Lajme

Naser Pajazitaj do t’i kërkojë 1 milion euro dëmshpërblim

Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 02 May 2023

Naser Pajazitaj do t’i kërkojë 1 milion euro dëmshpërblim për kohën e kaluar në burg, si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt. Ai është liruar nga akuza për vrasje pas shtatë vjetësh të kaluara prapa grilave. Gjykata Supreme ka publikuar sot aktgjykimin për lirimin e 63-vjeçarit, ku thuhet se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e tij.

Avokati i Naser Pajazitajt, Ahmet Tahiri, ka deklaruar se do të bëjnë kërkesë për dëmshpërblim, për vjetët që ka kaluar në burg klienti i tij, si i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Tahiri i ka thënë Gazetës Express se do t’i kërkojnë 1 milion euro dëmshpërblim.

-Advertisement-

“Po, patjetër që do të pasojë kërkesa për dëmshpërblim. Naserit përveç linçimeve dhe bullizimeve të fëmijëve të tij, i janë humbur 8 vite të jetës së tij në burgje. Ne do t’i kërkojmë 1 milion euro”, ka thënë Tahiri.

Kërkesën për dëmshpërblim, Tahiri ka thënë se do ta kenë gati brenda javës, meqë kanë qenë në pritje të Aktgjykimit të Supremes.

“Jo, kemi pritur Aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Besoj që brenda javës, do ta kemi gati”, ka deklaruar Tahiri.

Vendimin për lirimin e Pajazitajt nga akuza për vrasje e ka marrë para tri javësh Kolegji Penal i Gjykatës Supreme, por që aktgjykimi është publikuar tek sot.

Këtë vendim, Supremja e ka arsyetuar duke thënë se “nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit, por vetëm indicie dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes”.

“Për këtë arsye, për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore, gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxjerrët prej provave të paraqitura. Pra, duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku, përkatësisht të përjashtohet mundësia që personat e tjerë të jenë kryes të veprës penale. E në rastin konkret, ky qark nuk është mbyllur”, thuhet në aktgjykim.

Supremja ka drejtuar kritika ndaj Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.

“Gjykata Supreme e Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me standardin e aplikuar së pari nga ana e Prokurorisë së Shtetit e mbështetur pastaj nga ana e dy gjykatave të dy instancave më të ulëta gjyqësore, të cilat përdorën një standard minimal të të provuarit dhe kundruall kësaj shqiptuan dënim maksimal dhe atë pa një vlerësim dhe analizë të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirëse të provave që ishin në shkresat e lëndës dhe njëkohësisht duke bërë interpretim të gabuar të ligjit penal”, thuhet në njoftimin e Supremes”, thuhet në aktgjykim.

Naser Pajazitaj është gjykuar tri herë për këtë rast. Në mars të vitit 2018, Gjykata Themelore në Pejë e kishte liruar Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, në mungesë të provave. Pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit, në korrik të vitit 2019.

Në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet, atë e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit, dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast. Lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Vendimi ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Më 27 maj të vitit 2021, Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli e kishte kthyer sërish rastin në rigjykim.

Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, Apeli kishte marrë vendim, me të cilin ia kishte ulur dënimin nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim.

Më 6 prill të këtij viti, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme e ka liruar Pajazitajn nga akuza për vrasje

Çfarë thuhej në aktakuzë?

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha– Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj, nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e kishte bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohej se më parë e deri më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc, Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe deri më 23 maj 2017, në fshatin Strellc i Ulët, Komuna e Deçanit, Pajazitaj pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 dhe 2 karikatorë të zbrazët, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte Pajazitajn se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK-së.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera