Lajme

Mustafa i përgjigjet Lajçakut për ndryshimin e Kushtetutës, ASK-ja do të themelohet sipas ligjeve të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 13:02 | 16 October 2020

Pas deklaratës së djeshme të Emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak se për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë do të jetë e nevojshme që të ndryshohej edhe Kushtetuta e Kosovës, ka reaguar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa për Gazetën Objektiv tha se orientimi i Kosovës mbetet që Asociacioni për Komunat Serbe të themelohet në harmoni me Kushtetutën e vendit, e jo të ketë ndryshime në Kushtetutë ashtu siç deklaroi Emisari Lajçak.

“Sa i përket ndryshimit të Kushtetutës, orientimi ynë ka qenë dhe mbetet që Asociacioni të themelohet në harmoni me Kushtetutën. Por edhe një gjë duhet ta kemi të qartë se askund në Kushtetutë nuk qëndron, pra as shkrinja dhe as fryma kushtetuese, se themelohen asociacione mbi bazën e shumicës së popullsisë nëpër komuna ”, ka deklaruar Mustafa.

-Advertisement-

Lidhur me këtë Mustafa tha se insiston se Asociacioni për Komunat me Shumicë Serbe duhet të themelohet vetëm sipas ligjeve të Kosovës.

Ai thotë se kështu kishte vendosur Gjykata Kushtetuese e cila nuk parasheh ndonjë vendim tjetër.

“Në Marrëveshjen e Parë, që është ratifikuar me Ligj në Kuvend qëndron se Asociacioni themelohet sipas ligjeve të Kosovës. Në marrëveshjen për parimet të vitit 2015 thuhet se Asociacioni themelohet sipas Marrëveshjes së Parë, Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe ligjeve të Kosovës”, ka potencuar Mustafa mes tjerash.

Ai madje ka kritikuar edhe Gjykatën Kushtetutës, e cila sipas tij ka heshtur në kohën kur kjo marrëveshje ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

“Por marrëveshja e 2013 e thotë këtë, se themelohet Asociacion ne komunat me shumice serbe, kjo marrëveshje është ratifikuar në Kuvend me 2/3, kurse Gjykata Kushtetuese ka heshtur në këtë rast”, ka deklaruar Mustafa.

Kreu i LDK-së ka përmendur po ashtu se shteti serb ishte pajtuar që vendimi i Qeverisë dhe Statuti i Asociacionit t’i nënshtrohen vetëm Gjykatës Kushtetuese.

“Serbia ishte pajtuar që vendimi i Qeverisë (së bashku me Statutin) të shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe çdo ndryshim i mëvonshëm i Statutit nga Kuvendi i Asociacionit i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Mustafa.

Kujtojmë se Emisari Miroslav Lajçak, pas takimit që pati dje me presidentin serb, Aleksandar Vuqiç, tha se gjatë 25 takimeve në Prishtinë, asnjë nga bashkëbiseduesit e tij nuk e kishte mohuar themelimin e Asociacionit si obligim i dalë nga marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së më 2013 dhe 2015.

“Askush nuk ka thënë se kjo është e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibël. Nëse merremi vesh për gjëra serioze, atëherë natyrisht se kjo duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, tha Lajçak në Beograd.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera