Shëndetësi

Mungesa e cilave vitamina mund të shkaktojë humbje të kujtesës?

Autori: Gazeta inFokus 07:28 | 21 February 2020

Një regjim ushqimor i shëndetshëm është shumë i rëndësishëm për energjitë tuaja fizike dhe mendore. Mungesa e disa elementëve ushqimorë mund te çojë në probleme neurologjike si humbja e kujtesës.

Mungesa e disa elementëve ushqimorë mund te çojë në probleme neurologjike si humbja e kujtesës. Sasi të vogla të vitaminave esenciale të marra me ushqimin ju furnizojnë me nutrientët e nevojshëm për një trup dhe tru të shëndetshëm. Mungesat e rënda të vitaminave shkaktojnë probleme të kujtesës që lidhen me demencën dhe sëmundjen alkoolike të trurit.

Vitaminat esenciale

-Advertisement-

Trembëdhjetë vitamina janë esenciale për dietën tuaj, që do të thotë se trupi juaj ka nevojë për to në mënyrë që të funksionojë siç duhet. Vitaminat A, D, E dhe K janë vitamina të tretshme në yndyrna, të cilat ruhen në qelizat tuaja yndyrore. Vitamina C dhe tetë llojet e vitaminës B janë të tretshme në ujë. Trupi juaj përdor ato çfarë janë të nevojshme për funksionimin e tij dhe eliminon elementët e panevojshëm nëpërmjet urinës.

Në shumicën e rasteve një dietë e pasur me fruta, perime, drithëra dhe proteina është e mjaftueshme që ju të plotësoni nevojat tuaja të përditshme të vitaminave. Megjithatë, procesi normal i plakjes, kequshqyerja ose gjendje të tjera shëndetësore shkaktojnë përthithje jo të mirë të elementëve ushqyes duke çuar në mungesën e tyre në organizëm.

Humbja e kujtesës zakonisht lidhet me mungesën e vitaminës B-1 e quajtur ndryshe Tiaminë. Megjithatë, mungesa të vitaminave të tjera B dhe mungesa e vitaminës D mund të lidhen me humbje te kujtesës të lidhura me alkoolizmin, demencën, sëmundjen e Parkinsonit dhe sëmundjen e Alzheimerit.

Mungesa e tiaminës

Tiamina ashtu si vitaminat e tjera B është një element i rëndësishëm për metabolizimin e ushqimit në energji dhe për mbrojtjen e funksioneve të ndryshme të sistemit nervor. Në trurin tuaj gjenden përqendrime të larta të Tiaminës, të cilat ndihmojnë në funksionimin e duhur të enzimave të nevojshme për të prodhuar neurotransmetuesit për procesin e të menduarit, lëvizjes, humorit dhe kujtesës. Meqenëse Tiamina gjendet lehtësisht në ushqime si mishi i pulës, drithërat, arrat dhe fasulet, dietat të cilat nuk i përmbajnë këto ushqime rrisin rrezikun që ju të keni mungesë të Tiaminës. Po ashtu, konsumimi i tepërt i alkoolit pengon përthithjen e kësaj vitamine dhe shkakton mungesë të saj. Mungesa e theksuar e Tiaminës mund të shkaktoj sindromin Wrnicke-Korsakoff, një çrregullim neurologjik i shprehur me konfuzion dhe humbje të kujtesës afatshkurtër dhe afatgjatë. Sasia e përditshme e Tiaminës që rekomandohet të merret për të rriturit është 1,1 deri në 1,2 mg.

Vitaminat B-3, B-6, B-9 dhe B-12

Secila prej vitaminave B ka detyra te caktuara të cilat duhet t`i plotësojë në trupin tonë, por disa prej vitaminave nuk mund të kryejnë proceset e tyre pa praninë e vitaminave të tjera B. Për shembull, vitamina B-3, e cila është e rëndësishme në procesin e tretjes, ka të domosdoshme praninë e vitaminës B-6 për të kryer proceset e saj metabolike. Në mënyrë të ngjashme, vitaminat B-6, B-9 dhe B-12 veprojnë së bashku për të kontrolluar nivelin e aminoacidit homocisteinë në gjak në mënyrë që të mos prodhohet në sasi të tepërt. Mungesa e ndonjë prej këtyre vitaminave rrit rrezikun e të pasurit nivele të larta të homocisteinës, e cila është lidhet me fillimin e hershëm të demencës dhe sëmundjes Alzheimer. Ushqimet të cilat i përmbajnë këto vitamina B përfshijnë drithërat, patatet, arrat, perimet jeshile me gjethe dhe shpendët.

Mungesa e vitaminës D

Shumë studime kanë treguar se mungesa e vitaminës D mund të jetë e lidhur reduktimin e aftësive konjitive ne formën e demencës. Vitamina D është më së shumti e lidhur me shëndetin e kockave, por këto studime kanë treguar se më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në studim me demencë kanë shfaqur gjithashtu mungesë të vitaminës D. Këto rezultate janë domethënëse pasi vitamina D nuk merret lehtësisht nga ushqimet, por kërkimet shkencore vijojnë për të gjetur lidhjen e saktë mes mungesës së vitaminës D dhe reduktimit të aftësive konjitive. Vitamina D mund të merret nga ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit, por kjo shoqërohet me rrezikun e kancerit të lëkurës. Sasia e përditshme qe duhet te merret e vitaminës D është 400 deri 600 IU. Bulmeti dhe peshku janë ushqime të cilat e përmbajnë këtë vitaminë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera