmen.
Takimi në Bukuresht, që do të zhvillohet më 29 dhe 30 nëntor, mbahet gati 15 vjet pasi NATO-ja u kishte premtuar Ukrainës dhe Gjeorgjisë se një ditë mund të bëheshin anëtare të kësaj organizate, premtim ky që e kishte zemëruar shumë Rusinë.
Pjesëmarrës në këtë takim do të jenë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë – tri vende partnere që NATO-ja thotë se janë nën presion të shtuar nga Rusia.
Stoltenbergu tha se takimi do të tregojë se NATO-ja po “merr hapa të mëtutjeshëm për t’i ndihmuar ata ta mbrojnë pavarësinë e tyre dhe për ta përforcuar aftësinë e tyre ta mbrojnë veten”.
Që kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e kishte urdhëruar pushtimin e Ukrainës para dhjetë muajve, NATO-ja e ka përforcuar mbrojtjen e aleatëve që janë fqinje me Ukrainën dhe Rusinë. Mirëpo, e kanë bërë këtë me kujdes që të mos përfshihet në një luftë më të gjerë me një fuqi nukleare si Rusia.
Por, Stoltenbergu nuk i bëri presion Ukrainës të nisë negociata për paqe me Rusinë. Diplomatë evropianë dhe të NATO-s kanë thënë që Putini nuk duket i gatshëm të ulet në tavolinë për bisedime të tilla.
“Shumica e luftërave përfundojnë me negociata”, tha ai. “Por, se çfarë ndodh në tavolinën e negocimit varet nga ajo që ndodh në fushën e betejës. Kështu që, mënyra më e mirë për t’i rritur mundësitë për zgjidhje paqësore është ta mbështesim Ukrainën”./Rel
Të tjera
-
Po shkonin në një konferencë që mbahej për Pashkët, autobusi bie nga shkëmbi, vdesin 45 pasagjerët! Shpëton mrekullisht vajza tetë vjeçare
Dhjetra besimtarë vdiqën pasi një autobus që shkonte për në një konferencë të...
-
Lumir Abdixhku kandidat i LDK-së për kryeministër
Lumir Abdixhku kandidat i LDK-së për kryeministër Kryetarja e Forumit të G...
-
Abazoviq: Vota kundër Kosovës e Malit tw Zi tregon realitet të ri
Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se vota kundër Kosov...
-
Osmani e Statovci ishin për iftar në mensën e studentëve
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bashkë me deputeten e Listës Guxo, në gru...
-
Mbahet ankandi elektronik për projektin solar prej 100 MW
Ministria e Ekonomisë do të mbajë ankandin elektronik për projektin e parë so...
-
Sot mblidhen dy komisione të Kuvendit
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, si dhe ai për Administratë Publike,...
-
Nënshkruhet sot marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për IPA III
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane të Ma...
-
Moti në Kosovë me diell
Për sot në Kosovë parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë....
-
Hamza e sfidon Kurtin për t’u përballur: Kur të don, i garantoj debat të edukuar
I nominuari për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza i ka bërë ftesë kryeministr...
-
“Angazhim pas anëtarësimit për Kosovën”| Komiteti i KiE përmend çështjen e Asociacionit, ky është adresimi
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raport...
-
Liberalizimin e vizave e Këshillin i Evropës, Kurti i cilëson si suksese të qeverisjes së tij
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka lavdëruar qeverisjen e tij për sukse...
-
Nesër Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim ndërkufitar
Nesër nga ora 13:30 Kosova dhe Mali i zi do të nënshkruajnë marrëveshje për P...