Lajme

Murati përsërit sërish deklaratat: Kandidatura e Haxhiut s’do të ndryshojë, duhet konsensus politik

Autori: Gazeta inFokus 10:56 | 25 April 2025

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka deklaruar se Albulena Haxhiu do të mbetet kandidatja e vetme e kësaj partie për kryetare të Kuvendit, pavarësisht kundërshtimeve nga partitë e tjera, shkruan Gazeta Infokus.

Murati theksoi se për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit kërkohet konsensus ndërmjet partive, pasi asnjëra nuk ka shumicën prej 61 votash.

“VV, si fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe këtë të drejtë e ka ushtruar duke e propozuar Albulena Haxhiun. Kundërshtimet që po shfaqen janë më tepër manovra politike sesa ndonjë arsye reale. Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit dhe është e papranueshme të thuhet se ajo nuk i plotëson kushtet për këtë post. Ky propozim mbetet i pandryshueshëm. Ne jemi të përkushtuar që Kuvendi të ketë një kryetare grua,” tha Murati.

-Advertisement-

Ai shtoi se, për shkak të mungesës së shumicës, asnjëra palë nuk mund ta imponojë vendimin pa dakordim të përbashkët.

“Vetëm një herë Kuvendi ka arritur të ketë shumicën e nevojshme. Të gjitha votimet tjera kanë dështuar, pasi asnjëra palë nuk ka siguruar 61 vota. Kjo nënkupton se pa një marrëveshje politike nuk mund të zgjidhet asnjë pozitë. Konsensusi është i domosdoshëm për të ecur përpara,” përfundoi Murati.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera