Lajme

Mustafa Nano shpjegon: Sandwich-i historik grek-shqiptar-serb

Autori: Gazeta inFokus 10:25 | 01 July 2017

-Një titull libertin e provokativ konsiderohet libri më i fundit: “Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?). A s’është e vështirë, për një kulturë si e jona t’i gjesh kuptimin?

Ky titull mund të duket si një trill për të shkaktuar efekte marketingu, por nuk është tamam kështu. Ka një përputhje mes titullit dhe përmbajtjes. Në thelb unë merrem në këtë libër me sandwich-in historik grek-shqiptar-serb.

-Pse ky provokim intelektual? Çfarë është ky libër për shqiptarët?

-Advertisement-

 Në këtë libër kam në fokus shqiptarët, apo ngjarje të historisë së Shqipërisë, por në korelacion me fqinjët tanë. Ka disa interpretime të historiografive kombëtare në Ballkan mbi ngjarje të caktuara që më duken të pasakta. Studiuesit shqiptarë, serbë, grekë i kanë mëshuar më shumë idesë se kombet e tyre janë tepër të ndarë prej njëri-tjetrit, se historia e Ballkanit është një histori armiqësish, se kjo armiqësi është e hershme, e në ndonjë rast duke dhënë përshtypjen se kombet në Ballkan kanë lindur me urrejtjen ndaj (apo për t’i dhënë urrejtje) njëri-tjetrit. Historia e 150 viteve të fundit, që nis në momentin kur lindën idetë nacionale këtyre anëve, rreket ta provojë këtë gjë, pasi është në thelb një histori mospajtimesh, luftërash, krimesh, mizorish, rivendikimesh territoriale, revanshi, etj, etj, por para kësaj kohe, për shekuj të tërë, nuk ka qenë kështu. Jo tamam kështu.

Historiografitë nacionale, të ndihmuara edhe nga arti, letërsia e në përgjithësi kulturat nacionale, kanë bërë të vetën për ta shtrirë këtë klimë konflikti në të gjitha kohët. Marrim rastin tonë. Tradita jonë orale, Eposi i Kreshnikëve, por edhe epika historike, u këndojnë luftërave të shqiptarëve kundër sllavëve, apo thënë me gjuhën e kësaj epike, kundër shkjeve. Dhe kështu, ky konflikt është legjendarizuar tanimë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me epikën historike serbe, e cila është e ngritur në një pjesë të madhe mbi mitin e Kosovës serbe. Autorë të ndryshëm shqiptarë e serbë (edhe malazez), poetë, narratorë, etnologë, antropologë, historianë, etj, janë frymëzuar prej epikave të tyre popullore, dhe i kanë ushqyer këto makthe të poetëve anonimë popullorë. Marrim Fishtën tonë. Në veprën e tij kryesore, Lahutën e Malcis (që është magjepsëse përsa i takon lojës me gjuhën shqipe; Fishta për këtë meriton një chapeau të fortë nga të gjitha brezat e shqiptarëve, të sotme e të ardhshmë), i këndohet veç urrejtjes së ndërsjelltë mes shqiptarëve e malazezve. E kështu, sido që ta kontekstualizosh këtë vepër, nuk e shpëton dot. Ajo i këndon urrejtjes mes dy popujve fqinjë. Ka shumë autorë serbë që kanë bërë të njëjtën gjë. Ata i kanë shkuar pas midesë epikës së tyre historike që ka mbjellë këtë paranojë të tyren mbi Kosovën, dhe sot, sidoqë t’u vish rreth veprave të tyre artistike, ato nuk mund t’i nxjerrësh dot nga burgu i kohës kur janë shkruar. Për ta mbyllur, duhet thënë se ka edhe studiues të huaj që mbrojnë idenë se, fjala vjen, shqiptarët e serbët kanë shkuar prore si macja me qentë, se ata nuk kanë ditur të bëjnë gjë tjetër në histori, veçse ta urrejnë sho-shoqin, por ribëj të qartë mendimin tim: ka një teprim në këtë pretendim. Para se të lindnin nacionalizmat ballkanikë, popujt e siujdhesës kanë jetuar për bukuri pranë njëri-tjetrit. Sigurisht, që kanë bërë luftra kundër sho-shoqit, por në të njëjtën kohë kanë dhënë e kanë marrë, kanë lidhur krushqira, kanë bërë luftra kundër armiqve të përbashkët, kanë bërë jetë të përbashkët, kanë mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, etj. Sepse janë vetë historianët tanë që nga njëra anë emfatizojnë armiqësinë mes shqiptarëve e serbëve (dhe krimet e të dytëve mbi të parët) në shekullin XIV, që është shekulli i car Dushanit, e nga ana tjetër mbrojnë tezën (me të drejtë) se në betejën e famshme të Kosovës u bënë bashkë sllavë e shqiptarë për t’u mbrojtur nga osmanët. Nuk mund të jenë të vërteta të dyja.

-Ju mendoni se Eposi shqiptar e ka shpikur këtë armiqësi mes shqiptarëve e “shkjeve”?

Jo, nuk mendoj se e ka shpikur. Ka pasur periudha që këta dy popuj i kanë vënë gjilpërat majë për majë, e me siguri krijimi i këtij eposi ka përkuar me përiudha të tilla. Ajo që unë mendoj është se epika popullore është epikë popullore, e nuk i duhet dhënë rëndësi më shumë se sa duhet. Nuk mund të bëhet historia, që është shkencë, mbi bazën e një krijimi popullor, origjina e të cilit është e errët. Nuk dihet kur është krijuar, e me shumë gjasë, duhet të jetë një krijim i vonë. Në mos është një krijim i vonë, është e sigurt se një bërthamë “e pafajshme” e kësaj epike është veshur e koracuar më vonë prej kulturave nacionale e për qëllime politike. Nën këtë dritë duhet parë epika historike serbe kushtuar Kosovës. Tjetër. Është fabula e konfliktit shqiptaro-shkja që i bën shumë studiues të mbështesin tezën se eposi shqiptar është i hershëm, shumë i hershëm. Mirëpo, është pikërisht kjo fabul që mua më bën të besoj se eposi ynë është një krijim i vonë. Unë nuk mundem ta provoj këtë gjë me dokumente, por as ata që mbrojnë tezën e kundërt nuk mund ta bëjnë këtë gjë. Ose marrim termin Serbi e Vjetër (Stara Srbija), me të cilin është thirrur Kosova prej serbëve. Është një paranojë e tërë e ngritur mbi këtë term. Është dhënë përshtypja se ky term është i lashtë, mirëpo në fakt termi është i ri. Është përdorur për herë të parë në shekullin XIX. Dua të them se epika popullore në Ballkan është diçka e errët, e mjegullt, e ngritur mbi pasione popullore të momentit, e bash për këtë arsye nuk mund të trajtohet si një burim historik. Përveç kësaj, ka edhe një ngjashmëri të pabesueshme mes traditave orale në Ballkan, aq sa nuk teprohet po të thuhet se më shumë se për tradita orale të veçanta, bëhet fjalë për një traditë orale të përbashkët. Dhe në këtë kuptim, duket absurde edhe një garë që bëhet mes kulturave nacionale për të marrë si burimin e parë të epikave ballkanike epikën e tyre. Unë pyes: A nuk ju duket se në vend që të shenjtërojmë epikat tona kombëtare, duhet të nënvizojmë praninë e një korpusi epik ballkanik, që është një krijim i përbashkët popullor?

-Ky libër është tentativa e tretë, përtej kufinjve të letërsisë së angazhuar. Pse?

Më intrigon historia në përgjithësi, e historia e Shqipërisë në veçanti. Ka shumë pse që duan përgjigje, ka shumë pjesë që duhen nxjerrë nga gërmadhat e historisë, ka shumë “truisma” që duhen riparë, saktësuar, e në ndonjë rast hedhur poshtë, etj. Një nga këto “truisma” është ai që thotë se “ne jemi të pafat që kemi për fqinjë këta që kemi”. Kjo është një mufkë. Është apriori e tillë. Siç kemi ne arsye të qahemi për fqinjët tanë, ashtu edhe këta të fundit kanë arsye të qahen për fqinjët e tyre, shqiptarët. Nëse Ballkani është i prapambetur, i mjerë, i largët prej qytetërimit (sidoqë gjeografikisht ka qenë fare ngjitur me qytetërimin europian që ka qenë drita e botës), nuk duhet të na dalë nga mendja se thelbi, zemra, shprehja më e përpiktë e këtij Ballkani jemi ne, shqiptarët.

-Libri ka shumë referenca, pse ky intensitet mendimesh sidomos prej të huajve, lidhet me pasiguritë tuaja, apo ndonjë frikë kundërshtimi, polemike? Ju keni përvoja të forta të përplasjes, ndaj pyesim.

Libri është një studim i mirëfilltë. Sigurisht, unë nuk kam metodologjinë e një shkencëtari (prandaj jam konsultuar në rrugë e sipër me Xhevat Lloshin e Pëllumb Xhufin). Nga ana tjetër, jam i tërhequr prej një nervi polemik që më shumë i përafrohet publicistikës sesa botës akademike. Në fund, jam shumë i dhënë pas ojnave stilistike, gjë që më mban larg nga një scholar.

-Janë dakord prof. Lloshi e prof. Xhufi me tezat e librit?

Me një pjesë, po. Përsa i takon pjesës tjetër, unë kam diskutuar me ta, por secili ka mbetur në qëndrimet e veta. Por duhet thënë se janë më të shumta qëndrimet që ndajmë sesa ato që na ndajnë. Unë gjej rast t’i falenderoj edhe një herë të dy që gjetën kohë të lexonin me vëmendje dorëshkrimin e librit mes kokëçarjeve të tyre akademike, e që më dhanë mendime shumë të vyera pasi e lexuan librin në dorëshkrim. Është e sigurt se pas shumë kohësh, kur të më pyesin se ç’më ka mbetur në mendje nga koha kur jam marrë me librin “Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?”, përveç të tjerash do t’u them: Bisedat me Xhevat Lloshin e Pëllumb Xhufin.

-Teza që të ngacmon më shumë mbi historigrafinë, si p.sh Ballkani si histori e popujve të ndarë, në armiqësi, por dhe në kontradiksionin e të përbashkëtave. Pse ndesheni me këto qasje?

Sepse nëse Ballkani është ky që është, bishti i Europës, në mos delja e zezë e Europës, kjo ka ardhur edhe prej urrejtjes që është mbjellë prej kulturave nacionale. Unë mendoj se duhet të nxjerrim në pah gjërat që na bashkojnë, e jo ato që na ndajnë. Dhe këtë nuk duhet ta bëjmë se na i do puna apo se duhet tw jemi politikisht korrekt. Jo, unë mendoj realisht se nuk është urrejtja e armiqësia që karakterizojnë historinë e Ballkanit. Përkundrazi, duhet thënë se, nëse përjashtojmë ndonjë parantezë historike, siç janë 150 vitet e fundit, është bashkëjetesa ajo që ka karakterizuar, më shumë se sa fërkimet e luftrat, marrëdhëniet mes popujve të gadishullit.

Historia e 800-ës

Piratë dhe luteshin tek Shën Mëria, cilët ishin grabitësit e anglezëve

Nga Mustafa Nano

Para ca kohësh, teksa isha duke lexuar librin me shënime udhëtimesh “Travels in Sicily, Greece and Albania”, të shkruar nga kleriku anglez Th. S. Hughes në vitin 1820, më kapi për një moment një parehatí kureshtare. Kapitullin e dhjetë të vëllimit I të librit, autori e nis duke rrëfyer një ndodhí: “Nuk na ish bërë shumë kohë në Athinë, kur na erdhi një lajm që krijoi angështi e trishtim te të gjithë; baronit Haller i erdhi një letër prej mikut të tij të ngushtë, baronit Stackelberg, që ish një djalë për kokën e djalit, shumë i dhënë pas pikturës e shkrimeve, dhe i talentuar; ky i fundit bënte me dije nëpërmjet letrës se ishte marrë peng nga një bandë piratësh, ndërsa kish qenë duke përshkuar gjirin e Volosit pas një turi në Azi e një qëndrimi në Stamboll” . I mësuar prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, të pres a përfytyroj që pas çdo krimi “të një lloji të caktuar” të njoftuar në gazetat europiane të jetë një shqiptar a një grup shqiptarësh, më erdhi aty për aty mendimi se piratët, për të cilët fliste udhëtari anglez, mund të ishin gjithashtu shqiptarë. Ata piratë, ç’është e vërteta, mund të ishin edhe turq, grekë, bullgarë, vlleh, çerkezë, tartarë (William Eton-i ka pasur merak të na thotë se duhet thënë tatar, e jo tartar, por shumë të tjerë para e pas tij kanë parapëlqyer trajtën tartar), apo kush e di çfarë tjetër në atë botë multietnike e multifetare, siç ishte Perandoria Osmane në përgjithësi e Greqia në prag të revolucionit në veçanti, por ideja se mund të ishin shqiptarë m’u bë e ngulët. U hodha fluturimthi një vështrim rreshtave e paragrafëve që vijonin me shpresën se autori do të jepte më poshtë ndonjë të dhënë mbi identitetin e piratëve, por syri nuk më kapi gjë. Pas kësaj, u futa në Google për të parë në hartë se në ç’pjesë të Greqisë i binte të ishte Volosi. Harta “më ngushëlloi paksa”, pasi Volosi i binte të ish në Thesali, një zonë greke e rrahur nga shqiptarët, por jo aq sa zona të tjera atëmot, si Atika, Moreja, etj. E megjithatë, vijoja të isha i përndjekur nga një kërshëri e çuditshme për të marrë vesh se cila ishte origjina etnike e piratëve, duke shpresuar të mos ishte shqiptare. Ndihesha i lodhur prej paradigmës së shqiptarit delinkuent.

Hughes-i nuk ishte ndalur tek origjina etnike e piratëve. Këtyre të fundit ai u vesh, sidoqoftë, disa karakteristika e mënyra sjelljeje që mund të merren për shqiptare. Ishin turq, thotë ai, e merret vesh se me “turq” kupton, siç ishte e udhës ato kohë, myslimanët. Si për ta përforcuar hamendjen se ishin shqiptarë, autori na bën me dije se piratët nuk dinin turqisht (dihet që shqiptarët përgjithësisht nuk e flisnin turqishten), dhe se ishin myslimanë të allasojtë, “që nuk kishin njohuri të sakta mbi fenë e tyre”. Mbanin një pikturë të shën Mërisë në barkë, dhe i drejtonin lutje shën Kollit kur deti kishte dallgë. Herë pas here shfaqeshin supersticiozë, madje edhe blasfemues. Përveç kësaj “ata ishin llumi i një shoqërie në një vend ku njerëzillëku ishte një virtyt që as admirohej, as praktikohej”. Ishin aq të pagdhendur sa, disa piktura të tijat që baroni Stackelberg i kishte me vete, ia hodhën në tokë e ia dëmtuan si të ishin gjëra pa asnjë vlerë, por në të njëjtën kohë u shkonte mendja për t’i dhënë ngjyra humori një situate që për palën tjetër ishte dramatike. “Hajt, bëfshi rrugën e mbarë! Ne këtej rrotull na keni, prandaj kujdesuni që herë tjetër të mos na mbudhni! Jo për gjë, por do t’ju marrim peng sërish. Neve pará na duhen”, u thanë anglezëve teksa po ndaheshin pas takimit, në të cilin këta të fundit morën baronin në këmbim të 10 mijë piastrave që paguan si gjobë. Por para kësaj, ishin po ata që i futën një të rruar në mënyrë ceremoniale Stackelbergut në prani të miqve të vet, mes të cilëve ndodhej edhe arkeologu C. Cockerell (do të na dalë disa herë emri i tij më poshtë), në mënyrë që t’ua kthenin siç e kishin gjetur. Një gjest kalorësiak, për të cilin baronët anglezë, e miqtë e tyre, nuk kishin nevojë.

Edhe pse nuk thuhet nëse piratët ishin shqiptarë apo jo, unë nuk munda ta shmangia një si deja vu gjatë leximit të këtij pasazhi. Shqiptari që siguron jetesën a mbijetesën me veprime cubash, me gjoba, deri edhe me vrasje, apo shqiptari i prapambetur, i mbyllur në botën e tij, hakmarrës, gjaknxehtë, që u jep zgjidhje mospajtimeve me të tjerë nëpërmjet akteve të vetëgjyqësisë, që shpesh janë krime mizore, është një personazh i njohur i historisë, që prej kohëve të lashta ilirike. “Nuk para ka ndodhur që ilirët të zihen ngojësh nga historianët pa vënë në dukje egërsinë karakteristike të tyre; Polibi i quan ata armiq të të gjitha kombeve, dhe jo më të civilizuar sesa trakasit e getët; Livi, thirrur në latinisht me emrin Titus Livius, e shpjegon egërsinë e pashoqe të njërit prej katër divizioneve romake të Maqedonisë me ashpërsinë e klimës, me tokën jo pjellore e me fqinjërimin me barbarët” . Me barbarët Livi ka parasysh ilirët, që “ishin populli që u prek më pak prej kulturës greke, pjesërisht për shkak të natyrës jo mikpritëse të bregdetit pa porte [ku mund të ankoroheshin anijet], e pjesërisht për shkak të egërsisë që i karakterizonte; ndryshe nga trakasit që u hapnin dyert kolonëve grekë dhe i taksonin prej momentit kur ata krijonin ngulime, ilirët, deri vonë, i mbajtën larg terës së tyre; kjo është arsyeja që ato pak koloni greke, të cilat u ngritën në një moment të caktuar në viset ilirike nuk mundën kurrë ta shtrinin ndikimin në thellësitë e territorit, … e kështu Iliria mbeti një rajon i mbyllur, me fiset e veta që jetonin në një gjendje lufte me fqinjët e mes vedi” . Pas kontakteve me ilirët, autorët grekë zunë t’i etiketonin këta të fundit ‘brigantë e piratë’;… ndikimi i kulturës greke mbeti i vogël; madje edhe në zonat urbane, ku pati ngulime greke, vendasit ruajtën karakterin e sivëllezërve të tyre të tërhequr në male” . Ka qenë ky shpirt konservativ që, përveçse është bërë shkak prapambetjeje, ka garantuar edhe mbijetesën e ilirëve.

Romakët u treguan pak më të zotë se grekët. Ata ia dolën të imponojnë deri në një farë mase edhe në viset ilirike gjuhën e tyre latine si gjuhë shtetërore, por edhe atë greke si gjuhë të kulturës. Një dialekt i vendasve u mbajt gjallë, sidoqoftë, në luginat e malet e padepërtueshme të jugperëndimit të Ballkanit. Është po ky dialekt që u mbijetoi edhe invazioneve të mëpasshme sllave e stuhive të tjera historike, për të arritur deri në kohët moderne me gjuhën shqipe. Dhe tok me gjuhën, shqiptarët kanë konservuar edhe veti të tjera të qenies së tyre. “Tiparet kryesore të karakterit të shqiptarëve duket se kanë mbetur të pandryshuara prej kohës së Aleks Komnenit, kur ata zunë të shfaqen para kronikanëve të historisë si njerëz guximtarë, nomadë, të egër e grabitqarë” . Hughes-i krahason kështu shqiptarët e shekullit të tij (XIX) me ata të tetë shekujve më parë (XI), por ndërkohë të vijnë në mendje ilirët që, tetë shekuj para se në këtë botë të vinte Aleks Komneni, ishin po të tillë. Dhe kjo të sillet vetvetiu edhe si prova më e parë e një vijimësie iliro-shqiptare, por studiuesit nuk para kanë ecur kësaj ane. Ata janë përqendruar më shumë te arkeologjia, historia, gjuhësia, e më pak te antropologjia, për ta provuar këtë vijimësi.

Në fakt, për shekuj me radhë pas rënies së Perandorisë Romake, për ilirët, apo për pasardhës e trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të tyre, nuk u fol nga askush. I fundit që kishte folur për një vendbanim ilir të albanëve ishte Ptolemeu i Aleksandrisë në shekullin II të erës së re. Dhe do duhej të vinte pra shekulli XI që kronikanët bizantinë të vinin re se brenda kufijve të perandorisë së tyre jetonte edhe një popull tjetër, që nuk ishte as sllav, as grek, as bullgar. Ishin ata, albanët, që kishin jetuar larg syve të botës për tetëqind vjet. Përkimi i këtij harku kohor tetëshekullor me mesjetën e errët të bën të mendosh se albanët nuk kishin humbur ndonjë gjë të madhe. Por ndërkohë një gjë e madhe kishte ndodhur, ndoshta më e madhja në historinë e njerëzimit: kishin lindur e ishin përhapur në mënyrë të ethshme dy fetë monoteiste, njëra e themeluar nga një hebre me emrin Jezu, tjetra nga një arab me emrin Muhamet. Ndjekësit e Jezuit ishin një hap larg shqiptarëve, mú përtej maleve ku këta të fundit kishin jetuar e jetonin të izoluar. Ndërsa ndjekësit e Muhametit ishin larg ndonëse, me gjemitë e tyre që niseshin nga portet e Brindizit e të Barit, kishin filluar të bënin ndonjë inkursion që në shekullin IX edhe atyre anëve. Por pa lënë shenja islamizimi. “Nuk kemi asnjë burim serioz që të dëshmojë për gjurmë të Islamit në trojet shqiptare” në kohët paraosmane. Myslimanët do të shfaqen disa shekuj më vonë në mënyrë të bujshme. Por ndërkohë, shqiptarët kishin dalë nga terri i kohëve. Historia e tyre, ajo e dokumentuara, kishte filluar.

(Fragment nga libri, titulli është redaksional)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera