Opinione

Narkoza e vizave – Mit apo Realitet (8)

Autori: Gazeta inFokus 11:59 | 04 January 2019

Shkruan: Agron HOTI

Kafshata e bukës first

Krahasimet gjithmonë sjellin pasqyrë më të qartë. Kosova nuk ka më shumë se 10 vite shtet dhe kërkesat e BE-së janë që ne të reflektojmë në të gjitha drejtimet e mundshme, duke iu referuar më së shpeshti problemeve në sektorin e Sundimit të Ligjit. Por harrohet fakti se segmentet e shtetit ecën paralelisht, nuk mund të presësh Sundim të avansuar të Ligjit përballë një zhvillimi dhe rritjeje modeste ekonomike. A mund të thotë dikush që vendet e BE-së, 10 vite pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), kishin si pre-okupim kryesor Sundimin e Ligjit?!

-Advertisement-

Absolutisht jo, viti 1955 (pra 10 vite pas Luftës së Dytë Botërore) ishte një vit ku vetëm për Sundim të Ligjit nuk mendohej në Evropë. Kjo sepse gjendja e përgjithshme ekonomike dhe e sigurisë në Evropë ishte tepër e cenueshme dhe shtetet kishin prioritet kafshatën e bukës dhe sigurinë e qytetarëve të tyre para çdo korrupsioni eventual apo krimi të organizuar. Bile bile vendet e BE-së vetëm pas vitit 1970 mund të konsiderohen si më të konsoliduara sa i përket Sundimit të Ligjit.

Vetëm pas vitit 1970 filluan rritjen ekonomike, pra diçka që shkonte krahas me fuqizimin e Sundimit të Ligjit. Me fjalë tjera, mos të pret dikush që Kosova si shtet i ri të lulëzojë në fushën e Sundimit të Ligjit e të ketë zhvillim të ultë ekonomik. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës e nuk do të ndodhë as në Kosovë.

E të gjithë e dinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën ka kaluar nga një sistem komunist në atë demokratik, ka kaluar nëpër 10 vite luftë, ka humbur tregjet, është de-industrializuar, privatizimet kanë dështuar në pothuaj tërë botën komuniste përfshirë Kosovën dhe të gjitha këto kanë bërë që rajoni i Ballkanit të ketë përqindjet më të larta të emigracionit në Evropë. Me gjithë këto vështirësi, Kosova vazhdon të ketë një rritje ekonomike solide prej 4% ndër vite që është më e lartë se sa mesatarja e BE-së. Megjithëse është i qartë jo-proporcionaliteti për shkak të shkallës së zhvillimit.

Pse BE dhe Shtetet Anëtare të saj po investojnë nëpër shtete që vlojnë nga numri i madh i popullsisë në Amerikë Jugore dhe Azi e nuk po investojnë në asi përmasa në Ballkan?! Po subvencionet bujqësore që BE dhe Vendet Anëtare u japin bujqve të tyre a nuk janë dërrmuese për ekonomitë e Ballkanit?! Ku mbeti teoria e përparësisë krahasuese e David Ricardo, përmes së cilës dëshmohej se një shtet duhet të prodhojë diçka, për të cilën ka përparësi krahasuese me shtetin tjetër.

Sipas kësaj logjike, nëse BE do të mbështeste bujqësinë e rajonit dhe të ndërpriste subvencionet e veta për këtë sektor të ndjeshëm, atëherë prodhimi dhe eksporti jo vetëm që do të ishin shumë më të mëdha në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe papunësia do të ishte më e ulët në rajon. Ka libra shkencorë e artikuj të panumërt që flasin për subvencionet e padrejta multimiliardëshe që vendet e pasura japin për bujqësitë e tyre, të cilat sigurisht që dëmtojnë konkurrencën dhe rrjedhimisht dëmtojnë Kosovën, ekonomitë e Ballkanit dhe ekonomitë e tërë botës.

Pra, po të investohej me sinqeritet në Ballkan e Kosovë do të mbyllej shumë shpejtë zbrazëtia e krijuar pas rënies së komunizmit dhe se rajoni nuk do të përballej me ikje të të rinjëve. Nëse vende të BE-së dhe BE nuk investojnë në Ballkan shkaku i korrupsionit dhe krimit të organizuar, atëherë pse investojnë në Kinë, Indonezi, Brazil, Indi, Bangladesh, Pakistan, Iran, Rusi, Vietnam e shumë shtete tw tjera, të cilat vlojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar?!

Ne e kuptojmë që logjika e investimeve thotë që: “vendi pranues, ndër të tjera, duhet të ketë fuqi punëtore të lirë”, të cilën Kosova nuk e ka nëse krahasohet me vendet e lartpërmendura, “konsum sa më të madh nga vendi pranues dhe rajoni”, të cilin Kosova nuk e ka (sepse ka vetëm 1.8 milion banorë), “rajon me ekonomi prosperuese siç janë shtetet e lartpërmendura dhe projeksione zhvillimore afatgjata”, edhe këtu rritjet ekonomike në Ballkan krahasuar me nivelin e ultë të investimeve të BE-së dhe trendet e ngadalta nuk mund të krahasohen me shtetet e lartpërmendura.

Por nuk mund ta kuptojmë kur na thuhet që shkaku i korrupsionit nuk po investohet. Po, investimi prej 1.2 miliardë EUR i firmës amerikane për ndërtimin e termocentralit të ri pse u bë kur paska pasur korrupsion, po ndërtimi i autostradave të reja të krahasueshme me vendet e BE-së pse po bëhet, po rritja ekonomike prej 4 deri 5 % më e larta në rajon (sipas Bankës Botërore) pse po ndodh nëse ka korrupsion dhe krim të organizuar?!

Të gjithë e dimë se kjo rritje, fatkeqësisht nuk bëhet nga sektori privat dhe se nuk e redukton pabarazinë sociale. Por nuk duhet harruar se investimet publike janë të pashmangshme, kur dihet që Kosova kishte trashëguar një infrastrukturë, e cila ishte më e pazhvilluara në Evropë. Sa i përket pabarazisë sociale, ajo ishte dhe është fenomen global, bile bile edhe pse globalizimi në njërën anë ka kontribuar në rritjen ekonomike globale, ai në anën tjetër, sidomos me ‘eksplodimin’ e teknologjisë informative, ka rritur monopolet dhe pabarazinë sociale.

Askush nuk mund ta mohojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë, sepse ky sindrom përpos që është rajonal ai ka edhe përmasa globale. Sigurisht që ne duhet të tregojmë përkushtim për reforma gjithëpërfshirëse, por në të njëjtën kohë na duhet të kujdesemi edhe për zhvillim ekonomik, sepse pa zhvillim ekonomik s’mund të sigurojmë perspektivë për qytetarët tanë.

Vlen të përmendet rasti i Gjeorgjisë Kaukaziane, e cila është “frontrunner” për reformë të administratës publike, përmirësim të hatashëm të shërbimeve publike dhe luftim të korrupsionit. Mirëpo, përkundër këtyre hapave të mëdhenj, Gjeorgjia ka ngecur në zhvillim ekonomik, pasiqë që parametrat për zhvillim dhe rritje ekonomike janë tjerë dhe nuk varen tërësisht nga luftimi i korrupsionit.

Mjafton të shohim Kinën, Indinë, Turqinë, Brazilin, etj. e shumë shtete tjera (edhe pse këto nuk duhet të jenë model për Kosovën, por shërbejnë vetëm për ilustrim) të cilat vlojnë nga korrupsioni dhe kanë rritje ekonomike që rivalizojnë pothuaj çdo shtet perëndimor. Kjo nuk do të thotë që Kosova duhet të ndalojë parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkundrazi duhet të tregohet shumë më e përkushtuar.

(Vazhdon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera