Lajme

Mustafa fajëson Haradinaj për situatën në vend

Autori: Gazeta inFokus 15:44 | 06 December 2018

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka fajësuar kryeministrin Haradinaj dhe kauzat e tij të cilat i ka quajtur të rrejshme për çështjen e liberalizimit të vizave dhe kufirit me Malin e Zi.

Mustafa ka shkruar në Facebook se do të ishte mirë që para ambasadave ku presin qytetarët për viza, të vendosen fotografitë e atyre, që sipas tij, me paturpësi sollën Kosovën në këtë situatë.

Tutje, Mustafa shkroi se BE’ja ka informuar Kosovën me kohë se nëse vonohemi me ratifikim të marrëveshjes së Demarkacionit, do të prolongohet edhe liberalizmi.

“Mbetëm pa përmbushje të zotimeve për liberalizim dhe mbetëm pa përmbushje të zotimeve se kufiri do të zhvendoset ne Çakor. Ndërkaq, askush nuk merr përgjegjësi. Ishte kontestimi që ia bëri Kryetari i AAK-së, tani Kryeministër, me kauzë të rrejshme marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi që qoi që procesi i liberalizimit të mos fillojë me kohë. Ai dhe disa shërbyes të tij, deputetë e profesorë, ngulnin këmbë se kufiri është në Zhleb dhe Çakorr dhe se Kosova po humb 8200 hektarë.

Këtë vit demarkacioni u ratifikua, e votuan 80 deputet, kufiri nuk po lëvizë, mbeti aty ku u caktua me marrëveshje, por vizat nuk u hoqën”, ka shkruar Mustafa.

Të tjera