Lajme

Murati në ‘rolin’ e juristit thotë se ‘‘dorëheqja si akt është konsumuar me vetë përfundimin e mandatit me 23 mars’’

Autori: Gazeta inFokus 11:42 | 16 Prill 2025

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar sot në një konferencë për media lidhur me debatet që kanë shpërthyer rreth dorëheqjes së anëtarëve të Qeverisë Kurti pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai theksoi se dorëheqja si akt është “konsumuar” në momentin kur ka përfunduar mandati katërvjeçar i Kuvendit, më 23 mars 2025, shkruan Gazeta Infokus.

“Dorëheqja si akt do të kishte kuptim vetëm nëse certifikimi i zgjedhjeve do të ndodhte para datës 23 mars, kohë kur Qeveria ishte ende me mandat të plotë”, tha Murati, duke iu përgjigjur kërkesave të partive opozitare për dorëheqje të qartë dhe formale nga pozitat qeveritare.

Ai u ndal edhe në interpretimet ligjore që, sipas tij, po keqkuptohen ose po keqinterpretohen qëllimisht.

-Advertisement-

“Pyetjet që po shtrohen duhet të bazohen në ligj, Kushtetutë, apo ndonjë dispozitë konkrete – jo në interpretime të rastit. Ligji për Qeverinë, në nenin 28, paragrafi 1.1, e bën të qartë: mandati i qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, që ishte më 23 mars. Kjo është data kur përfundon mandati i Qeverisë.”

Murati shtoi se shumëkush po anashkalon nenin 31 të Ligjit për Qeverinë, i cili flet për kufizimet e qeverisë në dorëheqje. Sipas tij, paragrafi 5 i atij neni e sqaron se këto kufizime zbatohen edhe për qeverinë që ka përfunduar mandatin, derisa të zgjidhet një qeveri e re.

“Pra, funksionet e një qeverie në dorëheqje janë të përcaktuara ligjërisht dhe vazhdojnë të ushtrohen me automatizëm nga qeveria që ka përfunduar mandatin. Dorëheqja si akt është konsumuar me vetë përfundimin e mandatit me 23 mars”, deklaroi Murati.

Ai iu referua edhe nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, që sipas opozitës kërkon dorëheqje të anëtarëve të qeverisë që janë zgjedhur deputetë. Murati argumentoi se ky nen do të vlente vetëm nëse rezultatet e zgjedhjeve do të ishin certifikuar përpara datës 23 mars.

“Po të ishin mbajtur zgjedhjet më 9 shkurt dhe po të ishte certifikuar rezultati më 20 mars, atëherë qeveria do të ishte ende me mandat të plotë dhe dorëheqja do të ishte e nevojshme. Por kjo nuk ka ndodhur. Certifikimi ka ardhur pas përfundimit të mandatit, prandaj ky nen nuk aplikohet në këtë rast”, përfundoi Murati.

Etiketa:
Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy