Lajme

Mungesa e insulinës: Bekim Haxhiu akuzon se kjo po ndodhë për interesa të ngushta e përfitime

Autori: Islam Morina 12:12 | 10 June 2021

Pacientët që vuajnë nga sëmundja e diabetit dhe kanë nevojë për doza ditore të marrjes së insulinës, tash e sa muaj janë në hall nga mungesa e insulinave. Kjo pasi furnizimi është bllokuar nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Infokus.

Z.Gj. 67 vjeçar nga Fushë Kosova i cili vuan nga diabeti dhe është tërësisht i varur nga insulina për rregullimin e glikemisë në gjak, kishte dalë barnatoreve të qytetit për të parë nëse mund të gjejë insulinë.

“Kam dalë me sabah me e gjet të shkretën. Qe një javë jam tuj e lypë nëpër farmacitë e Fushë Kosovës dhe Prishtinës, po nuk ka pasha mixhën, nuk ka. Shteti qe tre muaj nuk ka pru, se i kanë dhanë zor me tendera, a pse na desim nëse se marrim insulinën, se kanë gajle ata bre mixhë”, ka thënë për Gazetën Infokus 67 vjeçari i mllefosur.

-Advertisement-

LEXO EDHE: Alarmante: Mungesa e furnizimit me insulinë rrezikon diabetikët

Kurse Xh.M. 71 vjeçare nga Klina, e cila po ashtu vuan nga diabeti, thotë se përveçse insulinë nuk ka në QKMF-në e Klinës, ato nuk po i gjen as në barnatoret private dhe se për to familjarëve të saj, do t’u duhet të shkojnë në Shqipëri, ose Maqedoni ose në Mitrovicë të Veriut.

“Po s’po ka, po na thonë. Sikur të kish pasë në barnatore nashtë, po as aty s’po ka. Muajin e kaluar i gjejshim diqysh, her një e her dy, nëpër barnatore private. Këtë muaj në asnjë barnatore s’kemi gjëtë. Tash na thanë ose me shku në Shqipni, ose Maqedoni apo me shku në Mitrovicë të veriut. Po qysh bahet kështu, me shku anë e katër anë për një insulinë”, tha ajo.

Ndërsa krejt kjo situatë sipas deputetit të PDK në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka ardhur si pasojë e interesave të ngushta të ministrit Arben Vitia, i cili ka vendosur që tenderin për furnizim me insulina t’ia japë ofertuesit të dytë, që ka çmimin për 400 mijë euro më të lartë, situatë kjo që e ka dërguar procesin në OSHP, organ ky që nuk është funksional si pasojë e mos kompletimit të tij nga ana e qeverisë.

Haxhiu po ashtu i ka thënë Gazetës Infokus, se kjo gjendje e krijuar do të prodhojë pasoja të mëdha dhe se nuk është zgjidhje shkuarja e qytetarëve në shtetet fqinje për furnizim, ngase edhe ato shtete këtë produkt medicinal e distribuojnë nga listat e tyre esenciale dhe se kjo bën që edhe farmacitë në shtetet fqinje të mos kenë insulina.

“Mungesa e insulinave sot në Kosovë është për fajin e Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të insistimit të saj për të nënshkruar kontratë për furnizim me insulina me ofertuesin e dytë, më i shtrenjtë për 400 mijë euro, duke mos respektuar rekomandimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Kjo ka pru një situatë ku qytetarët e Kosovës t’i vuajnë pasojat për shkak të pazareve brenda Ministrisë së Shëndetësisë, e udhëhequr nga Arben Vitia. Pasojat kanë me qenë të mëdha për shëndetin e shumë pacientëve që kanë nevojë për insulinë. Unë deri më tani në dy raste e kam ngritë si çështje në Kuvend, një herë në deklarimet jashtë rendit të ditës dhe një herë në pyetje parlamentare për ministrin e shëndetësisë për mungesën e insulinave, sepse e kam parë që krejt kjo po ndodhë për shkak të pazareve të brendshme brenda ministrisë për interesa të ngushta të përfitimeve. Lënda ka përfunduar në OSHP”, ka thënë për Gazetën Infokus, deputeti Bekim Haxhiu.

Gazeta Infokus të martën ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për këtë problematikë por përgjigje ende nuk ka marr. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera