Lajme

Nagavci: Jemi në proces të rishikimit të Ligjit të arsimit të lartë

Autori: Gazeta inFokus 14:01 | 09 December 2021

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është në proces të rishikimit të Ligjit të arsimit të lartë, i cili pritet të forcojë autonominë e universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, teksa potencoi se si ministri do të fillojnë edhe definimin e një formule të re të financimit të universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë.

Nagavci u shpreh se presin nga universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë që të jenë plotësisht transparente dhe llogaridhënëse në shfrytëzimin e buxhetit dhe fondeve publike.

-Advertisement-

“Ne jemi edhe në proces të rishikimit të Ligjit të arsimit të lartë, i cili ligj tutje presim që të forcojë autonominë e universiteteve dhe njëkohësisht do të kërkojë që universitetet po ashtu, krahas autonomisë së tyre akademike të rrisin edhe llogaridhënien karshi shpenzimit të fondeve publike. Në këtë rast MASHTI do të fillojë edhe definimin e një formule të re të financimit për universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë, të cilat marrin fonde nga buxheti publik dhe përmes së cilës iniciativë synohet që të rrisim performancën e universiteteve karshi treguesve të proceseve akademike, kërkimit dhe inovacionit, ndërkombëtarizimit dhe koordinimit të universiteteve në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit”, tha Nagavci, gjatë diskutimit në tryezën e organizuar nga projekti Stand, ku u prezantua raporti i Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare në Kosovë, transmeton KP.

Me këto reforma, Nagavci u shpreh se synojnë të rrisin mundësinë për integrimin e Kosovës në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe hapësirën evropiane të kërkimit.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, tha se autonomia universitare nuk është vetëm privilegj, por para së gjithash tha se është përgjegjësi për ngritjen e kapaciteteve menaxhuese me qëllim të sigurimit të funksionimit efikas, transparent dhe me llogaridhënie.

“Autonomia universitare nuk është vetëm privilegj, por para së gjithash përgjegjësi për ngritjen e kapaciteteve menaxhuese me qëllim të sigurimit të funksionimit efikas, transparent dhe me llogaridhënie adekuate në raport me të gjitha zhvillimet brenda universitetit. Në këtë kontekst projektin STAND e konsiderojmë si shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin tutje të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, në aspektin e zhvillimit të një skeme të qëndrueshme të funksionimit efikas dhe autonom të arsimit të lartë, skema këto, të cilat nuk është se janë të zhvilluara në asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilat janë pjesë e projektit aktual”, tha ai.

Koordinatorja e projektit STAND, Mihone Kerolli-Mustafa, tha se raporti që paraqet gjendjen e autonomisë universitare po zhvillohet në një kohë kur ka edhe reforma në arsimin e lartë.

“Projekti po zhvillohet edhe në kohën kur janë duke u zhvilluar reforma të reja në arsimin e lartë në Kosovë, por në të njëjtën kohë kemi edhe zhvillime të cilat janë duke u bërë mbi reformat e arsimit të lartë edhe në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Në këtë rast projekti zhvillohet dhe i përfshin universitetet e arsimit të lartë nga Ballkani Perëndimor”, tha ajo.

Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i autonomisë së universiteteve dhe ngritja e llogaridhënies dhe transparencës në universitetet e Ballkanit Perëndimor-STAND”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera