Lajme

“Mund të marrë kohë sjellja e trupit të pajetë të Faton Hajrizit, duhet ekzaminim edhe nga institucionet tona”

Autori: Gazeta inFokus 12:16 | 22 July 2024

Avokati kosovar, Ardian Bajraktari, ka thënë se sjellja në Kosovë e trupit të pajetë të Faton Hajrizit mund të marrë kohë, andaj e sheh të domosdoshme edhe involvimin e mekanizmave ndërkombëtar e veçanërisht të UNMIK-ut.

Sipas tij, autoritete serbe po e përdorin këtë rast, për tu shndërruar në viktimë. Ndërsa për vërtetësinë e trupit të vrarë në Serbi, për Bajraktarin është e domosdoshme ekzaminimi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Natyrisht që po flasim për rrethana tashmë siç dihet nga opinioni publik dhe unë vlerësoj që pas përfundimit të procedurave përkatëse, mjeku ligjor ekzaminime dhe ekspertiza përkatëse, ai i njëjti duhet që sa më parë t’i kthehet familjes dhe të kryhen ceremonitë përkatëse të varrimit. Mirëpo kur kemi parasysh faktin që kemi të bëjmë me një fqinj i cili përveç se nuk ka as gatishmëri dhe as vullnet për të bashkëpunuar me autoritet e tona, atëherë natyrisht që në rrethana të tilla mënyra e komunikimit zhvillohet përmes mekanizmave ndërkombëtarë me theks të veçantë të UMNIK-ut. Vlerësoj që një procedurë e tillë mund të marrë kohë, përveç kësaj natyrisht që jemi dëshmitarë të tendencës së autoriteteve politike serbe për ta përdorur këtë rast për tu shndërruar në viktimë, prandaj vlerësoj që këto e bëjnë situatën edhe më komplekse dhe mund të marrë kohë sjellja e trupit e të ndjerit dhe dorëzimi i tij në familje”, ka thënë Bajraktari, teksa e sheh të padrejtë mosbashkëpunimin me shtetit serb, veçmas në këtë rast.

-Advertisement-

“Natyrisht që është e padrejtë për faktin që autoritetet tona përkundër përpjekjeve me theks të veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, janë jashtëzakonisht të mangëta në kuptim të informatave për faktin se siç dihet autoritetet e shtetit të Serbisë, nuk kanë gatishmëri, nuk bashkëpunojnë fare me asnjë fushë dhe as një këtë drejtim. Vlerësoj që kjo do të duhej të jetë një moment reflektimi edhe për fqinjë tonë verior se është e nevojshme dhe është e domosdoshme rritja e nivelit të bashkëpunimit sepse me rritjen e nivelit të bashkëpunimit potencialisht ne duhet të mund të vlerësoheshin situata të tilla dhe të ngjashme në të ardhmen”, ka thënë ai.

Po ashtu ai ka folur edhe rreth spekulimeve, se nuk është trupi i vërtetë i Hajrizit, dhe për këtë ai vlerësoi se duhet që pas kthimit të trupit të tij të bëhet ekzaminimi nga institucionet tona shtetërore.

“Natyrisht që ka pasur spekulime të mëdha dhe të ndryshme sa i përket kësaj çështje, prandaj vlerësoj se autoritetet përkatëse në këtë rast, Mjekësia Ligjore edhe e Serbisë, mirëpo vlerësoj që edhe pas kthimit të tij duhet të bëhet një ekzaminim nga ana e institutit tonë dhe ato do të evitoheshin çdo spekulim ose thashetheme që po qarkullojnë mbi baza të përditshme për rastin në fjalë. Po flasim për një shtet i cili në krye të cilët është një person i cili me propaganda dhe jo vetëm i ka ndihmuar një regjimi gjenocidial prandaj, gjithçka prej një mekanizmi të tij shtetëror është e pritshme mirëpo sa i përket këtyre çështje, vlerësoj që duhet të ia lëmë kohës dhe organeve përgjegjëse për me konstatuar një gjë të tillë”, shtoi ai.

Për të kaluarën e tij, në kundërshtim me ligjin, Bajraktari ka potencuar është dështimi i shtetit, sepse sipas tij, shteti ka qenë përgjegjës për riedukimin dhe risocializimin e kthimit të tij si person të dobishëm në shoqëri.

“Po flasim për një person i cili me vite të tëra ka qëndruar në institucionet korrektuese dhe në këtë drejtim shteti ka qenë përgjegjës për riedukimin dhe risocializimin e kthimit të tij si person të dobishëm në shoqëri. Dhe në këtë drejtim shteti ka dështuar në kryerjen e këtij misioni, i cili në fakt është edhe qëllimi kryesor i dënimit. Si kundër që i ka mundësuar vendosjen në një institucion korrektues të tipit të hapur siç është Qendra Korrektues në Spërkovnicë, prandaj këto dyja elemente në radhë të parë dhe para se gjithash janë përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe besoj që krahas hetimeve të natyrës administrative siç është thënë se po merren nga ana e inspektoratit si institucion përgjegjës për Mbikëqyrjen e Ligjshmërisë së Punës së Institucioneve Korrektuese dhe të Shërbimit Korrektues, sa më parë të involvohen edhe mekanizmi i Prokurorisë për ta konstatuar se ku është bërë shkelja e cila pastaj ka rezultuar me pasoja fatale”, ka thënë Bajraktari.

Faton Hajrizi i cili javë më parë ishte arratisur nga burgu, është vrarë të premten në Serbi.

Ai sipas autoriteteve serbe nuk kishte pranuar të dorëzohej dhe kishte gjuajtur me armë në drejtim të policëve serb.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera