Lajme

Murati: Edhe kancelari në Gjermani u votua me votim të fshehtë – nuk është tabu, është e lejuar me Kushtetutë

Autori: Gazeta inFokus 11:10 | 07 May 2025

Deputeti i LVV, Hekuran Murati, ka deklaruar se votimi i fshehtë është një mundësi legjitime për zgjidhjen e situatës politike në Kuvend. Ai tha se ky mekanizëm është i njohur në demokracitë perëndimore dhe i pranueshëm edhe në Kosovë.

“Kemi ofruar edhe mundësinë e zgjidhjes së situatës përmes votimit të fshehtë. E pamë në Bundestagun gjerman, ku kancelari i ri u zgjodh me votim të fshehtë. Edhe në Kosovë kemi raste kur kryesuesit e asambleve komunale apo presidenti zgjidhen në këtë mënyrë,” tha Murati.

Ai shtoi se votimi i fshehtë nuk duhet të shihet si tabu, pasi është i lejuar me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

-Advertisement-

Murati iu referua edhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ku në paragrafin 128 thuhet se “konstituimi i Kuvendit është detyrë e të gjithë deputetëve të Kosovës dhe ata duhet të votojnë për, kundër ose të abstenojnë – në mënyrë të hapur apo të fshehtë.”

“Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë formë votimi. Është rrugë e rregullt kushtetuese,” përfundoi ai./GazetaInfokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova Nënshkruan Parimet për Fuqizim të Grave (WEPs)
-Advertisement-

Të tjera