Fokus

Mushkolaj: LDK po e përkrahë dialogun me kushtin e vetëm që të jetë në pushtet

Autori: Sylejman Sylejmani 11:33 | 12 February 2019

Me katër pika për dialogun të prezantuara të martën nga shefi i grupit parlamentar Avdullah Hoti, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se po përafrohet me ekipin negociator, i cili po përfaqëson Kosovën në Burksel, në bisedimet me Serbinë, shkruan Gazeta inFokus.

Edhe pse kjo parti në pikën e dytë ka kërkuar që në të gjitha variantet vendi të shkojë në zgjedhje, kështu nuk mendon edhe analisti Imer Mushkolaj.

Mushkolaj në një prononcim për inFokus ka thënë se LDK-ja po e përkrahë dialogun me kushtin e vetëm që të jetë në pushtet.

-Advertisement-

“LDK po e përkrahë dialogun, por vetëm me kushtim që të jetë në pushtet. Kushtet e LDK-së nuk janë parimore, por kjo parti dëshiron të përfitojë nga përfshirja në qeveri, në mënyrë që të jep përkrahjen e vet. Thjesht, LDK po bën pazar për dialogun. LDK e di se nuk do të ketë zgjedhje të reja, andaj propozon qeveri gjithëpërfshirëse”, ka theksuar Mushkolaj.

Sipas tij, për LDK-në edhe diçka tjetër ka rëndësi të veçantë.

Përfshirja në qeveri edhe e PSD-së së të larguarve nga Vetëvendosje.

“Duke e ditur se VV kursesi nuk bëhet pjesë e qeverisë, për LDK është e rëndësishme që pjesë e qeverisë të bëhet edhe PSD, në mënyrë që ta arsyetojë kompromisin e saj”, ka deklaruar Mushkolaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një shkrimi në Facebook ka prezantuar katër pikat e partisë së tij për përfshirje në dialog.

Këto janë pikat e propozuara nga LDK:

1. Procesi i dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmëri prej 2/3 të votave të Kuvendit. Çdo format tjetër i zhvillimit të dialogut e bënë atë jo legjitim dhe jo kushtetues. Pasi marrëveshja përfundimtare kërkon 2/3 e votave të Kuvendit për tu ratifikuar, atëherë edhe platforma për dialog është legjitime dhe kushtetuese vetëm kur miratohet me 2/3 e votave në Kuvend.

2. Duke qenë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në dialog, atëherë janë dy mundësi. E para, dialogu të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime bazuar në përgjegjësitë e tyre kushtetuese. E dyta, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje. Në të dyja rastet dialogu zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend.

3. Në cilëndo variantë, të gjithë ta kenë të qartë se integritetit territorial i Republikës së Kosovës dhe karakteri unitar i shtetit nuk negociohen. Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territor. Me vullnet të lirë, në dakordim me partnerët ndërkombëtarë, më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shpallur pavarësinë. Këtë vendim shteti i Kosovës e ka mbrojtur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konkluduar se pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare.

4. LDK i ka adaptuar parimet bazë lidhur me dialogun dhe jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha forcat politike karshi atyre parimeve./Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera