Lajme

Mustafa thotë se marrëveshja me “MCC” që do ta nënshkruajë Kurti nisi në qeverisjen e tij: Merita të veçanta ka edhe Jahjaga

Autori: Gazeta inFokus 13:44 | 25 July 2022

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministri Albin Kurti kanë udhëtuar sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bashkë me Osmanin dhe Kurtin në këtë vizitë zyrtare është nisur edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Arsyeja që çoi Osmanin, Kurtin dhe Rizvanollin në Amerikë është pikërisht një prej marrëveshjeve apo investimeve më të mëdha në kuadër të energjisë në Kosovë, e njohur si “MCC”.

-Advertisement-

Në njoftimin për media nga Qeveria e Kosovës u tha se në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarë.

“Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”,thuhet tutje nga Qeveria e Kosovës.

Po ashtu gjatë këtij udhëtimi pritet që Osmani dhe Kurti të zhvillojnë edhe takime të tjera në Amerikë.

Lidhur me këtë marrëveshje dhe vizitë të Osmanit dhe Kurtit në Amerikë, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.

Ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se marrëveshja për MCC-në është tepër e rëndësishme për Kosovën dhe bashkëpunimin me SHBA-të, sepse programi është nën ingerencat e drejtpërdrejta të sekretarit shtetëror të SHBA-së.

“MCC ka filluar gjatë qeverisjes sime. Merita të veçanta për këtë program ka edhe Presidentja Atifete Jahjaga”, theksoi Mustafa.

Por sipas Mustafës është çështje tjetër se a është mënyra më e mirë e shfrytëzimit të mjeteve nga Programi i Sfidave të Mijëvjeçarit apo jo.

“Sipas bindjes time, në aspektin strategjik Qeveria është dashur të përfshijë projektin e gazsjellësit në MCC. Por, fundja fitore është që ka vazhduar marrëveshja”, theksoi Mustafa.

Ndryshe duhet përkujtuar që në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Kurti, i kishte thënë jo projektit të gazsjellësit në kuadër të MCC-së.

Kjo pasi, Qeverisë së Kosovës nuk i kishin mjaftuar informacionet e dhëna nga Korporatat e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për projektin që do të lidhte Kosovën me Greqinë përmes Maqedonisë së Veriut.

“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi I infrastrukturës së gazsjellësit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit. Në këtë situatë përballë afateve kohore që ka MCC, ne kemi vendosur që të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët”, pati deklaruar ministrja Rizvanolli.

Kurse Korporata amerikane e Sfidave të Mijëvjeçarit, pak muaj nga ardhja në pushtet e presidentit të ri, Joe Biden, ka kryer studim fizibiliteti dhe ka ndarë 200 milionë dollarë për këtë projekt.

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën, në vlerë prej mbi 200 milionë dollarësh.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me projektet në energjinë.

Sipas njoftimit të mëhershëm të Qeverisë, programi do të përfshijë tri projekte: 1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MË, që ofrojnë rezervë 340 MWh), 2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe 3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera