Opinione

Mundësia e përjashtimit të Rusisë nga OKB

Autori: Gazeta inFokus 12:02 | 21 May 2022

Kur Luftës së Dytë Botërore po i vinte fundit dhe fuqitë fituese të saj po diskutonin për rendin e ri ndërkombëtar, secila nga fuqitë fituese po përpiqeshin të siguronin nga një vend sa më me peshë në Qeverinë e ardhshme të Botës.

Shkruan: Agron HOTI

Mbi këtë bazë, gjersa negociatat kishin filluar për formimin e OKB-së, SHBA, Franca, BRSS, Britania e Madhe dhe Kina po kërkonin të ndërtonin një OKB, ku do të kishin të drejtë vetoje për t’u bërë kështu përcaktueset kryesore të rendit ndërkombëtar që po vinte.

-Advertisement-

Dhe në fakt ashtu edhe kishte ndodhur. Fuqinë e vetos e kishin dhe vazhdojnë ta kenë të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas “Dag Hammarskjold Library” që nga 1946 e deri më sot Rusia e ka përdorur fuqinë e vetos 120 herë, SHBA 82 herë, Britania e Madhe 29 herë, Kina 16 herë, dhe Franca 16 herë.

Numri i madh i vetove sovjetike/ruse që nga 1946 e deri më sot tregon më së miri për sfidën e SHBA-së dhe Perëndimit në përgjithësi për të shtrirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e tregut në glob. Agresioni rus në Ukrainë ka nxitur debate gjithandej globit për mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Sigurimit dhe OKB. Diskutimet për përjashtim të Rusisë kanë filluar gjithandej. Ka zëra pro et kontra.

Zërat pro përjashtimit të Rusisë nga OKB thonë se BRSS ka pushuar së ekzistuari në dhjetor 1991 dhe se Karta e OKB-së nuk është ndryshuar asnjëherë për të pasqyruar shpërbërjen e BRSS-së dhe për më tepër Rusia si trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e BRSS-së nuk është anëtare legjitime e OKB-së, sepse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kurrë nuk kishte votuar për pranimin e Rusisë në OKB që pas rënies së BRSS-së në dhjetor 1991.

Zërat kundër përjashtimit të Rusisë nga OKB thonë se ajo pjesë më e madhe e shtetit që del nga ndarja e një shteti të madh bëhet pasardhësi apo trashëgimtari e atij shteti të nadh, që i bie se, meqë Rusia ishte republika më e madhe në BRSS, atëherë ishte bërë trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e BRSS-së. Kjo praktikë kishte ndodhur edhe me Egjiptin në vitin 1961 si pasardhësi i Republikës së Bashkuar Arabe, pastaj ndarja e Singapurit nga Malejzia në vitin 1969 si dhe ndarja e Serbisë me Malin e Zi në vitin 2006.

Pra, kjo vazhdimësi anëtarësie në OKB nga BRSS përmes Rusisë është në linjë me praktikën e gjertanishme të OKB-së. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me Ukrainën, e cila nuk ishte pranuar kurrë zyrtarisht në OKB që pas shpërbërjes së BRSS në 1991, ndaj ky vend vazhdoi anëtarësinë në OKB që nga Republika Sovjetike Socialiste e Ukrainës siç ishte pranuar në vitin 1945. Nëse do të përjashtohej Rusia për shkak se nuk ishte votuar kurrë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, atëherë e njëjta gjë do të mund të ndodhte edhe me Ukrainën, Serbinë, Singapurin, Egjiptin, etj. Kjo mënyrë përjashtimi nga OKB do të binte ndesh me praktikën e gjertanishme të ndjekur nga OKB. Përjashtimi i Rusisë nga OKB përmes këtij argumenti do të ishte shumë i mirë për Kosovën, sepse edhe Serbia ashtu sikurse Rusia me të njëjtin argument do të mund përjashtohej nga OKB dhe kjo do të mund t’i sillte avantazhe të mëdha Kosovës drejt anëtarësimit në OKB.

Por, si do të mund të përjashtohej Rusia nga Këshilli i Sigurimit dhe OKB? Neni 6 i Kartës së OKB-së parasheh që nëse një anëtar i Kombeve të Bashkuara, i cili ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme parimet e përfshira në Kartën e OKB-së, mund të përjashtohet nga OKB përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me rekomandimin e Këshillit të Sigurimit. Rusia në Këshill të Sigurimit ka veton e saj që bllokon çfarëdo rekomandimi, vetëm se jo në vendime procedurale.

Pra, jo të gjitha vendimet e Këshillit të Sigurimit i nënshtrohen fuqisë së vetos. Rasti më i fundit ishte agresioni rus në Ukrainë, ku Rusia e kishte drejtimin rotativ njëmujorësh të Këshillit të Sigurimit (në muajin shkurt 2022), ishte kjo edhe njëra prej arsyeve kryesore për fillimin e agresionit të saj në Ukrianë duke llogaritur në paralizimin e një dënimi kolektiv të agresionit të saj (Rusisë). Por, për shkak të vendimeve procedurale të Këshillit të Sigurimit që nuk kërkojnë veto, Rusia nuk arriti ta pengonte rezolutën e Këshillit të Sigurimit të datës 27 shkurt 2022 që të përcillej në Asamblenë e Përgjithshme, e cila më 3 mars 2022 me shumicë të konsiderueshme votash e dënoi agresionin rus në Ukrainë.

Ajo që deri me tani dihet është fakti se Rusia tanimë është pezulluar nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli i OKB-së për të Drejta të Njeriut dhe është duke u përballur me hetime për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Nëse Rusia deri në përfundimin e luftës në Ukrainë konfirmohet dhe ekspozohet në glob si kryese e krimeve të luftës në Ukrainë dhe rrezikuese e paqes globale, atëherë mundësia e përjashtimit të saj nga Këshilli i Sigurimit mbetet opsioni, për një rend të ri ndërkombëtar me Rusinë e poshtëruar dhe pa peshë në Qeverisjen Botërore, për t’u hapur kështu mundësinë e anëtarësimeve të reja në Këshill të Sigurimit me shtete që po presin me një këmbë për anëtarësim duke filluar nga Gjermania, Japonia, India, Brazili, etj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera