Lajme

Nagip Krasniqi deklarohet i pafajshëm, akuzohet për keqpërdorimin e mbi 3 milionë eurove në KEK

Autori: Gazeta inFokus 10:21 | 08 October 2024

Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqit, i akuzuar për keqpërdorim detyre në dëm të KEK-ut në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro të martën ka dal para Gjykatës, raporton Ekonomia Online.

Ai është deklaruar plotësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Deklarimin rreth fajësisë, Krasniqi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Dren Paca. “Plotësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.

-Advertisement-

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se i akuzuari dhe mbrojtësi i tij në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Fillimihst, prokurori Paca tha se kanë dorëzuar edhe disa prova të cilat nuk kanë qenë në aktakuzë dhe të njëjtat ia kanë dorëzuar mbrojtjes.

Kurse, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Vyrtyt Ibrahimaga tha se Prokuroria nuk ua ka dorëzuar aktvendimin për fillimin e hetimeve, e që është e obliguar t’ua dorëzojë të gjitha shkresat e lëndës.

“Prokuroria nuk i ka dorëzuar akoma kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, këto prova janë bazë në të cilën mbështetet aktakuza… këto prova akoma nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe për të pandehurin dhe për gjykatën”, tha Ibrahimaga.

Andaj, i propozoi Gjykatës që të obligojë Prokurorinë që në afat prej 10 ditësh t’ua dorëzojë aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, në mënyrë që mbrojtja e të pandehurit të ketë mundësi të deklarohet.

Gjykatësi Hoti pas deklarimit të të pandehurit, obligoi Prokurorinë që në afat prej 15 ditësh të ofrojë provat e kërkuara nga mbrojtja.

Kurse, prokurori Paca tha se do ta respektojnë këtë afat, megjithëse i pandehuri kontratat në fjalë i ka nënshkruar në gjuhën angleze dhe i ka kuptuar.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 19 gusht të këtij viti ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ai akuzohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023.

Në padi thuhet se Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro, gjë që i mundësoi kompanisë nga Sllovenia tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

“..ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji” – thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës,

Mes tjerash, në këtë dispozitiv theksohet se të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore duke dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë prej 531.920.79 euro.

“..dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 Euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 Euro” – vijon tutje.

Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023. Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhej se Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e të pandehurit Nagip Krasniqi në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të datës 20 prill 2023, dyshohet se Nagip Krasniqi prej vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Krasniqi më 26 janar 2023 kishte lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik duke shkelur nenin 7, nenin 35 par.3, nenin 35 par. 2.1(iii), dhe nenin 57 par.2 të këtij Ligji, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5”, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin SA, me çmim prej 3,495,392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera