Lajme

Murati i bën thirrje Qeverisë që të veprojë: Kriza energjetike është tek dera

Autori: Gazeta inFokus 11:18 | 11 October 2021

Lideri i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojë karshi krizës energjetike.

Sipas Muratit, tani është momenti që qeveria e Kosovës së bashku me institucionet përkatëse, përfshirë Kuvendin e Kosovës të reagojë me urgjencë, qoftë edhe të shpallë gjendjen e emergjencës.

“Kriza energjetike po duket që po na troket në derë, e njëkohësisht me të rritja e çmimeve apo edhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Evropa, por edhe shtete si Kina e India janë në alarm. Qeveritë e vendeve të ndryshme kanë filluar të marrin masat për të zbutur pasojat në dimrin që po hyjmë. Ka nga ata që po luten që dimri të jetë i butë.

-Advertisement-

Qeveria shqiptare ka shpallur emergjencën kombëtare dhe ka përcaktuar masat që do të marrë për të mbrojtur konsumatorët, sidomos ata më të varfrit si dhe bizneset e vogla. Kosova, është në një bllok energjetik me Shqipërinë, por që për dallim prej saj, varet kryesisht nga një burim energjetik, thëngjilli, e që për sezonin e dimrit nuk garanton siguri. Kosova zakonisht blen energji elektrike gjatë dimrit, dhe kjo mund të na e vështirësojë jetën kësaj radhe për shkak të mungesës së energjisë në treg dhe çmimeve me të cilën duhet blerë ajo. Sidoqoftë, disi nuk po duket që qeveria jonë dhe institucionet përkatëse janë alarmuar nga kjo gjende. Është momenti që qeveria e Kosovës së bashku me institucionet përkatëse, përfshirë Kuvendin e Kosovës të reagojë me urgjencë, qoftë edhe të shpallë gjendjen e emergjencës, në mënyrë që të tejkalojë në këtë situatë kufizimet që parashohin ligjet ekzistuese.

Gjithashtu për shkak edhe të komplementaritetit duhet të bashkëpunohet me shtetin shqiptar që të koordinohen politikat në përballimin e situatës. Së paku të gjithë ne e meritojmë të dimë se si e kemi gjendjen, çfarë masash po merren, dhe cila do të jetë barra jonë si qytetarë dhe cila barra e bizneseve. Andaj është koha që qeveria të paralajmërojë, të reagojë dhe mbi të gjitha të veprojë. Ndërsa ne si qytetarë, të gjithë pa dallim, mund të ndihmojmë duke mos shpenzuar vend e pavend” shkruan Murati në reagim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera