Opinione

Narracion përmbysës

Autori: Gazeta inFokus 17:22 | 25 November 2020

Gjërat në politikë rrallë ndodhin rastësisht. Disa muaj para miratimit të pakos së ligjeve për themelimin e Gjykatës Speciale pati filluar një ‘garë’ mbjelljeje e një demoralizimi të përgjithshëm shoqëror dhe politik në Kosovë.

Edhe nëse nuk kishte pasur ‘konkurs publik’ për këtë ‘garë’ të pandershme, të gjitha veprimet shkonin në atë drejtim, pra po ‘garohej’ se kush po e paraqiste më keq Kosovën e mitur, e cila në vitin 2015 s’kishte hiq më shumë se 7 vjet shtetësi. Pra, po ndërtohej një narracion aq përmbysës mitur sa thua ti gabim paska qenë formimi i shtetit të Kosovës, deri këtu shkohej.

Dhe në vend që një shtet i mitur – siç ishte Kosova e gjenociduar nga Serbia – të mbështetej më shumë se çdo shtet tjetër në Evropë për të marrë veten, pavarësisht të metave që mund t’i kishte çdo shtet tjetër në moshë të tillë, po ndodhte pikërisht e kundërta. Sa më shumë që mbillje vrerë, aq më i dashur bëheshe; sa më mirë që flisje për të arriturat e shtetit tënd sado modeste nganjëherë, aq më i keq dukeshe, mesin e artë edhe ashtu e kishim eliminuar si mentalitet gjithëshoqëror. Pra, po i kërkohej performim perfekt një shteti të mitur (pra idealja e ideales) duke harruar katrahurat e kaluara dhe problemet e pafundme që po e prisnin pikërisht shtetin e mitur.

-Advertisement-

E në vend që Kosova nga viti 2015 së paku t’i kishte të hequra vizat, ta kishte të implementuar mbi gjysmën e MSA-së, t’i kishte të hapura negociatat për anëtarësim në BE, thjeshtë të gëzonte shumë më tepër perspektivë evropiane se sa Serbia që bëri kasaphanen ndaj shqiptarëve në zemër të Evropës, ajo sot ka një barrë aq të rëndë ndërkombëtare mbi kurriz siç është Gjykata Speciale, saqë kjo edhe në variantin më të mirë do të na mbajë të bllokuar në rrafshin ndërkombëtar së paku deri në fund të vitit 2023 me bllokim të mëtejmë njohjesh të 5-shes së BE-së dhe tjerave nëpër botë, bllokim anëtarësimi në organizata e mekanizma ndërkombëtarë, bllokim dialogu e marrëveshjeje finale me Serbi dhe bllokim të integrimit evropian në tërësinë e tij. Po ndodhi e kundërta do të ishte mrekullia vetë.

Historia do ta vërtetojë më së miri se a kishte filluar që në 2015, ndoshta edhe më përpara, të përgatitej terreni për të krijuar një klimë aq fajësuese ndaj Çlirimtarëve të Kosovës për punë që kur do të ndodhnin arrestimet e Çlirimtarëve nga Specialja të mos krijohej ndonjë destabilizim i mundshëm i gjendjes së përgjithshme. Nuk kishte raport apo deklaratë brenda dhe jashtë që s’po ndërtonte narracion përmbysës. Një gjë dihet, për ta vrarë lavdinë e Çlirimtarëve kërkohej denigrim e goditje e orkestruar asi përmasash sa as qeni të mos ta njihte të zotin. E për ta vrarë lavdinë nuk është se nuk kontribuan edhe vetë Çlirimtarët (jo të gjithë) përmes lakmisë së shfrenuar, asgjëbërjes së shumë zhvillimeve, dekurajimit të vazhdueshëm të profesionalizmit dhe inkurajimit të injorancës në shkallë të gjerë pothuaj në çdo cep të qeverisjes. Pra, nëse kishte një orkestrim të tërë brenda dhe jashtë vendit për të goditur projektin e Çlirimtarëve, pra Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çoroditjet e kohëpaskohëshme të Çlirimtarëve (jo të gjithë) vetëm sa po i vetë-kontribuonin këtij orkestrimi, fundja thonë “ç’ta bën vetja, s’ta bën askush.”

Në funksion të këtij demoralizimi shoqëror-politik nuk u pengua fare as eksodi i mbi 100 mijë shqiptarëve që lëshuan Kosovën në fund të vitit 2014 dhe në fillim 2015. Se a fshihej diç më e madhe brenda dhe prapa këtij eksodi do ta mësojmë më vonë ose kurrë. Një gjë dihet: nëse eksodi do të ishte në të mirë të Kosovës dhe kundër Serbisë, kjo e fundit menjëherë do t’i mbyllte kufirin këtij eksodi dhe nuk do të inkurajonte e transportonte kurrë shqiptarë të Kosovës me mjete civile e ushtarake nga Beogradi dhe zona tjera drejt kufirit hungarez. Pastaj, edhe sot është e pakuptueshme hapja e kufirit nga Hungaria për eksodin kosovar që po vinte përmes Serbisë pa u kritikuar asnjëherë nga Brukseli zyrtar për këtë shkelje të rëndë të kufirit të jashtëm të Zonës Schengen nga Hungaria, diçka që për refugjatët sirianë BE kishte kritikuar shtetet kryesisht jugore që përbëjnë kufirin e jashtëm të BE-së, pa e përjashtuar këtu as Hungarinë.

Derisa eksodi po ushqente demoralizimin shoqëror-politik, në atë situatë të rëndë – ashtu sikurse në shumicën e vendeve të BE-së – po fitonte terren fryma populliste në Kosovë, e cila me sulmet e saj ndaj të institucioneve publike dhe figurave politike dhe në funksion të ndërtimit të narracionit përmbysës po synonte denigrimin dhe degradimin e çdo të arriture në Kosovë, siç para së gjithash ishin mosnjohja e vetë shtetit me simbole dhe kundërshtimi i çdo të arriture, pavarësisht vështirësirave të pafundme historike për arritjen e tyre. Emëruesi i përbashkët i popullistëve të BE-së dhe atyre në Kosovë ishte rritja e ndjenjës anti-establishment duke luajtur me tema të mëdha si korrupsioni, krimi i (pa)organizuar dhe migracioni, diçka që vazhdon edhe sot, edhe pse me intensitet më të vogël.

Përderisa popullistët në BE po fitonin terren shkaku i efekteve të krizës financiare globale dhe krizës së refugjatëve sirianë që po shkundnin kohezionin e BE-së, popullistët në Kosovë po fitonin terren nga siç e quanin “zbrazja e Kosovës si rezultat i korrupsionit.” Përderisa popullistët e BE-së po akuzonin elitat politike atje të kishin dështuar në parandalimin e luftimin e korrupsionit si dhe parandalimin e migracionit, popullistët në Kosovë po akuzonin elitat politike se zbrazja e Kosovës po ndodhte pikërisht për shkak të korrupsionit. Përderisa popullistët në BE po vajtonin kinse vdekjen e BE-së që sipas tyre po tjetërsohej nga migracioni i (pa)rregullt, popullistët në Kosovë s’po njihnin institucionet e një shteti që kishte lindur nga gërmadhat. Ashtu sikurse popullistët në BE edhe ata në Kosovë po ndanin me llupë të këqijat nga të mirat dhe përmes të këqijave po mbillnin kob e zi. Nuk qe e rastësishme rritja e frymës populliste pikërisht gjatë asaj kohe në Kosovë e BE, ashtu sikurse që nuk është e rastësishme rënia e tyre graduale sot.

Në 5 apo 6 vitet e fundit aq shumë ka pasur vërshim të pafre narracionesh negative përmbysëse ndaj Kosovës si vend i krimit të (pa)organizuar dhe korrupsionit, sa kur zgjoheshe në mëngjes ende pa u kthjellur mirë, shihje qarqe pa fund nga brenda dhe jashtë, ballina mediale, opinionistë të ndryshëm, që mbillnin pafund kob e zi ndaj një vendi më pak se 12 vjeçar. Aq shumë demonizohej e akuzohej Kosova, sa thua ti ne e paskëshim zbuluar krimin e (pa)organizuar dhe korrupsionin dhe për këtë zbulim po duakemi që me çdo kusht të futemi në libër të Ginisit e bota nuk po na lejuaka se qysh para nesh paska pasur raste korruptive, kështu dukej së paku përcepsioni. Aq të mëdha i kishin kritikat dhe kërkesat ndaj një Kosove të mitur qarqe brenda dhe jashtë saj, saqë po të ishte edhe ndonjë alamet shtet i Evropës në vend të Kosovës do ta kishte të pamundur t’i përmbushte të gjitha pritjet dhe adresonte të gjitha kritikat.

Qe krijuar përshtypja që korrupsion kishte emrin Kosovë dhe se askush më nuk e kishte kurajon të fliste për miliarda e triliona euro që çmendnin me korrupsion e krim të (pa)organizuar (përfshirë shpërlarjet e parave) gjetkë nëpër Evropë e botë. Qe krijuar po ashtu përshtypja që Kosova ishte bërë e keqja e tërë botës dhe se për ta luftuar atë do të duhej çuar në këmbë e tërë bota. E sikur akuzat e përditshme – secila më e rëndë se tjetra – ndaj një sheti të mitur të mos mjaftonin, Serbia vetëm sa po i kontribuonte rëndimit të situatës me sulmet e saj të parreshtura me aleatë të saj në Këshill të Sigurimit dhe në mekanizma të tjerë rajonalë e ndërkombëtarë duke u mundur ta paraqiste Kosovën si të keqen dhe Serbinë të mirën e rajonit. Po të flisje për progres në këto 5 apo 6 vitet e fundit të quanin të çmendur ose të shitur, pavarësisht realitetit në terren. I mirë do të konsideroheshe vetëm nëse shaje dhe demonizoje shtetin tënd të mitur, të gjithë të tjerët që flisnin ndryshe quheshin të këqinj.

Me anë të këtij shkrimi nuk dua në asnjë mënyrë të arsyetoj as edhe një dukuri të vetme negative në vendin tim, më të riun në Evropë, se lëre më krimin e (pa)organizuar dhe korrupsionin. Por, nëse as edhe një vend i vetëm në Evropë – me një traditë shtetërore së paku 100 vjeçare – nuk kishte qenë në gjendje ta zhdukte krimin e (pa)organizuar dhe korrupsionin, por përkundrazi edhe sot po përballej siç do të përballet edhe nesër me të, atëherë si paska mundësi që një shtet 12 vjeçar ta zhdukte atë, bile ende pa e përfunduar shtetndërtimin e shoqëruar me probleme të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Nëse as edhe një shtet i botës, sado i zhvilluar dhe demokratik të ketë qenë (me shtetësi qindra vite më të gjatë se Kosova), nuk kishte mundur ta zhdukte krimin e (pa)organizuar dhe korrupsionin për t’u bërë model i botës, atëherë si paska mundësi që një shtet 12 vjeçar ta zhdukte atë e të bëhej model bote?!

Nëse Bullgaria e Rumania me shtetësi mbi 100 vjeçare, çuditërisht anëtare të BE-së, edhe sot nuk po mund të bëhen anëtare të Zonës Schengen shkaku i krimit të (pa)organizuar dhe korrupsionit dhe nëse Serbia, e cila përpos që kishte bërë gjenocid në Bosnje e Kosovë, vazhdon tentim-destabilizimin e rajonit, i gurgullon korrupsioni dhe krimi i (pa)organizuar, ka të njëjtit njerëz në pushtet që i kishte në kohën e Millosheviqit dhe pavarësisht gëzon liberalizimin e vizave që 11 vite si dhe perspektivë të plotë evropiane, për çfarë kritere na flet Evropa?!

Nëse Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë pjesë të tyre të pushtuara nga forcat ruse, nuk kontrollojnë tërë territorin e tyre, vlojnë nga korrupsioni dhe krimi i (pa)organizuar, thjeshtë janë shtete me të ardhme të pashpresë shkaku i Rusisë dhe sot gëzojnë liberalizimin e vizave, krahasuar me Kosovën në zemër të Evropës, kufijtë e së cilës janë po aq të sigurtë nga NATO sa edhe vetë kufijtë e BE-së, ka misionin më të madh të BE-së për Sundim të Ligjit, cila është arsyeja e izolimit të Kosovës si të vetmen në Evropë?! E kundër këtij narracioni negativ askush nuk dëshiron të flet as në Evropë e as në Kosovë.

Në anën tjetër, harrohet fakti që ka alamet shtete në Evropë që edhe sot vuajnë nga krimi i (pa)organizuar dhe korrupsioni, bile këtë e thonë hapur plot gjyqtarë dhe prokurorë nga shtete të ndryshme evropiane që operojnë në Kosovë, e këtë e thonë edhe mediat dhe organizata të shumta nëpër këto shtete. Nëse nëpër vende të Evropës parandalimi dhe luftimi i krimit të (pa)organizuar dhe korrupsionit shihej dhe shihet si sfidë e pafundme e të gjitha shteteve pa përjashtim, në Kosovë ishim ndarë në hajna dhe jo-hajna, mes nuk kishte. Imagjinoni një botë ku narracioni politik do të ndahej vetëm në hajna e jo-hajna. Po të na thuhej që të 27 vendet anëtare të BE-së kanë arritur nivel zero korrupsioni dhe krimi të (pa)organizuar, atëherë çdo narracion ndaj Kosovës sado përmbysës të kishte qenë, do të kishte plotësisht kuptim, por ama nëse korrupsioni dhe krimi i (pa)organizuar janë përditshmëri në të gjitha vendet e BE-së pa përjashtim, si paska mundësi që kjo dukuri të zhduket në një shtet të mitur siç është Kosova, edhe pse kjo do të ishte ideale, kuptohet?!

Sipas logjikës populliste nëse në një vend ndodh edhe një aferë e vetme korrupsioni, atëherë i bie që e tërë ai spektër politik të jenë hajna dhe me këtë narracion do të duhej ecur para. Por ama, nëse komunave që drejtojnë popullistët u kanë shpërthyer afera korrupsioni, a do të duhej quajtur të gjithë hajna?! Një fjalë popullore thotë “ç’të mbjellësh do korrësh”, nëse ke sharë e denigruar dikë, me po ato mjete do të sulmohesh. Prandaj, nuk duhet të kërkosh me llupë vetëm të keqen, p.sh. kur një krahu politik në Kosovë i pjellin afera korruptive i tërë ai krah quhen hajna, e kur krahut tjetër i pjellin të njëjtat afera, i quajnë raste të izoluara e individuale, pra janë këto standarde tipike të dyfishta për të mbajtur të elektrizuar frymën elektorale se ata janë e keqja, kurse ne e mira. Ose kur drejtësia vendos në favor të një krahu politik quhet e kapur, e kur vendos në favor të krahut tjetër s’qenka e kapur. Prandaj, aferat e korrupsionit janë të këqija si për atë apo këtë krah, me to duhet të merren institucionet përgjegjëse dhe jo të manipulohet publiku.

Me këtë nuk dua të inkurajoj hajninë, krimin e (pa)organizuar e korrupsionin dhe as edhe një dukuri të vetme negative, përkundrazi, përpos që dua ta mbështes fuqishëm vazhdimin e parandalimit dhe luftimit të të gjitha dukurive negative, dua dhe ta dekurajoj gjuhën fyese, linçuese dhe denigruese që ka polarizuar aq shumë politikën dhe shoqërinë saqë nuk ka vend më as për konsensusin më të vogël. Për këtë arsye forcat e politike në Evropë dhe gjetiu në vende demokratike gjatë veprimtarisë së tyre politike përzgjedhin gjuhën dhe mënyrat e komunikimit politik, e nuk e degradojnë atë duke sharë e linçuar njëri tjetrin, sepse një komunikim politik mes ekstremesh përpos që pastaj polarizon qytetarët, ai për më tepër pengon çfarëdo konsensusi kombëtar, diçka që ka ndodhur 100% në Kosovë. Është pikërisht degradimindhe dhe devalvimi i komunikimit politik që sot është bërë pengesë për çfarëdo koalicioni të mundshëm dhe për çfarëdo ecje konsensuale përpara.

E ne zgjodhëm të njëjtën gjuhë ekstreme sikurse popullistët në Evropë, as që donim të ndëgjonim atë që thonë të gjitha shtetet e Evropës së paku prej Luftës së Dytë Botërore e deri me sot, se sfida e parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit do të zgjasë për aq sa do të ekzistojnë shtetet dhe vetë njerëzimi. Në anën tjetër, forcave politike dhe institucioneve vendore sikur të mos u mjaftonte ky narracion tejet negativ ndaj tyre dhe ato në vend të përpjekjeve për të lëvizur drejt qeverisjes së mirë si kundërpërgjigje ndaj mbjelljes kob e zi, për fat të keq po renditnin skandalet njëri pas tjetrit, secili më i rëndë se tjetri, e kjo veç sa e ushqente narracionin përmbysës për hir të së vërtetës.

Ndërkohë që sot, pra në vitin 2020, sapo filluan arrestimet e Speciales, fare pak ka qarqe nga brenda apo nga jashtë që mbjellin më kob e zi, disi nuk bëzajnë më, thua ti se e zhdukëm tërësisht krimin e (pa)organizuar dhe korrupsionin. E absurdi është se ka nga ata që deri dje nuk kanë lënë gurë pa lëvizur kundër Çlirimtarëve, të cilëve sot, për ta moralizuar veten, kinse u dalin kinse në mbrojtje. A thua pse kjo heshtje apo kinse përkrahje pikërisht tash kur filluan arrestimet e Speciales?! A thua qenka dashur që të gjitha rrugët të çonin njëherë te Specialja e pastaj të fillonte kinse moralizimi?! Apo ndoshta po shkohet nga ajo që Kosova tashmë u godit aq mjaftueshëm nga të gjitha anët, sa tash duhet lënë të merr frymë hëpërhë?! A po mos ndoshta ka interes për përvetësim të lavdisë së Çlirimtarëve për të nxjerrë ca vota më shumë?!

Pa dashur të arsyetoj në asnjë mënyrë të këqijat që kanë ndodhur në Kosovë, e pa dashur as të mohoj atë që është arritur me shumë mund e sakrificë e për të cilën as kishte e as ka vullnet të flitet, goditjet e njëpasnjëshme që i janë bërë Kosovës në 5 apo 6 vitet fundit ishin fatale. Harrohet fakti se goditje të tilla rënda nga brenda dhe jashtë do të gjunjëzonin edhe shtete të fuqishme në Evropë se lëre më Kosovën. Se a ishte interes i dikujt shkaktimi i kësaj gjendjeje të rëndë demoralizuese shoqërore dhe politike do ta dëshmojë historia. Ama askush se vë në dyshim faktin se ky demoralizim i përgjithshëm shoqëror dhe politik në Kosovë ishte interes para se gjithash i Serbo-rusisë për të sjellë buzë greminës një shtet veç 12 vjeçar. Dhe kjo mbjellje e demoralizimit të përgjithshëm shoqëror dhe politik nuk është që s’ia ka arritur qëllimit, pavarësisht se në interes të kujt mund të ketë qenë dhe sa mund të zgjasë.

E gjatë këtyre 5 apo 6 viteve të fundit qarqe brenda dhe jashtë vendit aq dramatike dhe aq të pashpresë na paraqisnin gjendjen nëpër raporte të ndryshme dhe ballinat mediale sa thua ti në Kosovën e mitur po fluturonin kokat e njerëzve sikur në Meksikë, Brazil, Turqi, Rusi apo Kinë ku korrupsioni dhe krimi i (pa)organizuar gurgullojnë. Ndërkohë që dikush në Evropë pikërisht këtyre shteteve nuk ua lëshon derën me investime e zhvendosje të zinxhirit të prodhimit (shkaku i fuqisë së lirë punëtore). Dikujt as që i bën për superkorrupsionin dhe vrasjet masive në Kinë, me rëndësi tregu i madh kinez, as që i bën për superkorrupsionin dhe krimet e tmerrshme në Brazil, Meksikë, Turqi apo Rusi, me rëndësi tregu i madh në këto vende, të tjerat detaje.

Për çfarë kriteresh demokratike na flitet nga qarqe të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, kur pesë shtetet e parapërmendura dhe shumë sosh vlojnë nga korrupsioni dhe krimi i të gjitha llojeve të mundshme, ndërkohë që Evropa në vend që të zvogëlojë, përkundrazi rrit investimet e saj në këto zona në glob ku ndiqen, burgosen e vriten për bindje politike pafund gazetarë, gjyqtarë, zyrtarë të ndryshëm, biznesmenë, qytetarë të pafajshëm, diçka që as që mund të paramendohet në Kosovë. Pse heshtet fakti që Kosova në zgjedhjet vitit 2019 dhe të gjitha zgjedhjet e mëparshme kishte dhënë shembullin e zgjedhjeve demokratike dhe ndërrimit të forcave politike në mënyrë demokratike pa trazira e komplote siç jorrallë ndodh në rajon dhe zona të ndryshme autoritare të botës, e me të cilat Evropa për fat të keq bashkëpunon ngushtë së paku në aspektin ekonomik, kurse Kosovën me vetëm 1.7 milion banorë përpos që e mban të izoluar e sheh edhe si treg të papërfillshëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera