Lajme

Nagavci i përgjigjet edhe në facebook Hotit pasi i tha se nuk kishte dëgjuar fjalim me të ligë se i saj

Autori: Gazeta inFokus 13:45 | 19 November 2020

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pasi kryeministri Avdullah Hoti, e vlerësoi fjalimin e saj për të pagjeturit si më të ligun që ka dëgjuar.

Nagavci ka publikuar në llogarinë e saj në Facebook, fjalimin e plotë të saj.

“Pas fjalimit tim në Kuvendin e Kosovës mbi çështjen e të pagjeturve z. Hoti tha që ky ishte fjalimi më i ligë që ka dëgjuar. Më poshtë gjeni fjalimin tim ku kam folur për të pagjeturit dhe vlersojini e shihini faktet dhe argumentet të cilat e paskan penguar Avdullah Hotin. Sigurisht për personin që barazoi të pagjeturit me të zhvendosurit ky fjalim nuk do të mund të ishte i mirëseardhur”, ka shkruar Nagavci.

 

-Advertisement-

Fjalimi i plotë i Nagavcit:

Dy dekada pas çlirimit e 12 vjet pas pavarësisë, familjarët e të pagjeturve ende kanë plagët e hapura. Më shumë se 1600 familje që jetojnë në ankth e pritje, akoma edhe sot. Ata meritojnë të dinë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre. Të pagjeturit duhet të pushojnë në tokën e Kosovës. Populli i Kosovës meriton drejtësi. Ndërsa, Serbia e ka obligim të përgjigjet për fatin e mbi 1600 personave të pagjetur dhe të jap përgjegjësi ligjore për këtë. E ka detyrim ligjor ndërkombëtar. E drejta ndërkombëtare, vlen për secilin aktor, shtet, komb a qeveri dhe rregullat e së cilës janë të detyrueshme. E drejta ndërkombëtare thotë, se shteti përgjegjës si palë ndërluftuese “duhet të ndërmarrë të gjitha masat e realizueshme për të dhënë llogari për personat e raportuar si të pagjetur si rezultat i konfliktit të armatosur dhe duhet t’u japë pjesëtarëve të familjeve të tyre të gjitha informatat që kanë për fatin e tyre.” Kjo është norma e së drejtës ndërkombëtare humanitare, ashtu siç e ka kodifikuar Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Por, politikat e mbrapshta po e përmbysin të vërtetën e luftës në Kosovë. Ndërkohë që lufta e drejtë e UÇK-së po gjykohet nga një gjykatë e padrejtë, siç është Gjykata Speciale, Serbia po shfajësohet e rehabilitohet edhe nga vetë Qeveria e Kosovës.

Drejtësia nuk është vënë në vend në Kosovë. Përkundrazi. Ndërkohë që Qeveria e Kosovës dhe ju, z. Hoti padrejtësisht e keni vënë në tavolinë të diskutimeve edhe çështjen e të pagjeturve, keni barazuar të pagjeturit, viktimat e gjenocidit që Serbia kreu mbi popullin tonë, me të zhvendosurit, viktimat me kriminelët potencial.

Më 4 shtator, ju nënshkruat një listë zotimesh, ku u zotuat se pranoni kushtëzimin e kthimit të të pagjeturve, me kthimin e të ashtuquajturve të zhvendosur. Së pari, çështjen e të pagjeturve e shndërruat nga një obligim i pakushtëzuar për Serbinë, në një çështje për të cilën duhet marrë vesh, mund të bësh pazare. Dhe kjo është gabim, sepse asgjë nuk mund të barazohet me çështjen e të pagjeturve, me asgjë nuk mund të kushtëzohet zbardhja e fatit të tyre.

Së dyti, legjitimuat pretendimet kolonizuese të Serbisë e mohuat shtetësinë e Kosovës kur pranuat konceptin “persona të zhvendosur” brenda vendit. Brenda cilit vend e keni fjalën? Si mund të quhen të zhvendosur serbët në Serbi, qoftë edhe nëse janë shpërngulur nga Kosova? Në bazë të dokumenteve ndërkombëtare, nocioni persona të zhvendosur, e ka kuptimin e personave që kanë ndryshuar vendbanim, por që nuk kanë kaluar një kufi shtetëror në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Unë sot, po ju pyes, ata që kalojnë kufirin e Kosovës për në Serbi, për çfarëdo arsye, a e kalojnë një kufi shtetëror apo jo?

Nëse Qeveria e Kosovës e pranon që ndaj civilëve serbë ka pasur zhvendosje të dhunshme, e për këtë duhet të përgjigjeni, atëherë kush janë ata të zhvendosur të nacionalitetit serb? A janë popullata që ka lëvizur brenda Kosovës, ata që janë zhvendosur në Serbi, apo ata që kanë ardhur nga vende tjera të ish-Jugosllavisë e pastaj janë larguar përsëri pas luftës? Cili është përkufizimi që i jep kjo Qeveri të zhvendosurit? Për cilën kohë po flasim, a janë refugjatët nga Bosnja dhe Kroacia të vendosur në Kosovë në vitet e 90-a e të cilët janë larguar pas luftës, persona të zhvendosur? Sepse, për serbët vendorë asnjëherë s’ka pasur asnjë kufizim në garantimin e të drejtave që iu takojnë. Përkundrazi, Kosova është ndër vendet që garanton më së shumti të drejta për pakicat, ndryshe prej Serbisë që io vetëm që s’njeh të drejtat e shqiptarëve, por dhe çdo ditë ua mohon dhe ua heq edhe ato të drejta bazike. Po kriminelët që bashkë me paramilitarët serb kryen masakra e krime gjatë luftës së fundit në Kosovë e që nuk dolën asnjëherë para drejtësisë, a janë ata të zhvendosurit që keni menduar?

Nuk kam si të mos kujtoj qytetin tim të lindjes, vetëm në Gjakovë qytetin më të dëmtuar gjatë luftës e me më së shumti humbje në njerëz. 1022 civilë shqiptar dhe 361 ushtarë të UÇK-së janë vrarë dhe aty sikurse gjithandej në Kosovë akoma edhe sot familjet jetojnë në ankth e pritje. Akoma edhe sot nënat gjakovare trokasin nga dera në derë, në përpjekje për të zbardhur fatin e më të dashurve të tyre.

Në Kosovën nuk ekziston çështja e të zhvendosurve. Pse po ia krijoni shtetit të Kosovës një barrë ndërkombëtare që nuk e ka? Si vend që ka pasur vazhdimisht Ministri për Komunitete e Kthim, e cila është drejtuar nga përfaqësuesit e komuniteteve, Kosova ka qenë e hapur dhe e përkushtuar që çdo qytetarë i Kosovës të kthehet në pronën e tij. Nuk ka mjedis më të lehtë e më liberal se sa Kosova.

Me këtë barazim të pakrahasueshëm të të zhdukurve me të zhvendosurit, jo vetëm që keni fyer viktimat e familjet e të pagjeturve, por i keni vënë Kosovës një përgjegjësi që nuk e ka, se i paska dëbuar qytetarët e saj dhe se paska penguar kthimin e tyre. E asnjëra nuk qëndron, Kosova as nuk i ka zhvendosur e as nuk ka penguar kthimin. Ndërsa, shteti i Serbisë, në mënyrë të organizuar ka vrarë, ka varrosur, e pastaj zhvarrosur, dhe në fund i ka bartur në Serbi trupat për fshehjen e tyre. A e kuptoni që me këtë veprim, me këtë zotim tuajin, qoftë dhe padashje e nga padija, jo vetëm që keni vështirësuar kthimin e të pagjeturve, por edhe keni amnistuar përgjegjësinë e Serbisë, duke i mveshur Kosovës përgjegjësi që e barazon me Serbinë.

Andaj, z. Hoti duhet të na tregosh këtu, të qartësosh në këtë Kuvend, se çka kuptoni ju me persona të zhvendosur? Kjo çfarë keni bërë, është dëm i shumëfishtë ndaj Kosovës. Kush janë persona të zhvendosur, nëse janë të zhvendosur brenda Kosovës, atëherë pse duhet të diskutohet për ta me Serbinë në Uashington e Bruksel? Nëse na qenkan serbët e larguar për në Serbi, ata nuk janë të zhvendosur, por refugjatë.

Po lexoj definicionin se çka thonë dokumentet ndërkombëtare për të zhvendosurit dhe për refugjatët. Të zhvendosur, konsiderohen personat ose grupe personash të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre ose vendet e qëndrimit të zakonshëm, veçanërisht si rezultat ose për të shmangur efektet e konfliktit të armatosur, situatat e dhunës së përgjithësuar, shkeljet e të drejtave të njeriut ose katastrofa natyrore, dhe të cilët nuk kanë kaluar një kufi të njohur ndërkombëtarisht sipas së drejtës ndërkombëtare. Ndërsa, refugjatë, janë personat që kanë ikur nga lufta, dhuna, konflikti ose persekutimi dhe kanë kaluar një kufi ndërkombëtar për të gjetur siguri në një shtet tjetër.

Andaj duhet të na njoftoni z. Hoti, se kënd keni menduar si të zhvendosur kur i keni pranuar si kushtëzim në zotimet tuaja për personat e pagjetur?

E bëtë këtë zotim për të marrë gjoja diçka në këmbim: premtimin e kushtëzuar, se Serbia do të angazhohet për fatin e të pagjeturve, për mbi 1600 bashkëqytetarët tanë, që vetë i rrëmbeu, i vrau dhe i fshehu qëllimisht, padrejtësisht e mizorisht. Më 4 shtator ju bëtë pazare me Serbinë — jo veç me pasuritë e Kosovës, por dhe me njerëzit. E ky është një lloj trafikimi. Por është edhe turp, fyerje, nënshtrim e çnjerëzim. Është e pafalshme.

Ju pranuat që Serbia të negociojë për këtë. E lejuat Serbinë të vendosë vetë nëse do të veprojë. Dhe atë që e ka detyrim ia bëtë opsion, zgjedhje të lirë.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur mbi dhjetë mijë njerëz, janë të pagjetur mbi 1600. Krahas vrasjeve dhe humbjeve në jetë njerëzore, vlerësohet se janë shkatërruar rreth 200 mijë objekte banimi dhe janë dëbuar me dhunë nga Kosova më se 1 milion banorë. Mijëra të torturuar e gra të dhunuara seksualisht. Agresioni dhe gjenocidi serb ka qenë sistematik, i organizuar dhe ekzekutuar nga mekanizmat shtetëror të Serbisë.

Andaj, veprimi juaj më 4 shtator, aq sa e dëmton të vërtetën dhe shfajëson Serbinë, e rëndon edhe më shumë gjendjen e familjeve që kërkojnë pa reshtur kthimin e familjarëve të tyre të pagjetur. Ky zotim i juaji, nuk ka zgjidhur çështjen e të pagjeturve. Përkundrazi, ndihmon Serbinë t’i ikë obligimit ndërkombëtar dhe përgjegjësisë për të pagjeturit, dhe i hapë rrugën për vazhdimin e planeve kolonizuese në emër të kthimit të ashtuquajturve persona të zhvendosur.

Çështja e personave të pagjetur, nuk mund të kushtëzohet me asnjë çështje tjetër. Serbia duhet të ofrojë informacionet për varrezat masive dhe të jap përgjegjësi. E vetmja gjë që duhet të kushtëzohet kur flasim për të pagjeturit, është vetë dialogu me Serbinë. Pa kthimin e personave të pagjetur nuk mund të ketë ecje përpara as me dialog e as me marrëveshje tjera.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera